Shaheen: Nuk duam konflikt në Ballkan

  • Leonat Shehu

Senatorja Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, tha të premten në Prishtinë se perëndimi nuk do edhe një konflikt në Ballkan sikurse ai në Ukrainë apo në Lindje të Mesme.

Senatorja Shaheen e cila po qëndron në Prishtinë bashkë me senatorin Peter Welch nga Wermonti, tha se qëllimi i vizitës në Kosovë është shprehja e mbështetjes për autoritetet pas sulmit të 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri, ku u vra një oficer i policisë.

“E pamë fundjavën e kaluar se çfarë ndodh kur urrejtja dhe konfliktet janë ta pazgjidhura dhe qytetarët janë ata që pësojnë në atë lloj situate. E di që qytetarët e Kosovës e kuptojnë se çfarë ndodh kur ka një konflikt dhe ndikimin shkatërrues mbi familjet kur ndodh ai. Ajo që ne nuk duam është më shumë konflikt sikurse në Ukrainë dhe Lindje të Mesme të ndodh edhe në këtë rajon. Kështu që udhëheqja juaj, qëndrueshmëria e Kosovës është shumë e rëndësishme dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju”, tha ajo pas takimeve me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Senatorja Shaheen tha se zgjidhja paqësore e dallimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga drejt qëndrueshmërisë afatgjate të rajonit.

“Dhe kjo është koha kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në këtë rajon, mbi rëndësinë e trajtimit të shqetësimeve ekzistuese dhe shpresojmë që ju do ta shihni këtë si një mundësi për të përfituar nga kjo situatë”, tha ajo.

Senatorja Jeanne Shaheen shfaqi shpresën se Serbia do të bashkëpunojë për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, i cili nxiti shqetësime për situatën e sigurisë në rajon. Senatorët amerikanë u shprehën të kënaqur me vendimin e NATO-s për shtimin e trupave në terren.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit ndaj policisë, por Beogradi zyrtar mohon çfarëdo lidhjeje me grupin e armatosur që kreu sulmin përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radojcic, ish nënkryetar i Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti vunë theksin te garancitë e sigurisë për vendin pas sulmit të 24 shtatorit.

“Gjëja më e rëndësishme në këtë moment në mënyrë që të parandalohen akte të tilla agresioni në të ardhmen që do ta destabilizonin tërë rajonin tonë, është që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit, t’i dorëzojë terroristët në Republikën e Kosovës që të përballen me sistemin tonë të drejtësisë si dhe të rriten garancat e sigurisë në raport me Kosovën, që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”, tha presidentja Osmani.

“Unë gjithashtu i informova senatorët se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë thjesht sikur asgjë nuk ka ndodhur. Nuk mund ta mbështesim si “punë të zakonshme”. Kapitulli tjetër i dialogut për normalizim tani duhet të marr parasysh veprimet e agresionit të Serbisë dhe synimin e saj për të aneksuar veriun e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Sipas tij përveç sanksioneve për të penguar agresionin e mëtejshëm nga Serbia, duhet të ndërmerren një sërë hapash bazë në mënyrë që dialogu të ketë edhe një shans për sukses.

“Dhe besoj se këtu është e rëndësishme të kemi një qasje të baraspeshuar duke përfshirë njoftimin dhe dënimin e çdo shkeljeje të marrëveshjes bazë që kemi arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksin e tij të zbatimit të Ohrit më 18 mars të këtij viti”, tha ai.

Të dërguarit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët e presidentit francez Emannuel Macron, të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni pritet të qëndrojnë javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi në përpjekje për të nxitur palët drejt zbatimit marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër në shkurt dhe në mars të këtij viti.