Ligjvënësi republikan Steve Scalise u tërhoq nga gara për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve të enjten vonë, pasi nuk arriti të siguronte mbështetjen e mjaftueshme brenda republikanëve. Kongresi nuk është në gjendje të ndërmarrë asnjë veprim lidhur me Ukrainën dhe Izraelin pa zgjedhur më parë një udhëheqës të ri.
Your browser doesn’t support HTML5
Ligjvënësi republikan Steve Scalise njoftoi të enjten vonë se do tërhiqej nga gara për t'u bërë Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
“Republikanët duhet të bashkohen dhe kjo nuk është arritur. Ka ende disa ligjvënës që po luftojnë për axhendat e tyre të veçanta”, tha ai.
Pavarësisht se ai arriti të siguronte emërimin nga grupi republikan me një shumicë të vogël votash të mërkurën për t'u bërë kandidat për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi Scalise nuk mundi të siguronte mbështetjen e 217 ligjvenësve, numri i duhur për t’u zgjedhur kryetar, duke ditur se asnjë demokrat nuk pritej të votonte për të.
"Ai u tha shumë njerëzve se kishte siguruar vetëm 150 vota. Ai nuk kishte siguruar mbështetje të mjaftueshme."
Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, i cili u shkarkua nga posti javën e kaluar pasi humbi mbështetjen e tetë republikanëve nuk e ka përjashtuar mundësinë e hyrjes në garë për t’u zgjedhur sërish në këtë post.
Shumë kritikë republikanë thonë se ligjvënësi Steve Scalise ka pikapamje të ngjashme me zotin McCarthy dhe nuk do të negocionte për shkurtimet drastike të shpenzimeve qeveritare, siç kishin kërkuar ata.
“Kjo është një garë, e cila tani do të jetë edhe më e vështirë”, thotë ligjvënësi republikan Thomas Massie.
Kandidati tjetër republikan për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, konservatori Jim Jordan, kishte bërë thirrje për t'i dhënë fund debatit dhe mbështeti rivalin e tij Steve Scalise.
“Shpresoj se mund të bashkohemi rreth Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të bëjmë punën e popullit amerikan, të ndihmojmë miqtë tanë më të dashur dhe më të afërt, shtetin e Izraelit”, tha ai.
212 ligjvënësit demokratë pritet të votojnë për udhëheqësin e tyre, Hakeem Jeffries, i cili bëri thirrje për dhënien fund të ngërçit në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Izraeli ka nevojë për mikun dhe aleatin e tij më të ngushtë në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ta mbështesin në këtë kohë urgjente. Paaftësia e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të bërë punën, edhe kur ata vetë, sipas rregullave të tyre, kanë zgjedhur një kandidat për postin e Kryetarit, flet për një kaos, mosfunksionim dhe ekstremizëm më të gjerë në radhët e tyre”, tha ai.
Një analist thotë se ndarja e pushtetit midis demokratëve dhe republikanëve mund të ishte një zgjidhje, që do të mundësonte funksionimin e Dhomës së Përfaqësuesve.
“Udhëheqësi i pakicës demokrate, ligjvënësi Jeffries, e nxori një ide së fundmi, duke thënë: 'Unë mund të punoj me palën tjetër nëse një numër i mjaftueshëm republikanësh të moderuar do të dëshironin të ktheheshin në punën normale të institucionit, duke marrë parasysh fatkeqësitë që po ndodhin në mbarë botën”, tha Casey Burgat nga Universiteti George Washington.
Republikanët po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e zgjedhjes së kryetarit të përkohshëm, ligjvënësit republikan Patrick McHenry, në një rol të përhershëm në këtë post deri në nëntor, kur pritet të skadojë buxheti përkohshëm i qeverisë federale.