Zyrtarët më të lartë të administratës së Presidentit Biden u thanë ligjvënësve amerikanë të martën se kërkesa e Shtëpisë së Bardhë për një paketë financimi emergjente prej 106 miliardë dollarësh, që përfshin ndihmën për Ukrainën dhe Izraelin, është jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe ai i Mbrojtjes Lloyd Austin morën pjesë në një seancë në Senat, ku bënë thirrje për mbështetjen e kërkesës së Shtëpisë së Bardhë e cila siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, po përballet me kundërshti të forta në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga shumica republikane.
Zyrtarët amerikanë u bënë thirrje ligjvënësve të martën që të veprojnë me shpejtësi për përballimin e dy fronteve të luftës duke propozuar 14.3 miliardë dollarë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara për Izraelin dhe 61.4 miliardë dollarë ndihmë për Ukranën.
“Botën e mban të bashkuar udhëheqja amerikane. Nëse dështojmë të udhëheqim, kostot dhe kërcënimet për Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të shtohen”, tha Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Ligjvënësi Mike Johnson, kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, paraqiti të hënën vonë një propozim për të ndarë ndihmën financiare për Ukrainën nga ndihma për Izraelin.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha se ndarja e fondeve është një gabim strategjik.
“Do të dëmtonte rëndë vlerat dhe interesat tona themelore. Vlerat, sepse mendoj se të gjithë jemi të bashkuar mbi nevojën për t’iu përgjigjur agresorëve, të cilët përpiqen të sundojnë mbi fqinjët e tyre duke shkaktuar vuajtje të jashtëzakonshme”, tha zoti Blinken.
Kundërshtitë për miratimin e një tjetër pakete ndihme financiare për Ukrainën, për t’iu përgjigjur agresionit rus, janë më të forta në Dhomën e Përfaqësuesve.
Por udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell ka qenë një zë i fortë mbi kërkesën për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Rusia do donte të shihte që terrorristët që mbështeten nga Irani në Lindjen e e Mesme, të dobësojnë Amerikën dhe aleatët tanë. Irani do donte të shihte një fitore të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha ai.
Disa senatorë republikanë vazhdojnë të kenë shqetësime, duke ngritur argumentin se nuk ka mbikqyrje të mjaftueshme për ndihmën dhe se Shtetet e Bashkuars nuk mund të financojnë luftën, pafundësisht.
“Kemi nevojë të dimë se kemi një strategji si pjesë e kësaj pakete ndihme. Mendoj se është shumë e rëndësishme për dhënien e mbështetjes për ndihmën financiare për Ukrainën”, tha senatori republikan John Hoeven.
Gjasat janë që anëtarët e Senatit me shumicë demokrate ta bllokojnë një paketë ndihme nëse ajo është vetëm për Izraelin, duke argumentuar se ajo duhet të përfshijë ndihmën për Ukrainën, siç ka kërkuar Shtëpia e Bardhë.
“Një gjë e tillë nuk do të pëmbushte nevojat tona për siguri kombëtare. Dhe si komandant i përgjithshëm, Presidenti nuk do të merrte asnjë vendim që nuk përmbush nevojat kyçe për sigurinë kombëtare”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare.
Zoti Austin tha se mosmiratimi i ndihmës për Ukrainën, mund të çonte në një përballje të Shteteve të Bashkuara me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin.
“Nuk kam dyshim, se herët ose vonë ai do të sfidojë NATO-n dhe në atë rast, do ta gjenim veten të përfshirë”, tha ai.
Dhoma e Përfaqësuesve mund të hedhë për votim ndihmën për Izraelin këtë të enjte, ku disa demokratë progresivë po kundërshtojnë. Zoti Blinken tha se ndihma për palestinezët do të jetë pjesë kyçe e paketës së propozuar.
“Ndihma humanitare është jetike për sigurinë e Izraelit. Dërgimi i menjëherëshëm i ndihmës dhe mbrojtja e civilëve palestinezë në këtë konflikt është një burim themelor për gjetjen e atyre partnerëve në Gazë, të cilët kanë një vizion tjetër për të ardhmen, të ndryshëm nga Hamasi”.
Si propozimi i Shtëpisë së Bardhë, edhe ai i republikanëve përfshin një ndihmë prej 10.6 miliardë dollarësh në mbështetje të sistemeve të mbrojtjes ajrore të Izraelit.