Kaliforni, banorët e lagjes Arabia e Vogël mbështesin palestinezët, dënojnë Hamasin

Në qarkun Orange në Kaliforni, ndodhet një lagje që njihet me emrin Arabia e Vogël sepse banorët e saj kanë kryesisht palestinezë dhe afganë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Angelina Bagdasaryan bisedoi me disa banorë të kësaj lagjeje për situatën në Lindjen e Mesme.

Për shumë vite, kjo lagje në qarkun Orange është quajtur Gaza ose Arabia e Vogël sepse shumica e banorëve të saj janë palestinezë dhe afganë.

Familja e Mustafa Alamit, me prejardhje nga Libani, dy dekada më parë hapi një biznes në lagjen Arabia e Vogël. Sot ai dhe pronarët e tjerë të bizneseve po vendosin flamurin palestinez në mbështetje të civilëve në Rripin e Gazës.

“Kam shumë miq këtu, të cilët kanë ardhur nga Rripi i Gazës dhe janë klientë të biznesit tim. Ky flamur është një tregues i mbështetjes tonë për Rripin e Gazës”, thotë ai.

Në vitet 1990 në qarkun Orange mbahej Festivali i përvitshëm Arabo-Amerikan. Por, pas sulmeve të terroriste të 11 shtatorit 2001, ai u anulua për shkak të ndjenjave anti-myslimane që mbizotëronin në atë kohë.

Palestinezo-amerikanja Mirvette Judeh thotë se reagimi i tanishëm ndaj sulmit të Hamasit në Izrael i kujton asaj reagimet ndaj myslimanëve pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

“Nuk ndjehem e sigurt. Kam jetuar këtu edhe në kohën e sulmeve të 11 shtatorit 2001, kur vëllezërit dhe motrat e mija ndiqeshin në shkollën fillore nga nxënësit e tjerë dhe quheshin terroristë. Jam sërish këtu, por tani janë shtuar epitetet negative, më quajnë kafshë, të neveritshme, terroriste, mbështetëse të Hamasit”, thotë ajo.

Zonja Judeh, së bashku me anëtarë të tjerë të komunitetit palestinez shkuan tek zyra e ligjvënëses Katie Porter, për të kërkuar mbështetjen e saj për komunitetin arab. Zonja Judeh dënoi sulmin e Hamasit në Izrael.

“Natyrisht, e dënojë atë që bëri Hamasi. Hamasi nuk mund të barazohet me palestinezët. Për mua çdo jetë njeriu është e rëndësishme, qoftë izraelit apo palestinez”, thotë ajo.

Aktivisti Rashad al-Dabbagh po udhëheq përpjekjet për t’ia dhënë edhe zyrtarisht lagjes emrin Arabia e Vogël. Babai i tij ka lindur në Gazë dhe më vonë ka emigruar në Shtetet e Bashkuara me familjen e tij.

“Ne jemi mbledhur sot këtu para zyrës së ligjvënëses Katie Porter sepse duam që ajo të flasë kundër sulmeve ndaj banorëve palestinezë në Rripin e Gazës”, thotë ai.

Ndonëse ligjvënësja Porter nuk ndodhej në zyrë, anëtarët e komuniteti palestinezo-amerikan thanë se personeli i zyrës së saj i dëgjoi shqetësimet e tyre.

Ndërkohë, banorët e lagjes Arabia e Vogël thonë se ata do të vazhdojnë të dënojnë dhunën dhe njëkohësisht do të bëjnë thirrje për paqe në Lindjen e Mesme.