Biden në Izrael, në shenjë mbështetjeje pas sulmit të Hamasit

Presidenti amerikan Joe Biden ishte të mërkurën në Tel Aviv në shenjë mbështetjeje për Izraelin pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi si edhe në përpjekje për të parandaluar zgjerimin e konfliktit në rajon. Ai tha se po I kërkon Kongresit amerikan të miratojë një paketë ndihme masive për Izraelin. Vizita e presidentit amerikan dhe takimi me kryeministrin Benjamin Netanyahu, u bë në një moment kur situata është bërë edhe më e tensionuar, pas shpërthimit masiv në spitalin e Gazës.

Your browser doesn’t support HTML5

Biden në Izrael, në shenjë mbështetjeje pas sulmit të Hamasit


Duke biseduar me kryeministrin Netanyahu, presidenti Biden dënoi sulmin e Hamasit dhe tha se SHBA do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Izraelit.

“Pas sulmit të tmerrshëm terrorist të Hamasit, që ishte brutal, çnjerëzor, pothuajse përtej imagjinatës, ky kabinet u mblodh dhe qëndroi i fortë dhe i bashkuar. Dua që ta dini se nuk jeni vetëm. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim, në përpjekjet tuaja për të mbrojtur popullin tuaj”, tha presidenti Biden.

Duke folur për sulmin e 7 tetorit, presidenti Biden tha se Hamasi ishte më i keq se ISIS-i, nga shkalla e mizorive që kishte kryer.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me Izraelin dhe partnerët në të gjithë rajonin për të parandaluar më shumë tragjedi për civilë të pafajshëm.

Kryeministri Netanyahu vlerësoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara si edhe faktin që presidenti Biden e viziton Izraelin në kohë lufte.

“Një nivel bashkëpunimi që është vërtet i paprecedentë në historinë e aleancës së madhe midis dy vendeve tona. Ne e shohim mbështetjen në angazhimin tuaj të palëkundur për t'i siguruar Izraelit mjetet që na nevojiten për t'u mbrojtur. E shohim në mesazhin e qartë që u keni dërguar armiqve tanë që të mos vënë në provë vendosmërinë tonë, ashtu si edhe tek dërgimi i dy flotave luftarake amerikane në rajon, duke mbështetur premtimet me vepra. Por mbi të gjitha, zoti President, bota e sheh këtë mbështetje në qartësinë morale që keni treguar që nga momenti kur Izraeli u sulmua”.

Presidenti Biden tha se Izraeli duhet të ketë gjithçka që i duhet për t’u mbrojtur dhe për t’iu përgjigjigjur sulmeve, por ...

" duhet gjithashtu të kemi parasysh se Hamasi nuk përfaqëson të gjithë popullin palestinez dhe i ka sjellë atij vetëm vuajtje”.

Në përfundim të vizitës, zoti Biden u bëri thirrje izraelitëve për përmbajtje pasi "shumica dërrmuese e palestinezëve nuk janë të lidhur me Hamasin".

Megjithë përshkallëzimin pas sulmit, presidenti Biden tha në fund të vizitës se ai vazhdon të besojë tek zgjidhja me dy shtete.

Presidenti amerikan tha se do t'i kërkonte këtë javë Kongresit që të miratonte një paketë ndihme "të pashembullt" për Izraelin.

Në rajon dhe më tej, numri në rritje i viktimave palestineze nga goditjet izraelite, ka shkaktuar shqetësim dhe protesta. Vizita e presidentit Biden vjen pasoi një shpërthim në një spital të Gazës shkaktoi vdekjen e qindra vetëve. Izraeli ka mohuar që të jetë autori i sulmit.

“U trishtova dhe u indinjova thellësisht nga shpërthimi në spitalin e Gazës dje, dhe në bazë të asaj që kam parë, duket sikur është bërë nga pala tjetër, jo ju (Izraeli)”, tha zoti Biden.

Ai tha se duhen shpëtuar jetët e palestinezëve të pafajshëm që gjenden në mes të konfliktit dhe se vendet demokratike, si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, duhet të veprojnë me forcën e shembullit të tyre.

Sipas autoriteteve izraelite, më shumë se 1400 vetë u vranë nga militantët e Hamasit në sulmin ndaj Izraelit dhe të paktën 199 të tjerë janë marrë peng, duke përfshirë fëmijë.

Presidenti Biden tha se 31 prej të vrarëve janë shtetas amerikanë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se 2,778 palestinezë janë vrarë dhe 9,700 janë plagosur. Kjo shifër nuk përfshin viktimat nga shpërthimi në spitalin Arab al-Ahli.

1200 njerëz të tjerë në të gjithë Gazën besohet se janë nën rrënoja.

Mijëra njerëz që po përpiqen të ikin nga Gaza janë mbledhur në Rafah, vendkalimi i vetëm kufitar i këtij territori me Egjiptin.

Ndërmjetësues ndërkombëtarë po përpiqen të sigurojnë një marrëveshje për të lejuar hyrjen e ndihmës dhe për daljen nga Gaza të personave me pasaporta të huaja.