Gara për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve vonon ndihmën për Ukrainën

Congress McCarthy

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski sot gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel, kërkoi ndihmë të mëtejshme ushtarake, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, artileri dhe municione. Duke folur përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, zoti Zelenski u tha gazetarëve se përmirësimi i mbrojtjes ajrore do të ndihmonte jo vetëm në mbrojtjen e infrastrukturës energjetike të Ukrainës, por edhe atë të eksportit të grurit ukrainas në botë. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të martën filloi procesi i zgjedhjes së Kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve.

Your browser doesn’t support HTML5

Gara për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve vonon ndihmën për Ukrainën


Kandidatët për këtë post, ligjvënësit Jim Jordan dhe Steve Scalise po vazhdojnë përpjekjet për të siguruar mbështetjen e kolegëve të tyre republikanë. Shumë ligjvënës republikanë vazhdojnë të mbështesin zotin Kevin McCarthy, i cili shkarkua nga posti i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve javën e kaluar. Gara për kryetarin e ri të Dhomës së Përfaqësuesve po shkakton vonesa në miratimin e ndihmave për Ukrainën.

Gara për Kryetarin e ri të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila filloi të martën, po shkakton vonesa në miratimin e një pakoje të re ndihmash për Ukrainën.

“Nuk dëshirojmë të ketë asnjë vonesë. Për këtë arsye ne do të vazhdojmë të punojmë me Kongresin për të parë nëse mund të sigurojmë fonde shtesë. Ne kemi fonde të mjaftueshme për një periudhë afatshkurtër. Por, këto fonde do të mbarojnë”, thotë zëdhënësi Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Edhe para shkarkimit të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy javën e kaluar, shqyrtimi i kërkesës së Shtëpisë së Bardhë për 24 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën kishte ngecur.

“Ukraina është në mes të kundërofensivës dhe përpjekjeve për të rimarrë territoret e saj të pushtuara. Ushtria ukrainase po përdor sasi të mëdha armatimi në këtë kundërofensivë. Kështu që pamundësia për të vazhduar furnizimin e Ukrainës me armë mund të rezultojë në ngadalësim, madje edhe në ndalje, të ofensivës kundër forcave ruse”, thotë Colin Cleary nga Universitetit George Washington.

Kundërshtimi i ndihmës për Ukrainën u rrit në mesin e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve gjatë verës dhe do të jetë e vështirë për kandidatët që të fitojnë garën për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve pa votat e kritikëve të ndihmës për Ukrainën.

Ligjvënësi Jim Jordan, një nga kandidatët për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë se Ukraina nuk është një përparësi për atë.

“Ukraina nuk është çështja më e rëndësishme në mendjet e amerikanëve. Të gjithë e dinë se situata në kufirin jugor dhe kriminaliteti janë çështjet më të rëndësishme”, tha ai.

Një anketë e këtij muaji nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale tregon se 60 për qind e amerikanëve ende mbështesin dërgimin e ndihmave për Ukrainën.

“Kjo ka një kosto dhe vendi ynë përballet me problemet e veta tani. Shumë njerëz do të dëshironin që këto fonde të shpenzoheshin diku tjetër. Por, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar shumë njerëz në vështirësi në shumë vende të botës, ndihma për Ukrainën është jetike”, thotë votuesja amerikane Cindy Fellman.

Shtëpia e Bardhë njoftohet se po shqyrton mundësinë e lidhjes së ndihmës për Ukrainën me ndihmën për Izraelin. McCarthy, i cili ka ende mbështetjen e shumë ligjvënësve republikanë për t’u rikthyer në postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, thotë se ndihma për Izraelin duhet të ketë përparësi.

“Kjo nuk është lojë, Izraeli është sulmuar. Nëse do të isha Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, unë do ta hidhja për votim ndihmën për Izraelin”, thotë ai.

Kandidati tjetër për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Scalise, i cili ka qenë mbështetës i ndihmës për Ukrainën, thotë se ligjvënësit duhet të fillojnë një votim të shpejtë për zgjedhjen e udhëheqësit të ri.

“Duhet të kthehemi në punë. Kjo botë tani është e rrezikshme”, thotë ai.

Republikanët do të mbajnë votimin e parë për Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën. Asnjë ligj nuk mund të miratohet pa zgjedhjen e Kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve.