Gjatë një sesioni emergjence të Qendrës kundër Financimit të Terrorizmit (TFTC), Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje këtë javë aleatëve në Lindjen e Mesme që të shtojnë përpjekjet për të ndërprerë financimet ndërkombëtare për Hamasin, organizatën që bëri sulmin masiv ndaj civilëve izraelitë më 7 tetor.
Departamenti amerikan i Thesarit u bëri thirrje vendeve anëtare të TFTC-së të përdorin influencën e tyre për të bërë më shumë për ndërprerjen e fondeve për Hamasin, që kontrollon Rripin e Gazës, ku banojnë 2.3 milionë palestinezë që po përjetojnë bombardime të vazhdueshme nga Izraeli që prej dy javësh.
Shtetet e Bashkuara e kanë klasifikuar Hamasin organizatë terroriste që nga viti 1997.
“Nga pikëpamja jonë, mosveprimi ndaj Hamasit dhe terrorizmit të tij, nuk i shërben popullit palestinez”, tha Nënsekretari i Thesarit për të Dhënat e Zbulimit për Terrorizmin dhe Financat, Brian Nelson, nëpërmjet një deklarate të shpërndarë të gjitha vendeve anëtare të qendrës TFTC të martën.
“Nga pikëpamja financiare, mund të shihet qartazi se Hamasi ka rënduar më tej vështirësitë ekonomike prej dekadash në Rripin e Gazës, duke devijuar ndihmat humanitare në mënyrë që ato të shkojnë në mbështetje të fushatës së tij të terrorit, dhe ne duhet t’i dënojmë publikisht këto veprime”, tha ai.
Në qendrën TFTC marrin pjesë Bahreini, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara.
Përshpejtohet axhenda e punimeve
Nënsekretari Nelson tha në deklaratën e tij se: “Nuk mund të tolerojmë një botë ku Hamasi dhe organizata të tjera terroriste ekzistojnë dhe veprojnë pa u ndëshkuar, duke abuzuar me sistemin financiar, për të mbështetur terrorin e tyre. Shtetet e Bashkuara nuk do ta tolerojnë një botë të tillë”.
E themeluar në vitin 2017, Qendra kundër Financimit të Terrorizmit (TFTC) e ka selinë në Riad dhe aty mblidhen zyrtarë nga vendet anëtare për të diskutuar mënyrat me të cilat mund të bashkëpunojnë për të pakësuar fondet që shkojnë drejt organizatave terroriste dhe për të luftuar pastrimin e parave në përgjithësi.
Takimi i kësaj jave, ishte planifikuar fillimisht për në muajin nëntor, por u bë më herët si rezultat i krizës në Izrael dhe në Gazë.
Vetëm një javë më parë, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi sanksione të reja kundër Hamasit, ndër të tjera edhe ndaj një “rrjeti investimesh sekrete” që tha se i ka sjellë shuma të mëdha këtij grupi.
Prioritete të reja
Jessica Davis, studiuese në Qendrën Soufan dhe eksperte për masat kundër financimit të terrorizmit, i tha Zërit të Amerikës se përpjekjet ndërkombëtare për të goditur burimet e financimit të Hamasit janë zbehur gjatë viteve të fundit, ndërsa u rrit perceptimi se nuk ishte më një kërcënim terrorist me rrezikshmërinë që kishte patur më përpara.
“Ky ishte qartësisht një gabim”, tha zonja Davis. “Ngjarjet e 7 tetorit demonstrojnë se Hamasi vazhdojnë të jetë problem. Dhe kjo do të ndryshojë përparësitë e disa vendeve dhe do të rigjallërojë përpjekjet për të ndalur financimin e tij”.
Shtetet e Bashkuara do t’u kërkojnë vendeve anëtare të TFTC-së, si dhe vendeve të tjera në rajon, që të përshpejtojnë veprimet e tyre. Një nga kërkesat do të jetë që vendet të ndërmarrin veprime të sinkronizuara për t’ia ndaluar Hamasit që të zhvendosë operacionet e financimit nga një vend në tjetrin, kur të fillojë të ndihet efekti i sanksioneve.
“Ka sigurisht shumë kanale të financimit të Hamasit që mund të mbyllen, dhe jo vetëm në Lindjen e Mesme”, tha ajo. “Historikisht, Hamasi ka mbajtur rrjete të gjera, duke tërhequr mbështetjen e organizatave të bamirësisë dhe rrjeteve mbështetëse të bazuara tek identiteti”.
“Ka shumë prej këtyre rrjeteve në mbarë botën”, tha zonja Davis. “Disa prej tyre janë më të vegjël, disa janë më të mëdhenj. Shumë prej tyre janë në Lindjen e Mesme, por shumë prej tyre gjendet edhe jashtë Lindjes së Mesme. Dhe tek këto mund të ketë ndikim komuniteti ndërkombëtar në këto momente”.
Mbyllja e këtyre rrjeteve, tha ajo, mund të ketë një ndikim domethënës tek Hamasi dhe kapacitetet e tij për të vazhduar operacionet.
Pikëpyetje ndaj ndihmave për Gazën
Të mërkurën, Komisioni për Mbikqyrjen i drejtuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, i dërgoi një letër administratës së Presidentit Biden duke i bërë thirrje USAID-it (Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar) që të ofrojë të gjitha garancitë se ndihmat humanitare për popullin e Rripit të Gazës nuk do të bien në duart e Hamasit, apo organizatave të tjera që konsiderohen grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Letra drejtuar Administratores së USAID-it, Samantha Power, u firmos nga 24 anëtarët republikanë të komisionit, përfshirë Kryetarin James Comer.
“Shkalla dhe kompleksiteti i mizorive barbare të Hamasit që filluan më 7 tetor në Izrael, e bëjnë të qartë se për këto sulme u përdorën burime domethënëse financiare”, thuhet në letër.
Letra vë në dukje se gjatë periudhës së administratës së ish-Presidentit Trump, ndihmat për Gazën u pakësuan ndjeshëm për shkak të vështirësive për të verifikuar se nuk po përdorej në të mirë të Hamasit, një qëndrim ky që u ndryshua më pas nga administrata e Presidentit Biden.
Duke paraqitur kërkesën e komisionit për informacion nga USAID-i, letra thekson se sulmet e Hamasit kanë dëmtuar drejtpërsëdrejti jo vetëm shtetas izraelitë, por edhe shtetas amerikanë.
“Mizoritë më të fundit të bëra nga Hamasi kanë rezultuar në një numër domethënës dhe në rritje vdekjesh dhe lëndimesh, përfshirë dhjetëra viktima amerikane dhe pengje”, thuhet në letër. “Ky episod nënvizon rëndësinë jetike që të sigurohemi se fondet nuk rrisin rrjedhimisht mbështetjen financiare për aktivitetin terrorist”.
“Nëse dollarët e takspaguesve amerikanë po financojnë aktivitete terroriste, Administrata Biden duhet ta ndalë një ndihmë të tillë, me qëllimin që të mbrojë amerikanët dhe aleatët tanë”, shkruhet në letër.