Në qytetet evropiane, marshime kundër antisemitizmit dhe protesta pro-palestineze

Britain Israel Palestinians

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Berlinit dhe Londrës të dielën për të protestuar kundër antisemitizmit dhe në mbështetje të Izraelit, ndërsa në Paris dhe qytete të tjera, mijëra demonstrues pro-palestinezë bënë thirrje për armëpushim dhe ndihma për banorët e Rripit të Gazës.

Disa nga ata që u mblodhën përpara Portës së Brandenburgut në Berlin mbanin flamuj izraelitë ose fotografi të disa prej më shumë se 200 personave të kapur nga Hamasi si pengje gjatë sulmit vdekjeprurës të militantëve në Izrael më 7 tetor.

“Është dëshpëruese që hebrenjtë po jetojnë sërish në frikë sot – dhe në vendin tonë mbi të gjitha”, tha Presidenti Frank-Walter Steinmeier para demonstruesve që sipas organizatorëve ishin rreth 20 mijë, ndërsa sipas policisë 10 mijë.

“Edhe një sulm i vetëm ndaj hebrenjve, ndaj institucioneve hebraike është një turp për Gjermaninë. Çdo sulm i tillë më mbush me turp dhe zemërim.”

Më herët, kancelari gjerman Olaf Scholz përuroi një sinagogë të re në qytetin lindor të Dessaut dhe tha se ishte "i zemëruar" nga rritja e antisemitizmit që nga fillimi i konfliktit.

Në dyert dhe muret e disa ndërtesave në Berlin, ku jetojnë hebrenjtë, ishte vizatuar ylli i Davidit, ndërsa një sinagogë në Berlin u godit me dy kokteje molotov javën e kaluar.

Kancelari Scholz tha se motoja “kurrë më” duhet të jetë e pathyeshme, sidomos në Gjermani.

Në një tubim, në të cilin morën pjesë mijëra vetë në sheshin Trafalgar të Londrës, pjesëmarrësit mbanin fotografi të pengjeve dhe të personave të zhdukur. Ata brohorisnin "sillini në shtëpi", duke mbajtur heshtje kur lexoheshin emrat e pengjeve.

Britani, marshim kundër dhunës së Hamasit në Izrael

Përfaqësues si nga Partia Konservatore në pushtet ashtu edhe nga Partia Laburiste e opozitës iu drejtuan turmës.

Sekretari i Komuniteteve, Michael Gove, tha se sulmi i Hamasit më 7 tetor ishte një akt "ligësie dhe barbarizmi të pashembullt". “Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tij. Ne duhet t'i sjellim pengjet në shtëpi”, tha ai.

Qindra njerëz u mblodhën para zyrave të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë për të kërkuar lirimin e pengjeve. Ndërkohë rreth 4,500 demonstrues pro-palestinezë marshuan në qytetin e Lozanës, tha policia.

Lufta ka ngritur tensione në mbarë botën, duke i bërë komunitetet hebraike dhe myslimane të ndjehen të pambrojtura. Policia Metropolitane e Londrës thotë se raportimet për veprimet antisemitiste në tetor janë rritur 13 herë në krahasim me vitin e kaluar. Raportet për krime anti-myslimane janë dyfishuar.

Tubimet e së dielës erdhën një ditë pasi dhjetëra mijëra demonstrues pro-palestinezë – 100 mijë sipas vlerësimeve të policisë – marshuan në kryeqytetin britanik për të kërkuar nga Izraeli që të ndalonte bombardimet në Gaza, që filluan në përgjigje të inkursionit brutal të Hamasit.

Në Francë, e cila ka komunitetet më të mëdha hebraike dhe myslimane në Evropë, mijëra demonstrues u mblodhën në Paris për të kërkuar që Izraeli të ndalë sulmet në Gaza. Policia vlerësoi se 15 mijë vetë morën pjesë.

Disa prej tyre valëvisnin flamurin palestinez dhe u ngjitën në statujën që ndodhet në sheshin Republika të qytetit të Parisit. Një parullë që po mbanin protestuesit kishte mbishkrimin “Ndaloni masakrimin e Gazës. Franca duhet të bëjë thirrje për armëpushim të menjëhershmëm”.

Protesta pro-palestineze në Paris

Organizatorët e protestës, përfshirë grupet palestineze dhe myslimane, shoqatat e paqes, punëtorë, studentë dhe parti politike të majta, dënuan sulmin e Hamasit ndaj civilëve, duke i bërë thirrje grupit militant që të lirojë të gjitha pengjet. Ata gjithashtu i bënë thirrje Izraelit që të ndalë sulmet ndaj Rripit të Gazës.

Sarah Alaoui, një studente 23 vjeçare me origjinë nga Maroku, tha se ajo “mbështeste popullin palestinez sepse ai ka vuajtur për një kohë shumë të gjatë”.

“Ndihma humanitare nuk është e mjaftueshme. Palestinezët duhet të kenë një jetë normale dhe shtetin e tyre”, thotë ajo.

Protesta pro-palestineze në Paris

Nicole Pomier, një banore 49 vjeçare e Parisit dhe aktiviste, tha se ishte e kënaqur që autoritetet nuk e ndaluan protestën.

“Ne duam të jemi në gjendje të mbështesim popullin palestinez pa patur frikë nga mundësia e arrestimit nga policia”, tha ajo.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin kishte urdhëruar ndalimin e protestave pro-palestineze, para se autoritetet të vendosnin që për mbajtjen e tyre duhej të vendosnin autoritetet lokale.

Grupet hebraike u mblodhën të dielën më vonë në Paris për të bërë thirrje për lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

Sipas policisë, një turmë prej 12 mijë njerëzish u mblodh para institucioneve të Bashkimit Evropian në Bruksel për një protestë të organizuara nga sindikatat e tregtisë, organizatat e krishtera dhe lëvizjet pro-arabe.

Mijëra njerëz morën pjesë në një protestë në rrugët e Sarajevës, ku disa protestues bënë një krahasim mes situatës në Rripin e Gazës dhe vuajtjeve të boshnjakëve, shumica prej tyre të besimit mysliman, gjatë luftës së viteve 1992-1995.

“Ajo që po ndodhë në Rripin e Gazës është thjeshtë një tragjedi njerëzore, ndëshkim kolektiv, krim lufte. Këto gjëra duhet të thuhen sepse përfaqësojnë atë që po ndodhë”, tha Nabil Naser, një mjek palestinez, i cili ka punuar në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje.

Protesta kundër luftës në Rripin e Gazës pati edhe në Beograd dhe në Podgoricë.