Zëvendëskryeministri i Serbisë tha se pajisjet ushtarake kineze kanë forcuar ndjeshëm forcat e armatosura serbe, posaçërisht në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe me dronë.
“Për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, tha Milosh Vuçeviç, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes i Serbisë në një intervistë për mediumin e kontrolluar nga shteti Global Times, që u botua të dielën.
Vuçeviç tha se përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura kanë për qëllim mbrojtjen.
Presidenti i Kinës Xi Jinping, bëri thirrje për një bashkërendim më të fortë strategjik me "mikun e çeliktë" Serbinë, kur takoi presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje ndaj Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.
Ministri Vuçeviç tha se sistemi i raketave kundërajrore kineze me rreze të mesme veprimi FK-3 dhe fluturaket pa pilot CH-95 dhe CH-92A, janë "pa dyshim" ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte marrë Serbia.
Vendi ballkanik shfaqi raketat tokë-ajër të prodhuara nga Kina së bashku me pajisje të tjera ushtarake të blera nga Rusia dhe Perëndimi, në prill të vitit të kaluar.
Lexoni edhe këtë Serbia shfaq raketat kineze mes shqetësimit në rritje për ndikimin rus në BallkanNë vitin 2019 Serbia bleu sistemin e mbrojtjes tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin rus S-300 ose sistemin amerikan Patriot. Ajo e mori sistemin vitin e kaluar.
Tensionet kanë qenë të larta në muajt e fundit midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia, e cila tradicionalisht mbështet Serbinë, kanë thënë se po e vëzhgojnë situatën.
Ministri Vuçeviç tha se Serbia do të rrisë aftësitë e saj për të mbrojtur pavarësinë, por nuk shpjegoi nëse do të merrte më shumë pajisje ushtarake kineze.
Megjithatë, ai tha se ishte i sigurt që të dyja vendet do të zhvillonin marrëdhëniet e tyre, pasi Kina ishte një nga miqtë "më të besueshëm" të Serbisë.