Parlamenti rus miraton tërheqjen e Moskës nga Traktati i Ndalimit të Provave Bërthamore

Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës Shtetërore ruse

Parlamenti rus veproi me shpejtësi për të përmbushur kërkesën e Presidentit Vladimir Putin duke miratuar projektligjet për tërheqjen nga Traktati i Ndalimit të Provave Bërthamoren, në mesin e tensioneve me Perëndimin

Dhoma e Ulët e parlamentit, që njihet si Duma Shtetërore, miratoi unanimisht me 415 vota projektligjet në bazë të të cilëve revokohet ratifikimi nga Rusia i Traktatit.

Më 5 tetor, Presidenti Putin i bëri thirrje Dumës ruse për tërheqje pasi Shtetet e Bashkuara nuk e ratifikuan kurrë traktatin ndërkombëtar të 1996.

"E kuptojmë përgjegjësinë ndaj qytetarëve tanë, po mbrojmë vendin tonë. Ajo që po ndodh sot në botë është vetëm përgjegjësi e Shteteve të Bashkuara," tha kryetari i parlamentit Vyacheslav Volodin.

Që kur sulmoi Ukrainën vitin e kaluar, Presidenti Putin i ka kujtuar vazhdimisht Perëndimit fuqinë bërthamore të Rusisë. Të mërkurën, televizioni shtetëror tregoi pamje të rralla të tij gjatë një vizite në Pekin duke u shoqëruar nga oficerë të marinës që mbanin të ashtuquajturën “valixhe bërthamore “që mund të përdoret për të kryer një sulm bërthamor.

Rusia thotë se nuk do të rifillojë provat bërthamore nëse as Uashingtoni nuk e bën një gjë të tillë, por ekspertët e kontrollit të armëve janë të shqetësuar se ajo po vepron me kujdes drejt një prove që Perëndimi do ta perceptonte si një përshkallëzim të përdorimit të fuqisë bërthamore nga Rusia në mes të luftës në Ukrainë.


Sipas tyre nëse Rusia bën prova, edhe Uashingtoni do nxitej të bënte të njëjtën gjë, dhe anasjelltas.

Kina, India dhe Pakistani mund të vepronin njësoj. Aktualisht, të gjithë po respektojnë moratoriumet e provave bërthamore dhe vetëm Koreja e Veriut ka kryer një provë që përfshin një shpërthim bërthamor.

Rusia e ratifikoi traktatin ndërkombëtar në vitin 2000. Projektligji për tërheqjen e Moskës duhet të miratohet nga Dhoma e Lartë e parlamentit rus dhe duhet të firmoset nga Presidenti Putin.

Presidenti Putin tha në fillim të këtij muaji se ishte në dijeni të thirrjeve që Rusia të rifillonte provat bërthamore, por nuk ishte gati të thoshte nëse Moska duhet ta bënte këtë.

Në shkurt, ai tha se Rusia duhet "të bëjë gjithçka gati" për të kryer një test në rast se Uashingtoni do ta bënte një gjë të tillë . Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu vizitoi zonën e testimit të Rusisë në arkipelagun e largët verior të Novaya Zemlyas në gusht.

Muajin e kaluar, rrjeti televiziv CNN publikoi imazhe satelitore që tregojnë se gjatë viteve të fundit, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë ndërtuar objekte të reja në zonat e tyre të testimit bërthamor.

Rusia post-sovjetike nuk ka kryer kurrë një provë bërthamore. Bashkimi Sovjetik kreu provë për herë të fundit në vitin 1990 dhe Shtetet e Bashkuara në 1992.