Sekretari Blinken në Izrael në shenjë solidariteti

Sekretari Blinken duke folur përkrah Kryeministrin izraelit Netanyahu (12 tetor 2023)

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjendet në Izrael në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për këtë vend që përgatitet t’i përgjigjet sulmeve vdekjeprurëse të grupit militant Hamas. Ai konfirmoi se gjatë sulmeve janë vrarë të paktën 25 shtetas amerikanë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, gjatë takimeve të nivelit të lartë, Sekretari Blinken po informohet nga zyrtarët izraelitë për nevojat që ka vendi ndërsa përpiqet të lirojë pengjet e marra nga Hamasi, të rifitojë kontrollin e kufirit me Gazën dhe të shkatërrojë kapacitetet operacionale të Hamasit.

Your browser doesn’t support HTML5

Sekretari Blinken në Izrael në shenjë solidariteti

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po viziton Izraelin në shenjë solidariteti.

Në një deklaratë të përbashkët me Kryeministrin izraelit Benyamin Netanyahu, Sekretari Blinken njoftoi se Uashingtoni po punon nga afër me Izraelin për të siguruar lirimin e personave të marrë peng nga Hamasi. Sekretari Blinken bëri thirrje për marrjen e të gjitha masave për të shmangur goditjen e civilëve, dhe dha një mesazh të qartë mbështetjeje për Izraelin.

“Populli i Izraelit është krenuar prej kohësh dhe me të drejtë për mbështetjen tek forcat e tyre për t’u mbrojtur, edhe kur shanset nuk kanë qenë të mira. Mesazhi që i sjell Izraelit është ky ‘Mund të jeni të fortë mjaftueshëm që të mbroheni, por për sa kohë që ekziston Amerika, nuk do t’ju duhet kurrë të jeni të vetëm. Do të jemi gjithmonë përkrah jush’”, tha Sekretari Blinken.

Sekretari Blinken i tha Kryeministrit Netanyahu se e ndjen në një nivel personal "jehonën e tmerrshme që masakrat e Hamasit mbartin për hebrejtë në Izrael". Pas vizitës në Izrael, Sekretari Blinken do të takime në Jordani, me Mbretin Abdullah dhe me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, përpara se të udhëtojë drejt Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit dhe Katarit.

PAMJET NGA MIZORITË E HAMASIT

Gjatë një konference për shtyp në Tel Aviv, Sekretari Blinken tha se qeveria izraelite i tregoi fotografi dhe video nga mizoritë e Hamasit, ndër to të një foshnje të mbuluar nga plumbat, ushtarë me kokë të prerë dhe të rinj të djegur të gjallë në makinat e tyre, apo në vendet ku ishin fshehur.

Sekretari Blinken gjatë konferencës për shtyp në Tel Aviv

"Është thjesht një ligësi në mënyrën më të keqe që mund të imagjinohet. Pothuajse sfidon logjikën", u tha Sekretari Blinken gazetarëve të mbledhur në Tel Aviv.

Sekretari Blinken tha se Hamasi nuk përfill ligjet apo "ndonjë formë tjetër standarte të dinjitetit njerëzor" dhe se vendos në objektiv civilët "në mënyrat më çnjerëzore të mundshme".

Ai tha se mizoritë e shfaqura në imazhet që ka parë "të rikthejnë në mendje kohërat e ISIS-it".

"Pamjet vlejnë sa një mijë fjalë. Këto imazhe mund të vlejnë një milion", tha ai.

Sekretari Blinken duartrokitet nga njerëzit ndërsa viziton një qendër donacionesh për viktimat e sulmit të Hamasit (Tel Aviv, 12 tetor 2023)

RREZIKU I ZGJERIMIT TË KONFLIKTIT

Ndërkaq banorët në kibucin Masada, në veri të Izraelit, u fshehën më herët nëpër strehime nëntokësore pasi ranë sirenat e alarmit, pasi ushtria izraelite njoftoi fillimisht për sulme ajrore nga Libani drejt Izraelit.

Nga Uashingtoni, Presidenti amerikan Joe Biden konfirmoi se ai dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare po punojnë natë e ditë për konfliktin dhe se së bashku me Nënpresidenten Kamala Harris pati biseduar sërish të mërkurën me Kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Presidenti Biden gjatë takimit me udhëheqësit e komunitetit hebre në Uashington (11 tetor 2023)

“Në këtë moment, duhet të jemi tepër të qartë. Nuk ka justifikim për terrorizmin, asnjë justifikim, dhe lloji i terrorizmit që u shfaq është i papranueshëm. Siç e thashë edhe dje, angazhimi im ndaj sigurisë së Izraelit dhe popullit hebre është i palëkundur”, deklaroi Presidenti Biden.

Në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres tha se është në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësit në Lindjen e Mesme dhe se është i shqetësuar për një shtrirje të mundshme të konfliktit në rajon.

“Jam i shqetësuar për shkëmbimin e zjarrit rishtazi përgjatë Vijës Blu dhe për sulmet e raportuara nga Libani jugor. I bëj thirrje të gjitha palëve, dhe atyre që influencohen nga këto palë, të shmangin çdo përshkallëzim dhe shtrirje të mëtejshme”, tha zoti Guterres.

Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri gjithashtu thirrje që Hamasi të lirojë të gjitha pengjet izraelite, duke theksuar se civilët duhet të jenë gjithnjë të mbrojtur dhe se duhet të zbatohet ligji ndërkombëtar humanitar. Ai tha se deri më tani rreth 220 mijë palestinezë strehohen në 92 objekte të OKB-së në mbarë Gazën, dhe se nuk duhet të goditen premisat e OKB-së, shkollat, spitalet dhe klinikat.

Gjatë të mërkurës pasdite, Presidenti Biden mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët me udhëheqësit e komunitetit hebraik për të shprehur ngushëllimet e tij dhe mbështetjen e palëkundur për Izraelin pas sulmeve terroriste të Hamasit.