Republikanët dhe sfida për të zgjedhur kryetarin e ri të Dhomës së Përfaqësuesve

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve po përpiqen të bëjnë përpara me procesin për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj Dhome, pas shkarkimit nga detyra të Kevin McCarthy-t. Përpjekjet vijnë mes një trysnie në rritje për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, si dhe rrezikut për mbylljen e qeverisë, si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi buxhetin.

Shumica republikane e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të dëgjojë sot të paktën dy kandidatë për postin më të lartë të Kongresit, udhëheqësin e shumicës, Steve Scalise dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve Jim Jordan. Takimi i grupit republikan mbahet sonte në mbrëmje me dyer të mbyllura, një ditë përpara zgjedhjes me votim të fshehtë të njërit prej kandidatëve.

Republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një shumicë të ngushtë prej 221 vendesh, nga 435 që ka kjo Dhomë. Shumica e brishtë bëri të mundur që vetëm një pjesë e vogël e ligjvënësve republikanë të largonin nga detyra zotin McCarthy, duke e bërë gjithashtu sfidues postin për çdo person tjetër, që do ta marrë atë.

Ndërsa zoti McCarthy hyri në histori si kryetari i parë që u shkarkua pas një votimi zyrtar në Dhomën e Përfaqësuesve, dy republikanët e fundit që e kanë mbajtur këtë detyrë, janë larguar nën trysninë e ligjvënësve të vijës së ashpër të partisë.

Përpara votimit për kreun e ri të Dhomës, republikanët mund të trajtojnë fillimisht çështje të tjera të mprehta, përfshirë mënyrën se si do ta zgjidhin çështjen e buxhetit të ri, apo nëse do të ndryshojnë rregullin që i mundëson qoftë edhe një ligjvënësi të vetëm, të nisë procedurat për shkarkimin e kryetarit, një rregull që u bë shkak për largimin e zotit McCarthy.

Mbi 90 republikanë kanë bërë thirrje gjithashtu për ndryshim të rregullave partiake, duke kërkuar që kandidati për postin e kreut të Dhomës, të ketë mbështetjen e 217 republikanëve.

Jim Jordan, një konservator i njohur i vijës së ashpër i mbështetur nga Presidenti Donald Trump, duket se ka një avantazh në mbështetje megjithatë gjasat janë që votat e republikanëve të ndahen mes tij dhe Steve Scalise, duke e bërë të vështirë për të dy, që të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur.

Zoti Scalise duket se mbështetet nga shumë prej ligjvënësve veteranë përfshirë udhëheqësit e partisë ndërsa zoti Jordan gëzon mbështjen e pjesës tjetër të republikanëve mes tyre ata të vijës së ashpër që mbështesin zotin Trump.