Avokatja Sidney Powell pranon fajësinë për ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve në Xhorxhia

Georgia Election Indictment

Avokatja Sidney Powell pranoi fajësinë në këmbim të reduktimit të akuzave të enjten lidhur me përpjekjet për të përmbysur humbjen e republikanit Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020 në shtetin e Xhoxhias, duke u bërë e pandehura e dytë në këtë çështje që arrin një marrëveshje me prokurorët.

Zonja Powell, e cila u akuzua së bashku me ish-Presidentin Trump dhe 17 të tjerë për shkelje të ligjit të shtetit kundër shantazhit, pranoi fajësinë vetëm një ditë përpara se të fillonte përzgjedhja e jurisë për gjyqin ndaj saj. Një gjykatës ra dakord që ajo të kryejë dënimin me arrest shtëpiak për rreth gjashtë vjet, me mbikqyrje nga autoritetet, të paguajë 2700 dollarë dëmshpërblim dhe të dëshmojë me vërtetësi ndaj të pandehurve të tjerë.

Ajo u akuzua fillimisht për shantazh dhe gjashtë vepra të tjera për pjesëmarrje në një skemë të gjerë për të mbajtur presidentin republikan në pushtet pasi ai humbi zgjedhjet e vitit 2020 ndaj demokratit Joe Biden. Prokurorët thonë se ajo gjithashtu mori pjesë në një ndërhyrje të paautorizuar në pajisjet zgjedhore në një qendër votimi në Xhorxhia.

Arritja e një marrëveshjeje për pranim të fajësisë është një veprim i jashtëzakonshëm për një avokate, e cila, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, përhapi teoritë e pabaza të konspiracionit për vjedhje të zgjedhjeve pavarësisht mungesës së provave. Nëse prokurorët e detyrojnë atë të dëshmojë, ajo mund të japë informacion mbi një konferencë shtypi në të cilën mori pjesë në emër të zotit Trump dhe fushatës së tij menjëherë pas zgjedhjeve dhe në një takim në Shtëpinë e Bardhë në mes të dhjetorit të vititi 2020, në të cilin u diskutua mbi strategjitë për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.

Zonja Powell ishte në plan të dilte në gjyq të hënën bashkë me avokatin Kenneth Chesebro pasi ata kishin bërë kërkesë për një gjyq të shpejtë. Zgjedhja e jurisë ishte caktuar të fillonte të premten. Kjo do të thotë se avokati Chesebro do të dalë në gjyq i vetëm, megjithëse prokurorët thanë më herët se ata kanë një plan për t'i ofruar edhe atij një marrëveshje për pranim të fajësisë.

Një i pandehur i rangut më të ulët në këtë rast, Scott Graham Hall, muajin e kaluar u deklarua fajtor për pesë akuza për kundërvajtje. Atij iu caktua masa për lirim me kusht për pesë vjet dhe ai pranoi të dëshmonte në procedura të mëtejshme.

Prokurorët pretendojnë se zonja Powell bashkëpunoi me zotin Hall dhe individë të tjerë për të ndërhyrë në pajisjet zgjedhore pa autorizim dhe punësoi firmën kompjuterike SullivanStrickler për të dërguar një ekip në jug të shtetit të Xhorxhias për të kopjuar programet dhe të dhënat nga makinat e votimit dhe kompjuterët. Aktakuza thotë se një person, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, i dërgoi një email një drejtuesi të lartë të firmës SullivanStrickler dhe e udhëzoi atë të dërgonte të gjitha të dhënat e kopjuara nga pajisjet e kompanisë Dominion Voting Systems në Coffee County tek një avokat i paidentifikuar, i lidhur me zonjën Powell dhe fushatën e zotit Trump.