Organizata Evropiane për Studime Bërthamore hap një qendër të re

Laboratori i Qendrës Evropiane të Studimit Bërthamor në Gjenevë, një nga qendrat më të mëdha të copëtimit të atomeve në botë, i njohur si CERN, ka hapur një qendër të re studimi. Qendra e re, e quajtura “Porta e Shkencës”, shpreson t'i bëjë konceptet e ndërlikuara shkencore të kuptueshme dhe frymëzuese për të gjithë të njerëzit e moshës 5 vjeç e lart.

Your browser doesn’t support HTML5

Organizata Evropiane për Studime Bërthamore hap një qendër të re


Për të pritur më mirë dhjetëra mijëra turistë në vit, drejtuesit e Organizatës Evropiane për Studime Bërthamore thonë se përmirësimi i infrastrukturës dhe hapja e një qendre të re në laboratorin, që ndodhet pranë kufrit franko-zviceran, ishin të nevojshme.

“Me qendrën “Porta e Shkencës”, ne duam të zgjerojmë mundësitë për arsimin shkencor, që i ofrojmë publikut”, shpjegon drejtorja Fabiola Gianotti, e cila për ndërtimin e qendrës së re angazhoi arkitektin italian Renzo Piano.

Hyrja në qendrën e re do të jetë falas dhe një nga qëllimet kryesore të saj është "frymëzimi i të rinve që të ndjekin një karrierë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë", thotë zonja Gianotti.

Deri tani, Qendra Evropiane për Studime Bërthamore, CERN, ishte në gjendje të plotësonte vetëm 150 mijë nga 300 mijë kërkesat për vizita nga turistët në vit. Hapja e qendrës së re, “Porta e Shkencës” do ta bëjë të mundur pritjen e 500 mijë vizitorëve në vit, thotë zonja Gianotti.

Në ceremoninë e hapjes së qendrës së re, përveç zonjës Gianotti dhe zotit Piano, morën pjesë edhe personalitete të tjera, duke përfshirë fotografin e famshëm brazilian Sebastiao Salgado dhe John Elkann, kryetarin e prodhuesit të makinave, “Stellantis”, i cili financoi pothuajse gjysmën e projektit.

I tërhequr nga projekti, arkitekti Renzo Piano thotë se ai gjithmonë fillimisht i viziton vendet para se të projektojë një strukturë të re.

“Pra, erdha në CERN, vizitova laboratorët, bisedova me njerëz dhe shencëtarë dhe e kuptova se atyre u duhej një urë e vërtetë, por metaforike, që lidh botën e një shkencëtari me botën e jashtme.”

Arktitekti Piano thotë se ai ishte "i prekur" nga puna "e pabesueshme" e shkencëtarëve të Qendrës Evropian për Studime Bërthamore, që eksplorojnë gjithçka, nga grimcat më të vogla atomike deri tek teoria “Big Bang”, gjë që ndihmon për të kuptuar "se Toka është një anije kozmike e vogël, në të cilën ndodhen të gjithë njerëzit.”

Qendra CERN, e cila ka një përshpejtues gjigant të grimcave, që ndodhet në një lak nëntokësor 27 kilometra të gjatë rreth qytetit të Gjenevës, tërhoqi vëmendjen e globit në vitin 2012 pasi shkencëtarët e saj konfirmuan ekzistencën e grimcës Higgs, të ashtuquajturën "grimca e Zotit".

Qendra “Porta e Shkencës” u projektua në vitin 2018 dhe ndërtimi i saj, që kushtoi 110 milionë dollarë, filloi pak më shumë se dy vjet më parë.


CERN po përgatit një projekt shumëvjeçar miliarda dollarësh për të ndërtuar një "Përshpejtues Rrethor të së Ardhmes" me një tunel rreth 100 kilometra të gjatë. Shkencëtarët shpresojnë që puna për ndërtimin e platformës së re do të përfundojë në vitin 2040.