Gazetarja palestineze Reem Al Omari, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se nuk ka asnjë vend të sigurt në Gazë. Sipas saj, civilët që kanë pranuar të largohen nga pjesa veriore drejt jugut të Gazës janë prekur nga sulmet me raketa dhe bomba nga ana e Izraelit. Ndërkohë ish-ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, nxit civilët palestinezë të largohen, pasi Izraeli do e sulmojë Hamasin në shumë fronte deri në eleminimin e tij.
Your browser doesn’t support HTML5
“Nuk ka asnjë vend të sigurt në Gaza”
Gazetarja palestineze Reem Al Omari thotë se civilët palestinezë nuk kanë siguri në asnjë zonë të Rripit të Gazës ndërsa përballen përballen me mungesa të nevojës bazike.
“Pavarësisht se u kërkoi civilëve të drejtoheshin në jug për të qenë të sigurtë, sulme me bomba gjatë natës nga ana e Izraelit në pjesën veriore Të Gazës kanë shkaktuar vdekjen e 71 personave dhe kanë plAgosur qindra. “Sot në Gaza nuk ka ujë, nuk ka ushqim. Njerëzit kërkojnë dëshpërimisht ujë dhe nevoja të tjera bazike. Rripi i Gazës është bllokuar totalisht. Sitauta në Gaza është shumë e keqë. Ka mbi 2 mijë persona të plagosur aktualisht në spital”.
Ish ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon nxit popullsinë në Gazë që të largohet përpara ndërhyrjes izraelite me trupa tokësore. Ai bën përgjegjës Hamasin për vdekjen e civilëve në Gazë.
“Çdo viktimë civile në Gazë është përgjegjësi e Hamasit. Secila. Ishte një sulm i paprovokuar kundër Izraelit. Po kundërpërgjigjemi, po mundohemi të minimizojmë viktimat civile, por Hamasi po fshehet prapa tyre dhe po i përdor si mburoja të gjalla. Pjesëtarët e Hamasit janë frikacak, sulmuan gra dhe fëmijë këtu në Izrael dhe pastaj shkojnë në Gaza dhe fshihen prapa grave dhe fëmijëve. Na duhet t’i përndjekim ata dhe i bëjmë thirrje popullsisë në Gazë të shkojnë drejt jugut, të shkojnë në drejtim të Khan Yunis, në drejtim të kufirit me Egjiptin dhe të mos qëndrojnë në pjesën veriore të Rripit të Gazës", shprehet ai.
Gazetarja Al Omari thotë se pjesa më e madhe e popullsisë në veri të Gazës nuk ka pranuar të largohet. Por edhe ata që kanë ikur sipas saj, kanë qenë në rrezik.
“Edhe ata që kanë ikur janë prekur nga sulmet me bomba ose me raketa nga ana e Izraelit. Nuk ka vend të sigurt as në veriu dhe as në jug të Izraelit. Na vend të sigurt në Gazë për njerëzit. Fatkeqësisht, pejsa më e madhe e njerëzve në veri nuk u larguan drejt jugut. Megjithatë edhe ata që u larguan u prekën nga sulmet izraelit ndërsa përpiqeshin të ikin. Nuk ka siguri për ta", shprehet ajo.
Të martën, dhjetra persona u vranë nga sulmet me bomba të Izraelit në pjesën veriore të Gazës, zona nga të cilat u ka kërkuar palestinezëve të largohen përpara sulmit të pritshëm tokësor.
Zoti Danon thotë se Izraeli po përgatitet për ta goditur në shumë fronte Hamasin, deri në eleminimin e grupit militant.
“E përjetuam një sulm të tmerrshëm. Këtu në qytetin Sderot, mbi 50 njerëz janë masakruar, mbi 1300 viktima, shumica prej të cilëve civilë, gra dhe fëmijë, janë dhunuar dhe rrëmbyer në Gazë. Po luftojmë për jetët tona, andaj do ta sulmojmë Hamasin dhe kur po them se do ta sulmojmë, do t’i sulmojmë nga deti, ajri dhe toka dhe do të sigurohemi që kur të kemi mbaruar këtë luftë, Hamasi nuk do të jetë në gjendje të sulmojë më. Është luftë për të zhdukur Hamasin”, shprehet ai.
Izraeli prej disa ditësh ka bllokuar Gazën dhe në qytet sipas organizatave të ndihmave ekziston një gjendje shumë e rëndë humanitare. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë po tentojnë të arrijnë një marrëveshje për të lejuar kalimin e ndihmave humanitare, por deri tani kjo nuk është arritur. Zoti Danon thotë se po synohet krijimi i korridoreve humanitare.
“Po punojmë me palë tjera, të krijojmë korridore humanitare. Duam të mbështesim popullatën civile. E kuptojmë që janë të burgosur të Hamasit, andaj i nxisim të mos qëndrojnë pranë selisë së Hamasit, por të largohen tutje”.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1 milionë palestinezë, rreth 60 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës, janë larguar nga shtëpitë e tyre si pasojë e konfliktit.