Presidenti rus Vladimir Putin thërriti në takim zyrtarët e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit të hënën, një ditë pasi turma sulmoi aeroportin në rajonin jugor të Dagestanit pas mbërritjes së një aeroplani nga Izraeli.
Qindra burra të zemëruar, disa që mbanin parulla me slogane antisemite, u vërsulën drejt aeroportit në Makhachkala, kryeqyteti i rajonit me popullatë kryesisht myslimane, të dielën mbrëma, duke kërkuar për pasagjerët izraelitë të fluturimit nga Tel Avivi, raportuan mediat ruse.
Më shumë se 20 persona u plagosën, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, tha Ministria e Shëndetësisë e Dagestanit. Të plagosurit përfshinin oficerë policie dhe civilë, tha kjo ministri.
Të paktën 60 persona u arrestuan gjatë trazirave, tha Ministria e Brendshme e vendit. Nuk ishte e qartë nëse u ngritën akuza kundër ndonjërit prej pjesëmarrësve, por Komiteti Hetimor i Rusisë tha se hapi një hetim penal me akuzën e organizimit të trazirave masive.
Rusia ka qenë e kujdesshme duke bërë kritika të matura për të dyja palët në luftën midis Izraelit dhe Hamasit, një konflikt që po i jep Moskës mundësi të reja për të avancuar rolin e saj si ndërmjetës global dhe për të sfiduar përpjekjet perëndimore për ta izoluar atë për shkak të luftës në Ukrainë.
Kremlini gjithashtu ka kërkuar ta “paraqesë Rusinë si një vend tolerant fetar”, thuhet në një raport të fundit nga Instituti i Studimit të Luftës. Presidenti Putin javën e kaluar u takua me udhëheqësit fetarë dhe e vlerësoi “Rusinë si një fener të harmonisë fetare”, thuhet në raport.
Megjithatë, në vazhdën e trazirave, “Kremlini ka të ngjarë të luftojë për të siguruar elektoratin se situata është nën kontroll dhe për të bindur popullatën hebreje se pakicat hebreje janë të sigurta në Rusi”, tha instituti me qendër në Shtetet e Bashkuara. Ky institut vuri në dukje komentet e zëdhënësit të Kryerabinatit të Rusisë në Dagestan, Ovadya Isakov, i cili tha të dielën se nuk është i sigurt nëse ia vlen të evakuohen disa qindra familje hebreje nga Dagestani në zona të tjera të vendit, duke kujtuar historinë e pogromeve dhe se “Rusia nuk është shpëtimi”.
Turma që u vërsul në terminalin e aeroportit të dielën mbrëma rrethoi avionin që i përkiste kompainsë ajrore ruse “Red Wings” me sa duket me pak rezistencë nga policia, raportuan mediat ruse.
Video dhe imazhe të publikuara në rrjete sociale treguan se disa nga personat në turmë valëvisnin flamuj palestinezë dhe se disa u përpoqën të përmbysnin një makinë policie. Të tjerë mbanin pankarta me shkrim dore ku thuhej: “Vrasësit e fëmijëve nuk janë të mirëpritur në Dagestan” dhe “Ne jemi kundër refugjatëve hebrenj”.
Kishte gjithashtu thirrje “Allahu ekber!” (“Zoti është i madh!”).
Disa nga pjesëmarrësit në turmë, që u panë të përshkonin terminalin, kontrollonin pasaportat e pasagjerëve që vinin, me sa duket në përpjekje për të identifikuar ata që ishin izraelitë. Turma u shpërnda më vonë.
Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dmitry Peskov tha se takimi i sigurisë do të diskutojë “përpjekjet e Perëndimit për të përdorur ngjarjet në Lindjen e Mesme për të përçarë shoqërinë (ruse)”.
“Është e njohur dhe e qartë se ngjarja e djeshme përreth aeroportit Makhachkala është kryesisht rezultat i ndërhyrjes së jashtme, përfshirë ndikimin e informacionit nga jashtë”, u tha ai gazetarëve në konferencën e tij të përditshme për shtyp. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti citoi guvernatorin e Dagestanit Sergei Melikov të thoshte se trazirat ishin koordinuar në një kanal të shkëmbimit të mesazheve “Telegram” të drejtuar nga “tradhtarët” në Ukrainë, me qëllim destabilizimin e Dagestanit dhe nxitjen e trazirave.
Pas trazirave të Dagestanit, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli “pret që autoritetet ruse të zbatimit të ligjit të mbrojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe hebrenjve izraelitë kudo që të jenë dhe të veprojnë me vendosmëri kundër rebelëve dhe kundër nxitjes së egër të drejtuar kundër hebrenjve dhe izraelitëve”.
Ndërsa shprehu mbështetje për palestinezët në Gazë, qeveria rajonale e Dagestanit u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të mos marrin pjesë në protesta të tilla. Myftiu suprem i Dagestanit, Sheikh Akhmad Afandi, gjithashtu bëri thirrje për paqe.