Lloga: Po punojmë për miratimin brenda vitit të ndryshimeve kushtetuese

Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Krenar Lloga

Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Krenar Lloga thotë se ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, do të miratohen përpara fundit të këtij viti.

Opozita maqedonase është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese për shkak të futjes në Preambulë të pakicës bullgare dhe pa votat e VMRO-DPMNE-së nuk arrihet 2 e 3-ta e nevojshme për t’u miratuar në parlament, por ministri Lloga tha se po punohet për votimin e tyre. “Ka komunikime me partitë politike dhe gjithashtu dhe komunikime me deputetë të veçantë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të votuar dhe ne besojmë që ky proces do të përmbyllet me miratimin para vitit të ri", tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ministri Lloga tha gjithashtu se ishte kundër ndryshimeve në Kodin Penal, në të cilat parashikohet, mes të tjerash, ulja e dënimit për ata funksionarë shtetërorë të cilët janë përfshirë në shpërdorimin e fondeve publike. Ai shpjegoi edhe arsyet se përse kishte propozuar ligjin për amnistinë.


Zëri i Amerikës: Zoti Lloga, propozimet e ministrisë tuaj për ndryshimet në Kodin Penal kanë nxitur mjaft debate dhe mjaft kritika, kjo për shkak se mes të tjerash parashikohet edhe ulja e dënimit për ata funksionarë shtetërorë të cilët janë përfshirë në shpërdorimin e fondeve publike. Kritikët thonë se kjo është një mënyrë që t’i hapet rruga ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për t’u kthyer në vend nga arratia. Cila është përgjigja juaj për këto kritika?

Krenar Lloga: Atëherë në prononcime të ndryshme për mediat unë kam treguar të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur. Unë nuk kam qenë i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal janë gjëja e duhur, sidomos me lartësinë e dënimeve për veprën e ashtuquajtur keqpërdorim i detyrës zyrtare, por edhe veprave të tjera të cilat janë parashikuar. Dhe në këtë rast ka qenë propozimi i zëvendësministres së Drejtësisë, e cila ka marrë miratimin e qeverisë dhe është dorëzuar në Kuvend dhe deputetët i kanë dhënë mbështetje këtyre akteve ligjore. Ka qenë një kërkesë e kahershme e opozitës maqedonase, të cilët po aktrojnë sot se janë kundër asaj që ka ndodhur. Në fakt, kjo nuk i hap rrugën zotit Nikolla Gruevski. Një nen nga ky ligj ka qenë një prej neneve me të cilët zoti Gruevski ka disiplinuar funksionarët e vet duke qenë aq i gjerë në përmbajtje dhe e ka përdorur më shumë atë si gjah politik. Dhe në fakt këto ndryshime ligjore në këtë aspekt e kanë sqaruar këtë nen, por pjesa tjetër me lartësinë e dënimeve ka qenë gjë për të cilën edhe unë nuk kam qenë dakord dhe është gjë që është shprehur edhe nga ana ime, por edhe nga ana e subjektit tim politik, të cilët nuk i kanë përkrahur këto ndryshime të Kodit Penal. Për t’i dhënë përgjigje meritore të gjithë kësaj, javën që pason unë do të jem bashkë me grupin e punës për të prezantuar Kodin e ri Penal në vend, i cili do të parashikojë shumë vepra të tjera penale lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, por edhe vepra penale të cilat do të precizohen për keqpërdorime të tjera të mundshme, qoftë në aspektin e funksionimit të shtetit të së drejtës, por edhe vepra kriminale që lidhen edhe me teknologjinë informative, cybercrime, dhe gjëra të tjera të ngjashme.

Zëri i Amerikës: Nga ana tjetër, ministria juaj ka përgatitur edhe një projektligj për amnisti të të burgosurve, e cila gjithashtu është shoqëruar me kritika. Çfarë e nxiti këtë amnisti dhe kush pritet të jenë përfituesit e saj?

Krenar Lloga: Është një paradoks i madh që lidhet Kodi Penal me amnistinë, e cila tani është përgatitur dhe është dorëzuar edhe në Kuvend. Amnistia është ligji i njëjtë i cili është miratuar nga ana e kuvendit të Maqedonisë së Veriut në vitin 2018. Kanë qenë të gjitha partitë politike sot që po bëjnë avokatin e djallit. Kanë qenë propozues të këtij ligji. Unë që nga fillimi i mandatit kam theksuar që ne duhet të bëjmë mundësinë e parë që të gjejmë zgjidhje për këta të burgosur, sepse Maqedonia në të gjithë raportet e Bashkimit Evropian dhe të Departamentit të Shtetit, por edhe nga CPT-ja, korpusi që merret me parandalimin e torturës, është nga burgjet, sidomos ai i Idrizovës, një nga burgjet më të këqija në vend. Në fakt ne kemi ripërsëritur të njëjtin ligj të vitit 2018, i cili ka kaluar në Kuvend dhe parasheh amnisti për veprat e lehta penale. Por me këtë janë tërhequr nga ai ligj edhe veprat të cilat në vitin 2018 janë amnistuar, siç është thënë, edhe veprat që kanë qenë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Në fakt paradoksi është sepse partia opozitare, e cila ka qenë e njoftuar në kohë dhe ka dhënë dakordësinë për të gjitha këto zgjidhje ligjore, tani po bën atë që nuk duhet të bëjë, duke thënë që do të kemi neve njerëz të kriminalizuar në rrugë. Por ajo që ndodh vërtet në burg, unë kam qenë në një vizitë zyrtare në burg edhe me pamje me zë dhe figurë kam treguar se çka ndodh në realitet në burgun e Idrizovës.

Në Maqedoninë e Veriut ndodh edhe një paradoks tjetër. Janë edhe 2800 persona të tjerë të cilët kanë marrë aktin për të shkuar në burg të cilët presin për t’u futur në burg dhe refreni se do dalin të burgosur nga burgu si krimenelë në rrugë nuk është e vërtetë sepse ne kemi 2800 kriminelë të cilët janë në rrugë dhe presin për të hyrë në burg për të kryer aktin e heqjes së lirisë për atë periudhë kohore të caktuar.

Derisa efekti i burgut nuk është vetëm heqja e lirisë, por edhe pjesa që ata duhet ta kryejnë siç është risocializimi. Ne kemi shumë njerëz sot të cilët nga pakujdesia apo veprime të pamatura futen në burg si njerëz normalë dhe kthehen në familje si njerëz të krimit të organizuar, apo njerëz me kriminalitet shumë të lartë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, si ndryshimet në Kodin Penal edhe ato në ligjin për amnistinë janë në mesin e disa ligjeve të cilët janë propozuar të hyjnë për miratim me procedurë të përshpejtuar, çka ka nxitur shqetësim edhe nga ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut. Pse po përdoret kjo procedurë, e njohur ndryshe si flamuri europian, për ligje që kanë të bëjnë në fakt me reformat në kuadër të integrimit të vendit tuaj në Bashkimin Europian?

Krenar Lloga: E para, është keqinformim. Ligji për amnisti nuk ka flamurin e Bashkimit Europian. Ka qenë një keqpërdorim që ka bërë partia më e madhe opozitare në vend VMPRO-DPMNE dhe ka paralajmëruar se do të bojkotojë punën e Kuvendit nëse ky ligj futet me flamurin e Bashkimit Europian. Edhe në fakt, në asnjë moment nuk është cekur se do të ketë dhe unë kam dhënë garanci për këtë dhe e keni para Kuvendit propozim-ligjin i cili pikërisht nuk e ka flamurin europian.

Në rastin e ndryshimeve në Kodin Penal është paraqitur flamuri i Bashkimit Europian ku është kërkuar të bëhet harmonizimi i dispozitave ligjore me atë që kanë shtetet e Bashkimit Europian dhe në këtë fakt është kritikuar nga ana e Bashkimit Europian si një instrument që në vazhdimësi qeveria për të shmangur bllokadën e partive, të cilat me mijëra amendamente mundohen të bllokojnë punën e Parlamentit.


Zëri i Amerikës: Për të mbetur tek integrimi europian i vendit tuaj, një nga sfidat kryesore dhe një nga kushtet që duhet plotësuar për ta mundësuar një gjë të tillë është miratimi i ndryshimeve kushtetuese çka mbetet ende një sfidë. A mund të na thoni se çfarë po bëhet për ta siguruar miratimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese përballë kundërshtisë të opozitës maqesonase?

Krenar Llloga: Qeveria i ka përgatitur, i ka dorëzuar amendamentet në fjalë për pjesën e Preambulës e cila do të mundësojë që pakica bullgare, por edhe të tjerët në vend të futen në Preambul. Tani është detyrë e Kuvendit që duhet të gjejë 88 deputetë për të miratuar këto ndryshime, të cilat do të hapin rrugën drejt Bashkimit Europian dhe në fakt Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq shumë të madh për të ardhmen e saj sepse ndryshimet do të duhet të miratohen për një periudhë shumë të shpejtë kohore, sepse viti 2024 do ta gjejë Maqedoninë e Veriut në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, por do të gjejë në zgjedhje edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, që do të vështirësojë edhe më tutje procesin dhe ka rrezik që nëse këto ndryshime kushtetuese nuk do të kryhen, atëherë vendi do të futet në një krizë akoma më të thellë. Qeveria i ka dhënë mundësinë opozitës që të bëhet pjesë e shumicës parlamentare duke plotësuar të gjitha ato kushte apo parakushte të cilat i kërkoi partia më e madhe opozitare në vend.


Zëri i Amerikës: Por në kushtet kur ende nuk janë votat e nevojshme, ka hapa konkrete për ta siguruar një gjë të tillë?

Krenar Lloga: Po, ka komunikime me partitë politike dhe gjithashtu dhe komunikime me deputetë të veçantë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të votuar dhe ne besojmë që ky proces do të përmbyllet me miratimin para vitit të ri.


Zëri i Amerikës: Dhe si pyetje të fundit, çfarë qëndrimi ka Aleanca për Shqiptarët në lidhje me kërkesën e opozitës maqedonase që zgjedhjet presidenciale të mbahen së bashku me votimet për parlamentin e ri?

Krenar Lloga: Atë që e ka edhe gjithë shumica parlamentare, dmth ne jemi të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje, kudo qofshin ato. Por, është e radhës që njëherë të votohen ndryshimet kushtetuese dhe pastaj ne të futemi në cikle zgjedhore që na pasojnë dhe ato janë presidenciale dhe parlamentare. Domethënë qëndrimi i Alenacës mbetet i hapur për të shkuar në zgjedhje qoftë edhe ato të parakohshme, por me kushtin që të kemi miratim të ndryshimeve kushtetuese në vend.