Mijëra palestinezë janë vrarë nga operacionet tokësore katërditore të Izraelit në Gazë, që filluan në përgjigje të sulmit tronditës ndaj civilëve të grupit militant Hamas më 7 tetor, që shkaktoi vdekjen e rreth 1400 izraelitëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, ndërkohë që Izraeli po lufton brenda territorit të mbipopulluar të Gazës, zyrtarët e Uashingtonit, Moskës, Teheranit dhe Ankarasë po shprehin qëndrimet e tyre për konfliktin.
Your browser doesn’t support HTML5
Shtëpia e Bardhë mirëpriti lejimin, megjithëse të kufizuar, të ndihmave humanitare dhe rikthimin e funksionimit të rrjeteve të telekomunikacionit në Gazë, ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën tokësore në këtë enklavë, në përgjigje të sulmit të 7 tetorit të grupit militant Hamas, të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë grup terrorist. Administrata e Presidentit Biden gjithashtu po përsërit paralajmërimet e saj ndaj grupeve të armatosura, që të mos përfshihen në luftime.
“Mesazhi ynë për çdo aktor që dëshiron të shfrytëzojë këtë konflikt është: Mos e bëni këtë. Siç e dini, kemi shtuar praninë ushtarake në rajon. Vëzhgojmë vazhdimisht për t’u siguruar se çdo aktor që mund të tundohet për t’u bërë pjesë, ta dijë se i marrim shumë seriozisht interesat tona në rajon, për të mos përmendur detyrimin për të mbrojtur forcat tona në bazat për luftën kundër ISIS-it, në vende si Iraku dhe Siria”, tha John Kirby, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Por konflikti po shpërthen edhe në rrafshin e opinionit publik. Qindra njerëz sulmuan një aeroport në rajonin rus Dagestan gjatë fundjavës, duke hedhur parrulla antisemite ndaj një avioni pasagjerësh të ardhur nga Tel Avivi.
Presidenti i Rusisë fajësoi ndërhyrjen e jashtme për këtë ngjarje – një lëvizje që zoti Kirby e quajti “retorikë klasike ruse”.
“Ngjarjet mbrëmjen e kaluar në Makhachkala, përfshirë përmes rrjeteve të mediave sociale, u frymëzuan nga brenda territorit të Ukrainës nga agjentë të shërbimeve perëndimore të zbulimit”, deklaroi zoti Putin.
Lexoni edhe këtë Putin takim me zyrtarët e sigurisë pasi turma sulmoi aeroportin e Dagestanit në kërkim të izraelitëvePresidenti i Turqisë është bërë gjithashtu edhe më i vendosur në mosmarrëveshjen me Shtetet e Bashkuara në lidhje me klasifikimin e Hamasit si grup terrorist dhe e kalon fajin gjetiu.
“Perëndimi ka përgjegjësinë më të madhe për masakrën në Gazë”, tha zoti Erdogan.
Edhe zyrtarët iranianë janë shprehur publikisht. Ministri i jashtëm iranian shfrytëzoi foltoren e OKB-së javën e kaluar për të paraqitur pikëpamjen e vendit të tij. Iranianët gjithashtu kanë dalë në protesta.
“Jemi bërë dëshmitarë prej tre javësh të krimeve të luftës dhe gjenocidit të regjimit pushtues izraelit në Gazë dhe Bregun Perëndimor në Palestinë. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane kanë marrë anën e regjimit pushtues të Izraelit, pa respektuar kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar”, tha ministri iranian Amirabdollahian.
Zoti Kirby thotë se Shtëpia e Bardhë mendon se ekziston një dallim mes mendimit ndryshe dhe mosmarrëveshjes, dhe se administrata amerikane po qëndron vigjilente ndaj ndonjë vale antisemitizmi.
“Ne besojmë tek e drejta për protesta paqësore, siç e dini edhe kur nuk jemi dakord me idetë në fjalë. Askush nuk dëshiron t’i shohë protestat paqësore të bëhen të dhunshme apo të rrezikshme, siç veproi turma dje në Dagestan. Pra, është shqetësuese dhe është diçka për të cilën do të vazhdojmë të bisedojmë me aleatët tanë dhe partnerët”, tha zoti Kirby.
Kjo është sidoqoftë diçka me të cilën po përballet gjithnjë e më shumë Shtëpia e Bardhë, ndërsa protestat – shumë prej tyre në mbështetje të palestinezëve dhe kundër Izraelit – janë shfaqur në universitetet kryesore amerikane gjatë javëve të fundit.