Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Pekin të martën për një vizitë që nënvizon mbështetjen e Kinës për Moskën, ndërsa kjo e fundit vazhdon agresionin ndaj Ukrainës. Po kështu vizita nënvizon mbështetjen ruse për përpjekjen e Kinës, për të zgjeruar ndikimin e saj ekonomik dhe diplomatik jashtë vendit.
Dy vendet kanë krijuar një aleancë jozyrtare kundër Shteteve të Bashkuara dhe kombeve të tjera demokratike, që tashmë janë ndërlikuar nga lufta Izrael-Hamas. Kina ka kërkuar të krijojë një balancë mes lidhjeve të saj me Izraelin, kundrejt marrëdhënieve të saj me Iranin dhe Sirinë, dy vende që mbështeten fuqishëm nga Rusia dhe me të cilat Pekini ka krijuar lidhje ekonomike, me synimin për të sfiduar ndikimin e Uashingtonit në Lindjen e Mesme.
Vizita e zotit Putin shihet dhe si dëshmi e mbështetjes për nismën e udhëheqësit kinez Xi Jinping "Një Brez - Një Rrugë", që synon jo vetëm ndërtimin e infrastrukturës, por edhe zgjerimin e ndikimit të Kinës jashtë vendit.
Në një intervistë për mediat shtetërore kineze, zoti Putin tha se Rusia e sheh atë si një dëshirë për bashkëpunim, ndryshe nga disa, që e konsiderojnë iniciativën, siç tha ai, një përpjekje të Kinës për kontroll.
Zoti Putin është një prej të udhëheqësve të lartë, që do të marrin pjesë në ceremonitë me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së projektit nga Presidenti Xi. Projekti ka futur vende si Zambia dhe Sri Lanka në borxhe të mëdha për shkak të kontratave me kompanitë kineze për të ndërtuar rrugë, aeroporte dhe objekte të tjetra publike, të cilat nuk mund t'i përballonin dot ndryshe. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres e ka vlerësuar iniciativën kineze duke e quajtur si një përpjekje që sjell zhvillim në zonat e lënë pas dore.
Vizita shihet gjithashtu si një mundësi për zotin Putin për t'u takuar me udhëheqës të tjerë globalë, të cilët kanë kritikuar qasjen perëndimore ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.
Duke folur gjatë një takim me Kryeministrin hungarez Viktor Orban, vendi i të cilit është anëtar i Bashkimit Evropian si dhe i NATO-s, zoti Putin tha se vendet kanë mbajtur lidhje të mira, pavarësisht tensioneve të fundit.
“Është kënaqësi që ne kemi arritur të ruajmë dhe zhvillojmë marrëdhëniet me shumë vende evropiane, përfshirë Hungarinë”, tha zoti Putin në fillim të bisedimeve me zotin Orban.
Kryeministri Orban, i cili ka kritikuar vazhdimisht sanksionet perëndimore kundër Rusisë, vuri në dukje se vendi i tij mbetet i etur për të ruajtur lidhjet me Rusinë.
“Hungaria kurrë nuk ka dashur të përballet me Rusinë. Hungaria ka qenë gjithmonë e etur për të zgjeruar kontaktet”, i tha zoti Orban udhëheqësit rus. Hungaria vazhdon të ruajë kontaktet me Rusinë në fushën e energjisë bërthamore dhe gazit, pavarësisht sanksioneve të BE-së.