Tensionet SHBA-Turqi dhe kriza në Rripin e Gazës

  • Dorian Jones

TURKEY-PALESTINE/

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë po rriten, ndërsa Uashingtoni dhe Ankaraja shkëmbejnë akuza mbi kërcënimet për sigurinë. Polemikat mes tyre vijnë pas rrëzimit të një droni turk nga Shtetet e Bashkuara, për të cilin Uashingtoni tha se po kërcënonte forcat amerikane në Siri.

Your browser doesn’t support HTML5

Tensionet SHBA-Turqi dhe kriza në Rripin e Gazës


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar forcat amerikane në Siri se po paraqesin kërcënim ndaj sigurisë së Turqisë. Trupat amerikane mbështesin Forcat Demokratike të Sirisë në luftën kundër Shtetit Islamik, por Ankaraja thotë se grupi sirian është i lidhur me kryengritësit kurdë në Turqi.

Mosmarrëveshjet midis dy aleatëve të NATO-s u përshkallëzuan pasi forcat amerikane rrëzuan një dron turk këtë muaj në Siri me arsyetimin se ai përbënte një kërcënim. Ky veprim zemëroi zyrtarët në Ankara.

“Është një gabim i papranueshëm. Një anëtar i NATO-s nuk mund të qëllojë në drejtim të një mjeti ajror të një aleati, edhe nëse ai është pa pilot. Nëse vazhdojmë me këtë situatë në Siri, ndoshta ne do të luftojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë them se kjo është shumë e rrezikshme, jo vetëm për Amerikën, por për paqen dhe qëndrueshmërinë në të gjithë rajonin”, thotë Mesut Casin, këshilltar i Presidentit turk.

Ushtria turke ka intensifikuar sulmet ajrore kundër Forcave Demokratike të Sirisë pas sulmit vetëvrasës të këtij muaji në Ankara, të kryer nga Partia militante e Punëtorëve të Kurdistanit. Por Uashingtoni, përmes një deklarate, kundërshtoi thirrjet e Ankarasë për t'i dhënë fund mbështetjes për Forcat Demokratike të Sirisë dhe akuzoi Turqinë për minimin e luftës kundër Shtetit Islamik.

“Tensionet janë rritur aq shumë sa që Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme të lejojnë një dron aleat të fluturojë mbi bazat e saj në rajon. Ky është një zhvillim i ri. Këto tensione janë të konsiderueshme sepse në thelb, Shtetet e Bashkuara e shohin si një interes të rëndësishëm misionin e tyre kundër terrorizimit në Siri. Uashingtoni mendon se tërheqja e forcave amerikane nga Siria do të krijonte kushtet për një rikthim të mundshëm të Shtetit Islamik”, thotë Aaron Stein nga Instituti për Studime të Politikës së Jashtme.

Ekspertët paralajmërojnë se tensionet në rritje mes Uashingtonit dhe Ankarasë po ndikojnë në përpjekjet për të zgjidhur krizën në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit në Izrael.

“Sekretari i Shtetit Antony Blinken nuk ndaloi në Turqi, nuk po zhvillon bisedime intensive me homologun e tij turk edhe pse Turqia është qartë një vend që ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me udhëheqjen e Hamasit dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për lirimin e pengjeve. Kjo tregon se ka një çarje në marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidentit Erdogan nuk i pëlqen të injorohet. Gjithashtu nuk ka besim mes dy palëve. Duhet të merren hapa drejt krijimit të besimit”, thotë Asli Aydintasbas, eksperte në Institutin Brookings.

Kritikat gjithnjë e më të ashpra të zotit Erdogan ndaj Izraelit lidhur me luftën e tij kundër Hamasit kanë në shënjestër edhe ndihmën ushtarake të Uashingtonit për Izraelin.
Analistët thonë se Uashingtoni është i përqëndruar në konfliktin në rajon dhe nuk po merret me tensionet me Turqinë.

“Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit dhe tensionet në rajon tani janë në qendër politikes së jashtme të Shteteve të Bashkuara, jo menaxhimi marrëdhënieve SHBA-Turqi”, thotë Aaron Stein nga Instituti për Studime të Politikës së Jashtme.

Ekspertët paralajmërojnë se me intensifikimin e luftës Izrael-Hamas, vendimi i Uashingtonit për të injoruar Ankaranë, qoftë qëllimisht apo me neglizhencë, mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të tensioneve në të gjithë rajonin.