SHBA, sanksione ndaj anëtarëve të familjes dhe të mbështetësve të Milorad Dodikut

  • VOA

Departamentit i Thesarit njoftoi se ka sanksionuar dy individë dhe katër entitete të Republikës Serbe të Bosnjes që i konsideron, si rrjet i mbështetësve të Presidentit Milorad Dodik.

Sipas Departamentit të Thesarit anëtarët e këtij rrjeti, të cilët përfshijnë fëmijët e Milorad Dodikut, Igor Dodik dhe vajza e tij Gorica Dodik, janë përfshirë në akte korrupsioni duke i mundësuar atij të marrë fonde publike e të pasurojë veten dhe familjen e tij.

Sanksionet e sotme parashikojnë bllokimin e gjithë pasurive që këta persona kanë në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Thesarit thekson se që nga viti 2021, Dodik ka përfshirë gjithnjë e më shumë djalin dhe vajzën e tij në aktivitete politike dhe biznesi brenda Republikes Serbe, duke shkaktuar shqetësim se Republika Serbe e Bosnjes po kthehet në një biznes familjar të Dodikut.

Milorad Dodik njihet gjerësisht për thirrjen dhe mbështetjen e hapur për transferimin e njëanshëm të kompetencave shtetërore nga qeveria e Bosnje Hercegovinës tek Republika Serbe.

Në deklaratën publike të Departamentit të Thesarit thuhet se Dodik ka përdorur pozicionin e tij zyrtar në Bosnje Hercegovinë, si dhe një rrjet lidhjesh personale e kompani private, për përfitimeve personale, nëpërmjet përdorimit të parave publike, marrjes së ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij përçarëse etno-nacionaliste, thuhet në deklaratë, pasqyron përpjekjet e tij për të çuar përpara këto synime politike dhe për të larguar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Dodik ka denigruar publikisht grupet e tjera etnike dhe fetare brenda Bosnje dhe Hercegovinës, duke thelluar më tej përçarjen dhe ngërçin politik, thekson me tej deklarata.

"Me mbështetjen financiare dhe politike të individëve dhe subjekteve të përcaktuar sot, Dodik është përfshirë në korrupsion për të siguruar stabilitetin e tij personal financiar dhe politik, në kurriz të qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës që jetojnë në Republikën Serbe", tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare Brian E. Nelson. “Ne do të vazhdojmë të mbajmë përgjegjës të gjithë ata të cilët me veprimet e tyre kontribuojnë në degradimin dhe minimin e institucioneve në Bosnje dhe Hercegovinë në Ballkanin Perëndimor, si dhe në minimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj Milorad Dodikut që më 17 korrik të vitit 2017 për pengim të zbatimit Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Ai është sanksionuar për herë të dytë, më 5 janar të vitit 2022 si përgjegjës apo bashkëpunëtor, për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit, si dhe për aktivitete korruptive.

Sanksionet e sotme nga Departamenti i Thesarit u shtohen listës së kufizimeve të mparshme ndaj tij nga Departamenti i Shtetit, që nuk e lejojnë të hyjë në territorin amerikan. Sanksionet janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të qeverisë amerikane në mbështetje të paqes, stabilitetin dhe qeverisjen funksionale e demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.