Masat më të fundit të Uashingtonit që zgjerojnë kontrollin ndaj eksportit të gjysmëpërçuesve të avancuar, përfshirë ato që nevojiten për inteligjencën artificiale, si dhe pajisjet e prodhimit të tyre, do t’ia vështirësojnë Kinës zhvillimin në këtë sektor, thonë analistët.
Emily Benson, drejtore e Programit për Tregtinë dhe Teknologjinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha për Shërbimin në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës se Kina nuk duhet të habitet nga rregullat e shpallura këtë javë, sepse ato nuk përbëjnë ndonjë shmangie të madhe nga ato të propozuara tetorin e kaluar.
Ajo tha se rregullat e reja sigurojnë qartësi në lidhje me qëllimet e masave origjinale dhe ndalimi i gjysmëpërçuesve ishte një shqetësim i hershëm.
Masat më të fundit, të shpallura të martën, zgjerojnë kufizimet ndaj eksportit të gjysmëpërçuesve të avancuar dhe hyjnë në fuqi brenda 30 ditësh. Ato kufizojnë gjithashtu eksportin e pajisjeve dhe mjeteve për prodhimin e gjysmëpërçuesve në vende të tjera, duke përfshirë Rusinë dhe Iranin, masë kjo për të parandaluar transportimin e gjysmëpërcuesve të avancuar në Kinë.
Shtetet e Bashkuara futën gjithashtu kompanitë ‘Moore Thread’ dhe ‘Biren Technology’, dy prodhues kinezë të gjysmëpërçuesve grafikë, në listën e kompanive biznesi me të cilat është i kufizuar. Një vendim i tillë ka potencialin t'i ndalojë ata dhe 13 filialet e tyre, të kenë qasje në pajisje të tilla sikurse programi amerikan që skicon gjysmërpërçuesit.
Lista, e publikuar nga Departamenti Amerikan i Tregtisë, përfshin aktualisht gjigantin kinez të telekomunikacionit ‘Huawei Technologies’ dhe prodhuesin kinez të gjysmëpërçuesve grafikë ‘Yangtze Technologies’.
Masat e reja mbyllin hendekun në rregulloret e lëshuara tetorin e kaluar dhe do të përditësohen "të paktën çdo vit", tha të hënën Sekretarja e Departamentit të Tregtisë Gina Raimondo. Agjencia ‘Reuters’ njoftoi rse një zëdhënës i Ambasadës Kineze në Uashington tha se Pekini "kundërshton me vendosmëri" kufizimet e reja. Kompanitë ‘Moore Threads’ dhe “Biren Technology” lëshuan deklarata duke protestuar ndaj rregullave të reja.
Wang Shiow-wen, studiuese në Institutin për Kërkime në Fushën e Mbrojtjes Kombëtare dhe Sigurisë së Tajvanit, tha se lëvizja e fundit nga Uashingtoni tregon vendosmërinë e tij, për të bllokuar Pekinin që të sigurojë mjetet e nevojshme që i duhen për prodhimin e inteligjencës artificiale nga çdo burim.
"Mendoj se ajo që Shtetet e Bashkuara po bëjnë gradualisht, ështët një sulm më preciz, nëse do të përdorja terma ushtarakë, që do të thotë se tani po trajton këtë gjë, me më shumë kujdes", thotë ajo.
Zonja Wang thotë se nxjerrja papritur në muajin gusht në treg nga kompania kineze Huawei e telefonave të rinj celularë, ‘Mate 60’ dhe ‘Mate 60 Pro’, duke përdorur teknologjinë e avancuar 7-nanometër mund të ketë nxitur vendosjen e masave të reja kufizuese mbi gjysmëpërçuesit.
Zonja Raimondo e quajti zhvillimin e kompanisë Huawei "tepër shqetësues". Ajo tha në një seancë dëgjimore të Komisionit të Tregtisë në Senat më 4 tetor se “Ne kemi nevojë për mjete të ndryshme. … Ne kemi nevojë për burime shtesë për zbatimin e masave kufizuese.”
"Ne nuk duam të jemi më kufizues sesa duhet", tha zonja Raimondo në një konferencë shtypi më 17 tetor. "Kontrollet e eksportit nuk synojnë të dëmtojnë rritjen ekonomike të Kinës."
Por analistët thonë se Shtetet e Bashkuara duket se po bllokojnë industrinë e gjysmëpërçuesve të Kinës, sepse nëse teknologjitë e Kinës vazhdojnë të përparojnë, ato mund të prodhojnë teknologji të reja dhe të thyejnë kufizimet e Shteteve të Bashkuara, duke prodhuar gjysmëpërçuesë më të sofistikuar.
Ata përmendin dy zhvillime të fundit që duken të dobishme për Kinën, por që punojnë kundër saj në zhvillimin afatgjatë të industrisë së gjysmëpërçuesve.
Më 13 tetor, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të lejojnë kompanitë SK Hynix dhe Samsung nga Koreja e Jugut, që të vazhdojnë të përdorin disa pajisje të rëndësishme amerikane për prodhimin e gjysmëpërçuesve në fabrikat e tyre në Kinë.
Në të njëjtën ditë, kompania tajvaneze TSMC, prodhuesi më i gjysmëpërçuesve në botë, tha se priste të merrte autorizimin e përhershëm për të vazhduar punën në një fabrikë të prodhimit të gjysmëpërçuesve në Nanjing.
Sipas gazetës Tapei Times, ajo më parë kishtë marrë një zgjatje të përkohshme të lejes për përdorimin e pajisjeve amerikane të prodhimit të gjysmëpërçuesve në fabrikat e saj në Kinë.
Chiu Chih-chang, profesor në Universitetin Tamkang në Tajvan, tha se prodhuesit koreano-jugor të gjysmëpërçuesve rritën prodhimet e tyre në Kinë më shumë se 10 vjet më parë dhe shkalla e investimit të tyre është ndër më të mëdhatë në botë për këtë sektor.
Ekonomia e ngadaltë e Kinës pas pandemisë së COVID-19 ka reduktuar kërkesën e saj për gjysmëpërçuesë dhe vendimi i Shteteve të Bashkuara për të ndalur importin e gjysmëpërçuesve të prodhuar në Kinë, kanë kufizuar rritjen e prodhuesve të Koresë së Jugut atje, thotë profesor Chiu.
Por prodhuesit vendas të gjysmëpërçuesve në Kinë, Yangtze Memory Technologies Corp. dhe Changxin Memory Technologies kanë rritur praninë e tyre në tregun vendas, që sipas profesor Chiu, mund të shkaktojë një luftë të ashpër çmimesh.
Përballë uljes së fitimeve, industria e gjysmëpërçuesve të Kinës do të jetë e kufizuar në atë që mund të shpenzojë për zhvillimin e teknologjive të reja të gjysmëpërçuesve.
Profesor Chiu thotë se vendimi i Uashingtonit për të lejuar përdorimin e pajisjeve amerikane të prodhimit të gjysmëpërçuesve nga kompanitë e huaja që operojnë në Kinë, "është një strategji që favorizon Shtetet e Bashkuara, jo Kinën".
Profesor Chiu thotë se Shtetet e Bashkuara kanë miratuar strategji të ndryshme për të parandaluar Kinën të prodhojë teknologji të avancuara të Inteligjencës Artificiale, ndërkohë që frenon ndikimin në rritje të Kinës në prodhimin dhe dizajnimin e gjysmëpërçuesve tradicionalë dhe të dyja do ta bëjnë më të vështirë për Kinën që të përparojë në fushën e zhvillimit të gjysmëpërçuesve të saj.