Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden shprehu të martën mbështetje të plotë për Izraelin dhe se do t'i kërkojë Kongresit të ndërmarrë veprime urgjente për të zbutur tensionet në Lindjen e Mesme pasi militantët e Hamasit sulmuan Izraelin gjatë fundjavës, duke vrarë më shumë se 1,000 njerëz, përfshirë të paktën 14 amerikanë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, analistët thonë se mundësia që amerikanët të mbahen peng nga grupi militant palestinez e ndërlikon situatën.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti Joe Biden nuk i kurseu fjalët për të përshkruar tronditjen dhe tmerrin e sulmit të papritur të fundjavës të Hamasit ndaj Izraelit.
“Ky është një akt i pastër ligësie. Më shumë se 1000 civilë u masakruan, ata nuk u vranë, por u masakruan në Izrael. Midis tyre, të paktën 14 shtetas amerikanë u vranë. Prindërit janë vrarë ndërsa kanë përdorur trupat në përpjekje për të mbrojtur fëmijët e tyre. Ka njoftime neveritëse që tregojnë për foshnja të vrarë. Familje të tëra të humbura”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Ai sqaroi gjithashtu qëndrimin e Uashingtonit ndaj kundërofensivës së Izraelit.
“Ne mbështesim Izraelin dhe do të sigurohemi që Izraeli të ketë atë që i nevojitet për t'u kujdesur për qytetarët e tij, për të mbrojtur veten dhe për t'iu përgjigjur këtij sulmi. Nuk ka asnjë arsyetim për terrorizmin”, tha Presidenti Biden.
Për këtë qëllim, tha ai, SHBA ka dërguar një aeroplanmbajtëse në Mesdhe, afër Izraelit.
Presidenti gjithashtu thotë se ai do t'i kërkojë Kongresit, pasi të zgjidhet një kryetar i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, që “të ndërmarrë veprime urgjente për të plotësuar financiarisht kërkesat e sigurisë kombëtare të partnerëve tanë me rëndësi”.
Analistët thonë se masakra ka shkaktuar zemërim të madh në Shtëpinë e Bardhë, e cila u ndriçua me ngjyrat e Izraelit pas tragjedisë.
“Mund të ketë amerikanë të kapur nga një grup terrorist dhe kjo duhet të jetë prioritet i çdo presidenti amerikan. Çështja e dytë është vdekja e amerikanëve në një sulm terrorist në Izrael. Shtojini kësaj faktin se rajoni është në një situatë shumë të vështirë dhe kjo përfshin jo vetëm Izraelin dhe Hamasin, por mundësinë e përfshirjes së Hezbollahut dhe Iranit. Kështu që Presidenti Biden po përpiqet të merret me të gjitha këto çështje”, thotë Daniel Byman, anëtar i Projektit të Kërcënimeve Transnacionale në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës pyeti Shtëpinë e Bardhë nëse zoti Biden i kërkoi kryeministrit Benjamin Netanyahu të tregohej i përmbajtur në kundërpërgjigjen ushtarake të Izraelit.
“Askush nuk dëshiron të shohë humbjen e jetëve të pafajshme. Një nga gjërat më të mira të marrëdhënieve tona me Izraelin është se ne jemi dy demokraci dhe ne besojmë në respektin për jetën e pafajshme dhe sundimin e ligjit. Ne jemi gjithmonë më të fortë së bashku kur ia tregojmë këtë botës, se ne respektojmë jetët e pafajshme dhe se ne respektojmë jo vetëm sundimin e ligjit, por edhe ligjin e luftës”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA.
Kundërshtarët e SHBA-së me shpejtësi përmendën fajtorin.
“Fatkeqësisht, ne mund të shohim një përkeqësim të situatës në Lindjen e Mesme. Unë mendoj se shumë do të pajtohen me mua se ky është një shembull i qartë i dështimit të politikës së Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, e cila u përpoq të monopolizonte zgjidhjen e konfliktit, por, për fat të keq, nuk u interesua për gjetjen e kompromiseve të pranueshme nga të dyja palët”, thotë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Zoti Kirby thotë se konflikti në Izrael nuk do ta largojë vëmendjen e Uashingtonit nga kërcënimet e tjera, kudo që të jenë ato.
“Çdo komb që mund të mendojë se në një farë mënyre Shtetet e Bashkuara do të shpërqendrohen nga situata në Izrael, gabohet. Ne jemi një vend mjaft i madh, i fuqishëm, ekonomikisht i qëndrueshëm, që të mund të kujdesemi për interesat tona të sigurisë kombëtare dhe ato të aleatëve dhe partnerëve tanë kudo në botë”, thotë zoti Kirby.
Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se nuk do të largohet nga Izraeli.