Të huajt dhe të plagosurit do të largohen nga Gaza ndërsa zgjerohen sulmet izraelite

Një numër i të huajve dhe të plagosurve në gjendje të rëndë do të largohen nga Rripi i Gazës të mërkurën sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Katari, ndërsa forcat izraelite zgjerojnë ofensivën e tyre kundër militantëve të Hamasit në enklavën e rrethuar palestineze.

Marrëveshja, e arritur midis Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit, pasoi një ditë tjetër gjakderdhjeje në Gaza, në të cilën, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë një sulm ajror izraelit vrau rreth 50 njerëz në një kamp refugjatësh. Izraeli tha se sulmi vrau një komandant të lartë të Hamasit dhe shumë luftëtarë të tjerë.

Komunikimet dhe shërbimet e internetit u ndërprenë tërësisht në Gaza sërish të mërkurën, tha ofruesi i shërbimeve të telekomunikacionit, Paltel.

Izraeli dërgoi forcat e tij në Gazën e kontrolluar nga Hamasi pas disa javë bombardimesh në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës që grupi militant kreu në Izraelin jugor më 7 tetor.

Izraeli është zotuar të fshije Hamasin nga faqja e dheut. Por, numri i vdekjeve të civilëve në Gaza dhe kushtet e dëshpëruara humanitare kanë shkaktuar shqetësim të madh në gjithë botën, pasi ushqimet, uji i pijshëm, karburantet dhe ilaçet po mbarojnë dhe spitalet po luftojnë për të trajtuar të plagosurit.

Katari, i cili mban lidhje me Izraelin dhe Hamasin, ndërmjetësoi një marrëveshje midis palëve për të lejuar disa të plagosur rëndë dhe bartësit e pasaportave të huaja të kalojnë nga Gaza në Egjipt.

Një burim egjiptian i sigurisë tha se deri në 500 të huaj do të kalojnë të mërkurën vendkalimin kufitar Rafah. Rreth 200 persona po prisnin në anën palestineze të kufirit të mërkurën në mëngjes, tha burimi.

Një burim i dytë tha se jo të gjithë pritej të kalonin të mërkurën dhe nuk ka asnjë afat kohor se sa kohë do të qëndrojë i haur vendkalimi për evakuim.

Egjipti ka përgatitur një spital fushor në Sheikh Zuwayed në gadishullin e Sinait, sipas burimeve mjekësore dhe ambulancat mund të shiheshin duke pritur në vendkalimin Rafah.

Burimet thanë se marrëveshja, megjithatë, nuk është e lidhur me çështje të tjera, si lirimi i rreth 240 pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe një "pauzë humanitare" në luftimet që është kërkuar nga shumë vende, por është refuzuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Lexoni edhe këtë Izraeli kundërshton thirrjet për armëpushim, ushtria depërton më thellë në Gazë

Sulmi i Hamasit në Izraelin jugor me 7 tetor la pas vetes rreth 300 ushtarë dhe rreth 1.100 civilë të vrarë, thanë autoritetet izraelite.

Të paktën 8,525 palestinezë, përfshirë 3,542 fëmijë, u vranë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, thotë ndërkaq ministria e Shëndetësisë së Gazës.

Ushtria izraelite tha se në sulmet e së martës në Jabalia, kampi më i madh i refugjatëve në Gaza, është vrarë Ibrahim Biari, një komandant i Hamasit, për të cilin tha se ishte "i rëndësishëm" në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit të 7 tetorit, si dhe dhjetëra militantë të Hamasit.

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thanë se të paktën 50 palestinezë u vranë dhe 150 u plagosën, ndërsa në një deklaratë të Hamasit thuhet se pati 400 të vdekur dhe të plagosur në Jabalia, ku strehohen familjet e refugjatëve nga luftërat me Izraelin që datojnë që nga viti 1948.

Brigadat e krahut të armatosur të Hamasit, al-Qassam, thanë se shtatë pengje civilë u vranë në sulmet në Jabalia, duke përfshirë tre me pasaporta të huaja. Nuk pati një koment të menjëhershëm nga Izraeli mbi këto pretendime.

Njëmbëdhjetë ushtarë izraelitë u vranë gjithashtu në luftimet e ashpra të martën, tha ushtria izraelite, humbja më e madhe në një ditë për forcat e armatosura që nga sulmi fillestar.

Kryeministri Netanyahu vajtoi humbjet ushtarake në rritje, ndërsa nënvizoi se lufta do të jetë e gjatë, por fitimtare.

“Jemi në një luftë të ashpër. Do të jetë një luftë e gjatë", tha ai në një deklaratë. "Unë u premtoj të gjithë qytetarëve të Izraelit: Ne do t’i japim fund kësaj pune. Do të shkojmë përpara deri në fitore".

Pas një qetësie disa orëshe, ushtria izraelite lëshoi sirenat e alarmit në shumë komunitete jugore, si dhe në qytete Ashkelon dhe Ashdod.

Gjëmimet e avionëve ushtarak izraelitë, tankeve dhe anijeve detare që goditnin qytetin e Gazës dhe veriun, vazhduan gjatë natës. Forcat tokësore izraelite u përleshën me luftëtarët nga Hamasi dhe grupe të tjera në zonat veriore, jugore dhe lindore të Gazës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili do të vizitojë Izraelin të premten, tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet të tjera po analizojnë alternativa të ndryshme lidhur me të ardhmen e Rripit të Gazës, nëse militantët e Hamasit largohen nga qeverisja.

Lexoni edhe këtë Blinken: SHBA dhe vende të tjera po shqyrtojnë alternativat për të ardhmen e Gazës pas Hamasit

Irani mbështet Hamasin, si dhe disa grupe të tjera militante në rajon, dhe konflikti në Gaza ka shkaktuar frikën e një përshkallëzimi më të gjerë.

Të mërkurën, ushtria izraelite tha se kishte vendosur anije me raketa në Detin e Kuq, pas sulmeve me dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi të pretenduara nga kryengritësit Houthi në Jemen.