Beteja e 80 vjeçares Lumturi Lavdari me kancerin e gjirit

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, forma më e shpeshtë e kancerit tek gratë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit në botë shtohen mbi 2.3 milionë raste me kancer të gjirit.

Në fillim të këtij viti me këtë sëmundje u diagnostikua edhe Lumturie Lavdari, një shqiptaro amerikane që jeton në shtetin Masaçusets.

Beteja e saj me kancerin që u diagnostikua në fazat e hershme, zgjati pak muaj.

Kolegu Burim Goxhuli ishte në Masaçusets, prej nga sjell rrëfimin e zonjës Lavdari.

Your browser doesn’t support HTML5

Beteja e 80 vjeçares Lumturi Lavdari me kancerin e gjirit


Lumturi Lavdari, e diagnostikuar në maj me kancer të gjirit, thotë se njeriu kurrë nuk është gati për një lajm të tillë.

Megjithatë, 80 vjeçarja thotë se me ndihmën e familjes, shoqërisë dhe mjekëve, arriti ta fitojë betejën me këtë sëmundje.

“Është e vështirë. Unë kur e mora vesh, thashë me vete jo nuk mund të jetë e vërtetë! Sepse nuk ndjeja ndonjë shqetësim të madh në organizëm. Për momentin u habita. Kancer thash me vete! E mbajta veten. Më erdhi shumë papritur. Pastaj thashë, unë kam fëmijë, edhe mosha e bën të veten. Nuk dua të shqetësoj njeri dhe nuk e mora me shumë shqetësim”, rrëfen zonja Lavdari për Zërin e Amerikës.

Beteja e zonjës Lavdari me kancerin e gjirit zgjati vetëm pak muaj. Diagnostikimi i hershëm i sëmundjes e bëri më të lehtë luftën për të.

Valbona, vajza e zonjës Lavdari që edhe kujdeset për të, thotë se diagnostikimi i nënës së saj ishte krejt i rastësishëm.

“Ishte fat i madh që mami u ankua nga diçka tjetër dhe ne vajtëm në urgjencë atë ditë. Krejt rastësisht doli që mami kishte kancer në gji. Por kjo bëri një ndryshim shumë të madh, fakti se ishte në etapën e parë, sepse nuk bëri kimio-terapi, që është një gjë shumë e mrekullueshme, sidomos për moshën e saj. Por, iu desh të bëj vetëm një operacion të vogël, 45-50 minuta dhe vetëm pesë ditë rreze”, thotë ajo.

Udhëzimet e fundit të publikuara në fillim të vitit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se diagnostikimi i kancerit të gjirit brenda 60 ditëve të para nga shfaqja e sëmundjes dhe nisja e trajtimit brenda tre muajsh nga shfaqja e sëmundjes, rrisin shanset për ta mposhtur atë.

Gjithkush mund të preket nga kjo sëmundje, prandaj zonja Lumturi bën thirrje që të prekurit nga kanceri të trajtohen me kujdes nga institucionet dhe shoqëria.

“Për mua dita e sotme është vlerësim, sikur edhe një orë jetë është shumë. Ne të kancerit përkëdhelemi ose duam fjalën e mirë. Pastaj për gjtihçka tjetër sakrifikojnë njerëzit e shtëpisë, shoqëria, organizatat, Amerika, Shqipëria, që të ndihmojmë, se sot më ra mua nesër nuk i dihet kujt i bie. Nuk e dëshirojmë atë, por duhet të vësh veten në pozitat e të sëmurit që t’i qash hallin të sëmurit”, thotë zonja Lavdari.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit në botë shtohen mbi 2.3 milionë raste me kancer të gjirit, gjë që e bën këtë formë të kancerit më të përhapurën ndër të rritur.

Në 95 për qind të vendeve të botës, kanceri i gjirit është shkaktari i parë ose i dytë i vdekjes së grave që vuajnë nga kanceri.

Dr. Agim Aliaj, drejtor i departamentit të kirurgjisë robotike në spitalin “Brigham and Women” thotë se kujdesi për shëndetin dhe kontrollet e vazhdueshme janë arma më e fortë kundër kancerit.

“Në qoftëse keni histori të kancerit të gjirit në familje , në qoftëse jeni mbipeshë, nëse pini alkool, në qoftëse nuk keni një jetë normale, nuk bëni ushtrime fizike, stresi gjithashtu, atëhere ti duhet të fillosh të bësh mamografinë sa më shpejt. Mamografia bëhet në dy grupe pacientësh. Ata që e kanë rrezikun më të lartë, që duhet ta bëjnë shumë më shpejtë dhe grupi tjetër i pacientëve që është kontrolli i zakonshëm që duhet bërë”, thotë dr. Aliaj.

Sipas organizatës American Cancer Society”, kanceri i gjirit shfaqet kryesisht tek gratë e moshës së mesme dhe ato të moshuara.

Ky rrjet thekson se mosha mesatare e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit është 62 vjeç.

Një numër i vogël i grave që diagnostikohen me kancer gjiri janë më të reja se 45 vjeç.

Në përgjithësi, sipas ekspertëve, mesatarja e rrezikut që një grua në Shtetet e Bashkuara të sëmuret me kancer gjiri gjatë jetës së saj është rreth 13 për qind.

Kjo nënkupton se një në tetë gra rrezikon të preket nga kanceri i gjirit. Një tjetër sfidë për të prekurit me kancer të gjirit është stigma për këtë sëmundje.

“Me mamin isha shumë e drejtpëdrejt. Me terezi ia thashë që mami ke një masë dhe se ata dyshojnë që mund të jetë negative, por mund të jetë edhe kancer. Me qetësi, por ia thashë. Në fillim mami nuk u thoshte të tjerëve. Por pastaj gradualisht, u ambientua dhe e përdor tani këtë fjalë pa problem. Nuk e shikon më si një stigma, ose e sheh shumë më pak në krahasim me fillimin”, shpjegon Valbona Lavdari ndërsa flet mbi përvojën e nënës së saj.

Mungesa e diskutimeve të hapura mbi kancerin dhe keqinformimi e vështirësojnë betejën e të prekurve, thotë Dr. Aliaj.

“Unë mendoj se është mungesa e informacionit, është frika ndaj emrit, njëkohësisht është edhe tradita jonë që na bën një çik më të mbledhur për të përballuar situata të tilla. Fakti është fakt, nëse jeni i sëmurë me kance,r jeni i sëmurë me kancer. Por ti duhet ta dish që kjo sëmundje nuk zgjidhet duke u fshehur. Por kjo sëmundje zgjidhet duke u përballuar, duke e luftuar”, thotë zoti Aliaj për Zërin e Amerikës.

Luftimi i stigmës është një nga qëllimet kryesore të organizatës “Albanians Fighting Cancer”, e përbërë na ekspertë shqiptaro-amerikanë të fushave të ndryshme në Masaqusets.


Kjo organizatë vullnetare ndihmon shqiptarët në këtë shtet amerikan por edhe vende tjera që vuajnë nga kanceri.

“Që nga momenti i parë që pacienti diagnostikohet me kancer, neve në organizatën tonë kemi një person që është përgjegjës për anën financiare, një person përgjegjës për të mbuluar anën e sigurimit, kemi një grup tjetër për mbështetjen shëndetësore teknike më të mirë, gjithashtu kemi edhe një person tejtër i cili është përgjegjës për ushqimi sepse dieta kur jeni me kancer ndryshon shumë. Ky grup njerëzish ka edhe barrierën e gjuhës. Ata ndjehen shumë të lumtur dhe të kënaqur kur kanë një njeri që u flet gjuhën e tyre, u shpjegon gjithçka. U thotë se si do të jetë e ardhmja, u thotë se jemi me juve deri në momentin e fundit, por njëkohësisht të jep këshillat e duhura si duhet luftuar kjo sëmundje”, thotë Dr. Aliaj.

Ditë më parë organizata “Albanians Fighting Cancer” shënoi katër vjetorin e themelimit.