Presidenti Biden takon kryediplomatin kinez

Presidenti Joe Biden u takua të premten me kryediplomatin kinez Wang Yi, një zhvillim që besohet se i paraprin një takimi të mundshëm me Presidentin kinez Xi Jinping, muajin e ardhshëm.

Ky zhvillim vjen pas një sërë bisedimesh të nivelit të lartë mes dy vendeve, në përpjekje për gjetjen e mundësive për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara të tyre, e mes agresionit rus në Ukrainë e tensionesh në Lindjen e Mesme.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden “nënvizoi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të mbajnë të hapura linjat e komunikimit” dhe se dy vendet “duhet të bashkëpunojnë në zgjidhjen e sfidave globale”.

Zoti Wang, po qëndron në Uashington në një vizitë tre ditore, ku ka patur takime me zyrtarë të lartë amerikanë. Këtë të premte, ai u takua, për herë të dytë brenda 24 orëve, me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Të enjten, pas takimi të parë mes tyre, Departamenti i Shtetit tha se zyrtarët biseduan mbi “çështje që ndajnë dy vendet” dhe mbi “mundësitë e bashkëpunimit”, ndërsa zoti Blinken “konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë interesat dhe vlerat e aleatëve dhe partnerëve të Shteteve të Bashkuara”.

Shtetet e Bashkuara janë zhgënjyer nga Kina për shkak të mbështetjes ndaj Rusisë në agresionin kundër Ukainës dhe heshtjes relative mbi luftën mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha se Kina duhet të përdorë fuqinë e saj ndikuese për të bërë thirrje për qetësi në Lindjen e Mesme. “Ne e dimë se Kina ka marrëdhënie me një sërë vendesh në rajon dhe do ta nxisnim që të përdorte këto marrëdhënie, këto linja komunikimi, për të nxitur stabilitet dhe qetësi”, tha zoti Miller.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Kina ka kontakte të konsiderueshme me Iranin, i cili është një mbështetës i fortë i grupit militant të Hamasit.