Trupat dhe tanket izraelite u futën më thellë në Gazë të hënën, duke liruar një ushtare izraelite që ishte marrë peng nga militantët e Hamasit.
Të sot Kombet e Bashkuara dhe personeli mjekësor paralajmëruan se sulmet ajrore po godasin më pranë spitaleve, ku strehohen me dhjetëra mijëra palestinezë krahas mijëra të plagosurve që marrin trajtim mjekësor.
Izraeli tha se një ushtare grua, e kapur gjatë sulmit të Hamasit në 7 tetor brenda Izraelit, ishte liruar gjatë operacionit të saj tokësor, personi i parë që shpëtohet që nga fillimi i luftës. Në deklaratë jepeshin pak detaje, por u tha se ushtarja e identifikuar si Ori Megidish “është mirë” dhe është takuar me familjen e saj.
Në një deklaratë të shkurtër Kryeministri Benjamin Netanyahu i uroi asaj mirëseardhjen në shtëpi duke shtuar se ishin "forcat" izraelite që e kishin çliruar atë nga Hamasi. Ai tha gjithashtu se "arritjet" e forcave të sigurisë së vendit të tij "janë tregues i angazhimin tonë për të liruar të gjithë pengjet".
Hamasi dhe grupet e tjera militante besohet se mbajnë peng rreth 240 mes tyre burra, gra dhe fëmijë. Zoti Netanyahu është përballur me një trysni në rritje për të siguruar lirimin e tyre mes një ofensive që po përparon për të cilën Izraeli thotë se synon të shkatërrojë Hamasin dhe t'i japë fund sundimit 16-vjeçar të këtij territori.
Hamasi, i cili ka liruar tashmë katër pengje, ka bërë të ditur se do t'i linte të lirë të tjerët në këmbim të mijëra të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli, mes tyre edhe ata që janë përfshirë në sulmet e përgjakshme ndaj izraelitëve më 7 tetor. Por Izraeli e ka hedhur poshtë këtë ofertë. Më herët të hënën, zoti Netanyahu tha se pushtimi tokësor i territorit "krijon mundësi për lirimin e pengjeve".
Hamasi publikoi një video të shkurtër të hënën duke pretenduar se në të shfaqeshin tre gra të tjera që po mbahen peng. Një nga gratë shfaqet duke bërë një deklaratë të shkurtër, me gjasë nën trysninë e militantëve, gjasë së cilës kritikon përgjigjen e Izraelit lidhur me krizën e pengjeve.
Nuk ishte e qartë se kur ishte filmuar kjo video nga Hamasi. Agjencia e lajmeve 'Associated Press' zakonisht nuk raporton detaje të videove të pengjeve, pasi në to shfaqen individë që flasin nën trysni dhe shpesh përdoren për qëllime propagandistike.
Ushtria izraelite ka qenë e paqartë në lidhje me operacionet e saj brenda Gazës, duke përfshirë vendndodhjen dhe numrin e trupave. Izraeli ka shpallur një "fazë" të re të luftës, por nuk ka shpallur një sulm në shkallë të plotë tokësor, edhe pse ka dislokuar dhjetëra mijëra trupa në kufi.
Lëvizjet e ditëve të fundit, përfshirë operacionet më të mëdha tokësore si në veri ashtu edhe në lindje të qytetit të Gazës, tregojnë për një përqendrim në qytet. Izraeli thotë se shumica e forcave të Hamasit dhe infrastrukturës militante, duke përfshirë qindra kilometra tunele, ndodhen në qytetin e Gazës.
Viktimat nga të dyja palët pritet të rriten ndjeshëm nëse forcat izraelite zgjerojnë operacionin e tyre tokësor.
Po sot Forcat Ajrore izraelite thanë se kanë goditur mbi 600 objektiva të Hamasit në Gazë brenda një periudhe 24-orëshe.
Po kështu ata thanë se kanë goditur objektiva në Siri dhe Liban si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të nisura nga të dy vendet.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit bënë të ditur se gjatë përleshjeve në Rripin e Gazës, me ata që i cilëson si terroristë, kishte vrarë dhjetëra prej tyre.
Po kështu ushtria tha se militantët kishin zënë pozicione brenda ndërtesave dhe tuneleve dhe se ishin përpjekur të sulmonin trupat izraelite.
Po kështu Hamasi njoftoi për luftime të ashpra në veriperëndim të Gazës.
Organizata humanitare ‘Save the Children’ bëri të ditur përmes një deklarate se, sipas shifrave të raportuara, numri i fëmijëve të vrarë në Gazë në tre javë, "ka tejkaluar numrin vjetor të fëmijëve të vrarë në zonat e konfliktit në të gjithë botën që nga viti 2019". Sipas njoftimeve më shumë se 3 mijë fëmijë janë vrarë në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.
Izraeli ka publikuar fotografi të tankeve të tij në Bregun Perëndimor të Rripit të Gazës, 48 orë pasi urdhëroi inkursione të zgjeruara tokësore përgjatë kufirit lindor. Hamasi njoftoi se kishte goditur me raketa tanket izraelite në pjesën veriore të Gazës, ndërsa ironizoi njoftimet se trupat izraelite kishin avancuar thellë në këtë rajon. Asnjë prej njoftimeve nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Të hënën Kombet e Bashkuara dhe personeli mjekësor paralajmëruan se sulmet ajrore po godasin më afër spitaleve, ku dhjetëra mijëra palestinezë kanë kërkuar strehim së bashku me mijëra të plagosur.
Shtimi i operacioneve tokësore ndodhi një ditë pasi 33 kamionë që transportonin ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera hynë në Gaza nga Egjipti, autokolona më e madhe e ndihmave humanitare që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Punonjësit humanitar thanë të hënën se ndihma ishte ende shumë larg nevojave në Gaza, e cila ndodhet nën rrethim për javë të tëra.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se numri i të vdekurve mes palestinezëve arriti në mbi 8,000 veta, kryesisht gra dhe të mitur, ndërsa tanket dhe këmbësoria izraelite po kryejnë atë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti një "fazë të dytë" në luftën e nxitur nga sulmi brutal i Hamasit më 7 tetor.
Numri i viktimave është i pashembullt në dekadat e dhunës izraelito-palestineze. Mbi 1,400 veta, kryesisht civilë, u vranë në anën izraelite gjatë sulmit fillestar, gjithashtu një shifër e pashembullt.
Forcat izraelite dukej se po futeshin më thellë në Gaza nga veriu. Një video e publikuar të hënën nga ushtria shfaqi automjete të blinduara që lëviznin mes ndërtesave dhe ushtarët që zinin pozicione brenda një shtëpie. Vendndodhja e saktë nuk dihej, por pamjet ushtarake të shtunën shfaqën trupat që lëviznin nëpër zona të zbrazëta ranore pranë kufirit verior të Gazës.
Ushtria tha të hënën se gjatë natës trupat e saj kishin vrarë dhjetëra militantë që sulmuan nga brenda ndërtesave dhe tuneleve dhe kishin shkatërruar një ndërtesë që Hamasi e përdorte si fortesë. Ushtria izraelite tha ditët e fundit kishte goditur më shumë se 600 objektiva militantë, duke përfshirë depo armësh dhe pozicione lëshimi të raketave antitank. Raportet për shënjestrat nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.
Krahu ushtarak i Hamasit tha se militantët e tij u përleshën me trupat izraelite që hynë në pjesën veriperëndimore të Rripit të Gazës me armë të lehta dhe predha antitank. Militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa drejt Izraelit, duke përfshirë Tel Avivin.
Të dielën, autokolona më e madhe e ndihmave humanitare deri më tani, 33 kamionë, hyri në Gazën jugore nga Egjipti. Punonjësit e ndihmës thonë se sasia është ende shumë më e vogël se ajo që nevojitet në territor, ku popullsia prej 2.3 milionë banorësh është duke mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant pas javësh nën rrethimin izraelit.
Të shtunën, turma njerëzish hynë në katër depo të Kombeve të Bashkuara dhe morën furnizime ushqimore në atë që OKB-ja e quajti një shenjë se rendi civil po rrënohej mes dëshpërimit në rritje.
Lexoni edhe këtë Mijëra veta thyen depot e ndihmave në Gaza në shenjë dëshpërimi në rritje ndërsa lufta përshkallëzohetRrethimi izraelit e ka rrënuar pothuajse infrastrukturën në Gaza. Pa energji elektrike për javë të tëra, spitalet po përpiqen të mbajnë në punë gjeneratorët e urgjencës për të vënë në funksion inkubatorët dhe pajisjet e tjera që shpëtojnë jetën. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRËA, është përpjekur të mbajë në punë pompat e ujit dhe furrat e bukës. Javën e kaluar, zyrtarët e OKB-së thanë se shkalla e urisë po rritej.
Numri i kamionëve me ndihma u rrit pasi presidenti amerikan Joe Biden i theksoi kryeministrit izraelit Netanyahu “nevojën për të rritur menjëherë dhe në mënyrë të konsiderueshme hyrjen e ndihmave humanitare”, thanë zyrtarët amerikanë.
Izraeli gjithashtu hapi dy linja furnizimi me ujë Gazën jugore gjatë javës së kaluar, tha autoriteti ushtarak izraelit përgjegjës për çështjet civile palestineze. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mundi të vërtetojë në mënyrë të pavarur nëse linjat ishin në punë.
Komunikimet u rivendosën të dielën për shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës. më shumë se një ditë pa shërbime telefonike dhe të internetit.
Ndërkohë, spitalet e mbushura me njerëz në Gazën veriore u gjetën nën kërcënim në rritje. Sulmet goditën pranë spitaleve Shifa dhe Al Quds të qytetit të Gazës dhe spitalit indonezian në Gazën veriore ditët e fundit, thanë zyrtarë të OKB-së dhe banorët lokal të hënën.
Të 10 spitalet që veprojnë në veri të Gazës janë urdhëruar të evakuohen ditët e fundit, tha zyra e OKB-së për bashkërendimin e çështjeve humanitare. Personeli ka refuzuar të largohet, duke thënë se evakuimi do të nënkuptonte vdekjen për pacientët që janë të lidhur në ventilatorë.
Dhjetëra mijëra civilë janë strehuar në spitalin Shifa, më i madhi në territor. Izraeli akuzon Hamasin se ka një komandë të fshehtë nën spital, por nuk ka dhënë shumë prova. Hamasi i mohon akuzat.
Sulmet goditën afro 50 metra nga spitali Al Quds, pasi ai mori dy telefonata nga autoritetet izraelite të dielën duke urdhëruar evakuimin, tha shërbimi i shpëtimit të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, sipas të cilit 14,000 njerëz janë strehuar atje.
Rreth 20,000 njerëz janë strehuar në Spitalin Nasser në qytetin jugor Khan Younis, tha drejtori i urgjencës Dr. Mohammed Qandeel.
"Unë i solla fëmijët e mi për të fjetur këtu", tha një banore e zhvendosur që u identifikua si Umm Ahmad. “Dikur kisha frikë për fëmijët e mi që luanin në rërë. Tani duart e tyre janë të pista me gjakun në dysheme”.
Përshkallëzimi ka rritur trysninë e brendshme mbi qeverinë e Izraelit për të siguruar lirimin e 239 pengjeve të kapur nga luftëtarët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit.
Hamasi thotë se është gati të lirojë të gjithë pengjet nëse Izraeli liron të gjithë mijëra palestinezët e mbajtur në burgjet e tij. Anëtarët e dëshpëruar të familjeve të pengjeve izraelite u takuan me kryeministrin Netanyahu të shtunën dhe shprehën mbështetjen për një shkëmbim. Izraeli e ka hedhur poshtë ofertën e Hamasit.
“Nëse Hamasi nuk ndjen trysninë ushtarake, asgjë nuk do të lëvizë përpara”, u tha të dielën familjeve të pengjeve ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Ushtria izraelite nuk i ka quajtur operacionet e saj tokësore që po zgjerohen brenda Gazës, një pushtim në shkallë të gjerë.
Izraeli thotë se po vë në shënjestër luftëtarët dhe infrastrukturën e Hamasit dhe se militantët veprojnë mes civilëve, duke i vënë ata në rrezik.
Luftimet kanë ngritur shqetësimin se dhuna mund të përhapet në gjithë rajonin. Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah. janë përfshirë në përleshje të përditshme përgjatë kufirit verior të Izraelit.
Në Bregun Perëndimor, të paktën katër palestinezë u vranë në përleshjet e së hënës midis forcave izraelite dhe palestinezëve në Jenin, skenë e bastisjeve të përsëritura izraelite në kërkim të personave të armatosur. Që nga e diela, forcat izraelite dhe kolonët vranë 115 palestinezë, duke përfshirë 33 të mitur, në Bregun Perëndimor, gjysma e tyre gjatë operacioneve izraelite të kërkim-arrestimit, tha agjencia e OKB-së për Bashkërendimin e Ndihmës Humanitare.
Ushtria izraelite tha herët të hënën se avionët e saj goditën infrastrukturën ushtarake në Siri, pasi raketat nga atje ranë në territorin izraelit.
Sipas ushtrisë së Izraelit rreth 250,000 izraelitë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës përgjatë kufirit me Gazën dhe kufirit verior me Libanin.