Kryediplomati kinez: Rruga drejt takimit Xi-Biden nuk do të jetë e lehtë

Wang Yi

Ministri i Jashtëm i Kinës thotë se nuk do të jetë e lehtë të arrihet deri tek një takim i pritshëm mes Presidentit Xi JinPing dhe Presidentit Joe Biden, duke shtuar se të dyja palët duhet të bashkëpunojnë për të arritur rezultate, njoftoi të dielën Pekini.

Kryediplomati Wang Yi u takua me Presidentin Biden, Sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare Jake Sullivan, gjatë një vizite tre-ditore në Uashington.

Palët ranë dakord të punojnë për të realizuar një takim dypalësh gjatë forumit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit që zhvillohet në San Françisko në nëntor.

Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme e Kinës, që përmbledh diskutimet me palën amerikane, zoti Wang thotë se takimi dypalësh nuk mund të ndodhë automatikisht.

Vizita tre-ditore e kryediplomatit Wang në Uashington erdhi në një kohë kur tensionet mes dy vendeve mbeten të larta, përfshirë çështjet për kufizimin e eksportit të teknologjisë së përparuar amerikane dhe veprimet e Kinës në detet e Kinës Jugore dhe Lindore.

Në deklaratë thuhet se megjithëse ka ende shumë çështje për t'u zgjidhur, të dyja palët besojnë se dialogu mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, është i dobishëm dhe i nevojshëm.