Maltë, konferencë për planin e paqes të Ukrainës

Në Maltë po mbahen bisedime mbi një plan të Ukrainës për paqen, me pjesëmarrjen e më shumë se 65 vendeve – por jo Rusisë, thanë zyrtarët maltezë dhe ukrainas. Takimi dyditor i përfaqësuesve të sigurisë kombëtare që filloi të shtunën, është raundi i tretë i bisedimeve të tilla në muajt e fundit.

Ukraina e sheh këtë takim si një mundësi për të siguruar mbështetje për planin e paqes prej 10 pikash të Presidentit Volodymyr Zelenskyy nga vendet në gjithë botën, veçanërisht pasi konflikti në Lindjen e Mesme rrezikon ta zbehë vëmendjen ndaj Ukrainës.

Rusia, e cila nuk ishte e ftuar në asnjë nga takimet, e ka hedhur poshtë këtë nismë si të njëanshme.

“Përpjekjet diplomatike të Ukrainës po japin rezultat, pasi mbështetja ndërkombëtare për formulën e paqes së Ukrainës po rritet”, u shpreh kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, në platfomën X – të njohur më parë si Twitter.

Raundi fillestar i bisedimeve në Kopenhagë në qershor pati vetëm 15 pjesëmarrës. Ky numër u rritur në 43 për raundin e dytë në Jeddah në gusht.

Në fjalimin e tij në konferencë, Yermak vuri në dukje se, ndërsa gjithnjë e më shumë vende po i bashkohen zhvillimit të planit të zotit Zelenskyy, "Rusia do të duhet të tërhiqet para komunitetit ndërkombëtar. Ajo do të duhet të pranojë kushtet tona të përbashkëta.”

Ai detajoi pesë nga 10 pikat e planit që po diskutohen në bisedimet e fundjavës: siguria bërthamore, siguria e energjisë, siguria ushqimore, lirimi i të burgosurve të luftës dhe të të zhvendosurve dhe rikthimi i integritetit territorial të Ukrainës.

Ministri i jashtëm i Maltës, Ian Borg, tha se pjesëmarrja e lartë ishte një "votë besimi ndaj Maltës si ndërmjetëse e paqes", duke përsëritur mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën. “Edhe pse jemi një shtet neutral, nuk mund të heshtim përballë padrejtësive, mizorive dhe abuzimit me pushtetin në këtë rajon”, tha Borg. "Malta beson në multilateralizmin që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së."