Izraeli zotohet të shkatërrojë aftësitë ushtarake të Hamasit

Automjetet e blinduara izraelite janë grumbulluar pranë kufirit me Gazën ndërsa Izraeli njoftoi se ka rimarrë kontrollin e kufirit me territorin që kontrollohet nga militantët e Hamasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jerusalemi, Linda Gradstein, numri i të vdekurve në Izrael dhe Gaza vazhdon të rritet ndërsa luftimet vazhdojnë për të tretën ditë me radhë.

Your browser doesn’t support HTML5

Izraeli zotohet të shkatërrojë aftësitë ushtarake të Hamasit


Zyrtarë të shërbimeve shëndetësore në Gaza thanë se disa dhjetëra palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia. Ata thanë se më shumë se 500 njerëz janë vrarë dhe 120,000 të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre duke u strehuar në shkolla dhe zona të tjera të Gazës.

“Më shumë se katër shtëpi të Jabalias u shkatërruan pa paralajmërim. Mbi 50 apo 60 veta u vranë. Ka shumë viktima, rrënime të pabesueshme. Tani po nxjerrin njerëzit nga rrënojat”, thotë Ibrahim Nofal, banor në Jabalia.

Izraeli mbetët i tronditur nga sulmet e Hamasit që shkaktuan numrin më të madh të viktimave në 50 vjet. Trupat e më shumë se 260 të rinjve, që u vranë ndërsa merrnin pjesë në një festival muzikor, u zbuluan të dielën. Militantët e Hamasit kanë rrëmbyer rreth 150 izraelitë, shumë nga i njëjti festival dhe i çuan në Gaza.

Një nga të zhdukurit është 21-vjeçarja, Adi Maizel. Nëna e saj, Ahuva, foli me gazetarët të hënën.

“Gjatë telefonatës tonë të fundit me të dëgjuam shumë zhurma dhe të shtëna, bombardime dhe një kaos total. Që atëherë nuk kemi asnjë informacion se ku është, në çfarë gjendje është; nuk e dimë nëse është gjallë, apo jo. Nuk e dimë nëse dikush e ka rrëmbyer. Jemi thjesht të pafuqishëm”, thotë Ahuva Maizel, nëna e një izraeliteje të zhdukur.

Izraeli thotë se ka marrë nën kontroll të 22 zonat ku qindra luftëtarë të armatosur të Hamasit depërtuan duke vrarë civilët. Izraeli është tani në ofensivë dhe zyrtarët janë zotuar të shkatërrojnë aftësitë ushtarake të Hamasit.

Analistët thonë se do të jetë e vështirë për Izraelin që të rikthejë kapacitetin parandalues për të ardhmen.

“Imazhi i dobësisë së Izraelit, pas katastrofës së 48 orëve të fundit, është diçka që pamundëson shmangien e luftës. Nëse ndodh, do të ndikojë në të dyja, paqen dhe luftën në të ardhmen. Vendet e rajonit që duan paqe me Izraelin e kuptojnë plotësisht se çfarë duhet të bëjë Izraeli, duhet të arrijë në thelb një fitore strategjike në një nivel që fshin dhe mposht apo kapërcen disfatën strategjike”, thotë David Wurmser, këshilltari i ish-nëndëspresidentit amerikan Dick Cheney, për Lindjen e Mesme.

Izraeli ka thirrur qindra mijëra rezervistë dhe shumë presin një pushtim tokësor të Gazës në ditët në vijim. Zyrtarët izraelitë i kanë thënë publikut që të përgatitet për një luftë të gjatë prej të paktën disa javësh.