Të evakuuarit e parë largohen nga Gaza, ndërsa intensifikohet ofensiva izraelite

Palestinezët me dyshtetësi në pikën kufitare Rafah

Të paktën 320 shtetas të huaj dhe disa të plagosur nga Gaza u larguan nga enklava palestineze përmes vendkalimit Rafah drejt Egjiptit të mërkurën. Këta janë përfituesit e parë nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Katari, thanë tre burime egjiptiane dhe një zyrtar palestinez.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar midis Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit, 81 persona të plagosur dhe një listë fillestare me 500 shtetas të huaj pritej të lejoheshin të dilnin nga Rripi i Gazës në ditët në vijim, thanë burime nga disa vende.

Një burim diplomatik i mirëinformuar mbi planet e palës egjiptiane tha se rreth 7,500 shtetas të huaj do të evakuoheshin nga Gaza gjatë një periudhe dyjavore, duke shtuar se aeroporti Al Arish do të vihej në dispozicion për të transportuar të evakuuarit. Diplomatët thanë se të evakuuarit e parë të huaj do të transportoheshin në rrugë tokësore drejt Kajros dhe në vazhdim nëpërmjet linjave ajrore.

Ndërkaq, forcat izraelite goditën për të dytën ditë me radhë një kamp refugjatësh në Jabaila, ku autoritetet palestineze thanë se nga sulmi ajror i një dite më parë u vranë 50 persona dhe u plagosën 150 të tjerë. Autoritetet izraelite thanë se aty strehohej një ndër komandantët kryesorë të Hamasit që planifikoi sulmin e 7 tetorit ndaj civilëve izraelitë.

Your browser doesn’t support HTML5

Të evakuarit e parë largohen nga Gaza, ndërsa intensifikohet ofensiva izraelite

Të evakuuarit e plagosur u transportuan me ambulanca përmes pikës kufitare në Rafah. Sipas marrëveshjes së arritur mes Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit, një numër të huajsh dhe të plagosurish do të lejohen të largohen nga territori i rrethuar.

Evakuimi pasoi një tjetër ditë të përgjakshme në Gaza, pasi një sulm ajror izraelit goditi në Jabalia në kampin më të madh të refugjatëve në Gazë. Sipas ushtrisë izraelite sulmi ajror vrau Ibrahim Biarin, një komandant i Hamasit që kishte luajtur rol thelbësor për organizimin e sulmit të 7 tetorit, si dhe mbi dymbëdhjetë luftëtarë të tjerë të Hamasit.

Palestinezët kërkojnë për të mbijetuarit pas goditjes ajrore në kampin e refugjatëve në Jabaila, Gazë (1 nëntor 2023)

Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë të Gazës, e cila qeveriset nga Hamasi, të paktën 50 persona u vranë dhe 150 u plagosën, ndërsa Hamasi, grup që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë organizatë terroriste, thotë se bëhej fjalë për 400 viktima në kampin ku strehohen refugjatë që nga vitin 1948.

“Forcat tona vazhdojnë të zgjerojnë operacionet tokësore në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Gjatë natës, forcat u angazhuan në beteja të rëndësishme, përfshirë në një godinë shumëkatëshe në zonën e Jabaliyas. Terroristët qëlluan ndaj forcave tona. Hamasi e përdori atë godinë, si shumë të tjera, si një bazë të sigurtë. Pra përdorim i qëllimshëm i një strukture civile, pranë një shkolle, një qendre mjekësore dhe zyrave të qeverisë”, tha zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse Izraelite, Kundëradmiral Daniel Hagari.

Izraeli futi forcat ushtarake në territorin e kontrolluar nga Hamasi pas javësh bombardimesh nga ajri dhe me artileri, në kundërpërgjigje të sulmit të vdekjeprurës të grupit islamik në Izraelin jugor më 7 tetor. Izraeli është zotuar për eliminimin e Hamasit. Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat al-Qassam, thanë se nga sulmi ajror u vranë edhe shtatë pengje izraelite, tre prej të cilëve shtetas të huaj. Izraeli nuk komentoi rreth këtij pretendimi.

Sipas ushtrisë izraelite u vranë gjatë luftimeve të së martës edhe njëmbëdhjetë ushtarë izraelitë, humbjet më të mëdha brenda një dite që nga fillimi i ofensivës.

Benjamin Netanyahu gjatë fjalës së transmetuar në televizion (1 nëntor 2023)

“Jemi në një luftë të vështirë. Do të jetë një luftë e gjatë. Kemi patur arritje domethënëse, por edhe humbje të dhimbshme. E dimë se çdo një nga ushtarët tanë është një botë e tërë. U them familjeve të dashura, se populli i Izraelit është me ju, në këtë kohë dhimbjeje të padurueshme. Ju përqafojmë me gjithë zemër. Ushtarët tanë kanë rënë në luftën më të drejtë të mundshme – një luftë ndaj shtëpive tona. Dhe ju premtoj të gjithë juve, shtetasve të Izraelit – do t’ja arrijmë. Do të vazhdojmë deri në fitore”, deklaroi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Por viktimat në radhët e civilëve në Gazë dhe kushtet e dëshpëruara humanitare kanë shkaktuar shqetësim të gjerë në mbarë botën, ndërsa ushqimet, karburanti, uji i pijshëm dhe ilaçet janë të pakta dhe spitalet vështirësohen për t’u kujdesur për të lënduarit. U njoftua gjithashtu se shërbimet e telekomunikacioneve dhe internetit janë ndërprerë sërish në mbarë Gazën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që pritet ta vizitojë Izraelin të premten, ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera po shqyrtojnë mundësitë e një sistemi të ri qeverisës në Gazë, pas largimit të militantëve të Hamasit.