Forcat ajrore dhe tokësore izraelite zgjeruan sulmet e tyre ndaj Hamasit në Rripin e Gazës të premten, njoftoi ushtria izraelite, dhe grupi militant palestinez konfirmoi se luftëtarët e tij po shkëmbenin zjarr me forcat izraelite në disa vendndodhje përgjatë kufirit me Izraelin, përfshirë në Bureij.
Të pyetur rreth këtyre njoftimeve, përfaqësuesit e ushtrisë izraelite thanë se po bëhen operacione të caktuara dhe janë zgjeruar sulmet me qëllim "përgatitjen e terrenit për fazat e ardhshme operacionale".
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë të hartuar nga vendet arabe ku bëhet thirrje për vendosjen e menjëhershme të armëpushimit humanitar dhe kërkohet qasje për organizatat e ndihmave në territorin e rrethuar, si dhe mbrojtja për civilët.
Megjithëse nuk është e detyrueshme, rezoluta ka peshë politike dhe reflekton perceptimin global. Ajo u miratua mes duartrokitjeve, me 120 vota pro, 45 abstenime dhe 14 kundër - ndër to edhe Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Në rezolutë nuk u përfshi një amendament i propozuar nga Kanadaja për të dënuar pa mëdyshje "sulmet terroriste" nga Hamasi dhe për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra nga grupi militant.
Kundër admiral Daniel Hagari, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, tha më herët se janë kryer sulme ajrore, që kanë patur si objektiv tunelet e Hamasit dhe objektiva të tjera.
“Në vazhdim të sulmeve që kemi kryer në ditët e fundit, trupat tokësore po zgjerojnë ndërhyrjen tyre gjatë mbrëmjes. Po ndërhyjmë me forcë të madhe për të arritur objektivat e luftës”, tha ai.
Kompanitë telefonike dhe Kryqi i Kuq konfirmuan se shërbimi i telefonisë celulare dhe internetit në Gazë është ndërprerë për shkak të bombardimeve izraelite.
Shërbimi u ndërpre të premten mbrëma, pas një sërë sulmesh të rënda ajrore në territor.
Organizata "Mjekët Pa Kufij" tha se ka humbur kontaktet me disa kolegë palestinezë dhe se është veçanërisht e shqetësuar për "pacientët, personelin mjekësor dhe mijëra familjet e strehuara në spitalin Al Shifa dhe objekte të tjera mjekësore".
Drejtuesja e programit të OKB-së për fëmijët, UNICEF, Catherine Russell, tha se agjencia e saj nuk mundet më të komunikojë me personelin në Gazë.
Izraeli ka dislokuar qindra mijëra trupa në kufirin me Gazën, në prag të një sulmi të mundshëm me trupa tokësore ndaj grupit militant të Hamasit.
Ministri izraelit i mbrojtjes tha të premten se Izraeli pret që së shpejti të kryejë një ofensivë afatgjatë dhe të vështirë me trupa tokësore në Gazë, duke shtuar se sulmi do të përfshijë edhe shkatërrimin e një sërë tunelesh që përdoren nga militantët e Hamasit.
Ministri i mbrojtjes, Yoav Gallant u tha gazetarëve të huaj se sulmi “do të marrë kohë” dhe do të pasohet nga një fazë e gjatë me luftime me intensitet më të ulët që Izraeli të shkatërrojë çdo pikë rezistence.
Komentet e tij duket se sinjalizojnë një faze të re të luftës, tre javë pas sulmit të befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit. Izraeli është kundëpërgjigjur me bomardime të rënda dhe të vazhdueshme në Gazë.
Izraeli thotë se synon të eliminojë Hamasin, por se si do ta bëjë këtë mbetet e paqartë. Izraeli thotë se nuk synon të qeverisë territorin e vogël me një popullsi prej 2,3 milionë palestinezësh, por jo se kush do ta qeverisë ata, edhe pse zoti Gallant la të kuptohet se forcat mund të përballen me një kryengritje të afatgjatë.
Ndërkohë, avionë luftarakë amerikanë, kryen sulme ajore ndaj objektivave në lindje të Sirisë, pas sulmeve ndaj forcave amerikane nga luftëtarë të mbështetur nga Irani, duke shtuar tensionet në rajon të nxitura nga konflikti tre javor në Gazë.
Që kur Izraeli nisi sulmet ajrore, në përgjigje të sulmit të grupit militant të Hamasit, në 7 tetor, numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në mbi 7300. Më shumë se 1400 banorë izraelitë janë vrarë, shumica civilë, gjatë sulmit të befasishëm të grupit militant të Hamasit, i sanksionuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. 229 persona, mes tyre te huaj, u morën peng nga militantët e Hamasit dhe po mbahen në Gazë. 4 prej pengjeve janë liruar.