Çështja e Nagorno-Karabakut dhe marrëdhëniet Armeni-Turqi

  • Dorian Jones

Rimarrja nga Azerbajxhani e enklavës së Nagorno-Karabakut, e cila kontrollohej nga banorët armenë mund të çojë në rihapjen e kufirit të Turqisë me Armeninë pas më shumë se 30 vjetësh. Por, siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit e Amerikës Dorian Jones, Rusia mund ta dëmtojë këtë përpjekje.

Your browser doesn’t support HTML5

Çështja e Nagorno-Karabakut dhe marrëdhëniet Armeni-Turqi

Turqia mbylli kufirin e saj me Armeninë në vitin 1993, pasi armenët pushtuan enklavën e debatueshme të Nagorno-Karabakut nga aleati i ngushtë i Turqisë, Azerbajxhani.

Pasi forcat e Azerbajxhanit rimorën enklavën muajin e kaluar, disa analistë thonë se ekziston një mundësi për t'i dhënë fund embargos së Turqisë, që ka dëmtuar ekonominë e Armenisë dhe e ka detyruar atë të mbështetet në Rusinë fqinje.

“Turqia mund të luajë një rol shumë pozitiv për zhvillimin ekonomik të Armenisë. Armenët duhet të bëjnë një zgjedhje midis varfërisë dhe begatisë. Qëndrimi konfrontues mund të rrisë më tej varfërinë, ndërsa angazhimi begatinë”, thotë Huseyin Bagci nga Instituti i Politikës së Jashtme.

Në një shenjë të përmirësimit të marrëdhënieve, Ankaraja hapi kufirin e saj për të lejuar ndihmën armene pas tërmeteve vdekjeprurëse të shkurtit në Turqi.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan pas fitores në zgjedhjet e majit.

Për të rihapur kufirin armen, Ankaraja kërkon që Jerevani të njohë kufirin turk dhe të arrijë një marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin. Disa analistë thonë se Jerevani është gati për një marrëveshje pasi synon të shkëputet nga ndikimi i Rusisë. Përfundimi i luftës në Nagorno-Karabak është një hap i madh në këtë drejtim.

“Ekonomia po ecën në drejtimin e duhur. Kthimi nga perëndimi dhe procesi i demokratizimit po ecin në drejtimin e duhur. E vetmja gjë që mund të jetë pengesë është kërcënimi për luftë. Nëse ky kërcënim hiqet, gjërat mund të lehtësohen dhe zhvillimi ekonomik mund të përshpejtohet”, thotë analisti Eric Hacopian.

Por analistët thonë se një mundësi për arritjen e një marrëveshje paqeje midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian këtë muaj, u bë viktimë e grindjeve diplomatike midis udhëheqësve të BE-së dhe Turqisë.

“Azerbajxhani tha se Turqia duhet të jetë e pranishme në bisedime, një propozim që gjermanët dhe francezët e kundërshtuan. Unë prisja që evropianët, veçanërisht francezët, të punonin me Turqinë dhe ta nxirrnin Armeninë nga orbita e Rusisë”, thotë Soli Ozel, nga Universiteti Kadir Has.

Ekspertët thonë se presidenti rus Vladimir Putin e shfrytëzoi shpejt mundësinë për ta afruar Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev me Moskën, duke e ftuar atë në një takim rajonal në Kirgistan, ku udhëheqësi rus ofroi ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje. Por Armenia nuk e pranoi këtë propozim.

“Rusia gjithmonë ka luajtur me këto kontradikta dhe pakënaqësi reciproke. Kjo është një politikë tipike përça dhe sundo, e cila përdorej edhe nga Rusia cariste dhe Bashkimi Sovjetik. Pra, ajo ka rrënjë shumë të thella historike. Mendoj se Moska do të bënte gjithçka për të krijuar paqëndrueshmëri kudo”, thotë ekspertja Tatiana Mitrova nga Shkolla e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris.

Rimarrja e enklavës së Nagorno Karabakut nga Azerbajxhani mund të çojë në rihapjen e kufirit të Turqisë me Armeninë pas tre dekadash, por ekspertët paralajmërojnë se Moska mund t'i dëmtojë këto përpjekje, veçanërisht pas dështimit të nismës së Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.