Partia Demokratike përjashton Gazmend Bardhin nga anëtarësia dhe nga grupi parlamentar

Kryesia e Partisë Demokratike e opozitës përjashtoi deputetin Gazmend Bardhi nga anëtarësia e partisë dhe nga grupi parlamentar mbrëmjen e të hënës “pas shkeljeve të njëpasnjëshme, që ish sekretari i përgjithshëm ka kryer në kundërshtim me interesat politike dhe elektorale të partisë”.

Sekretari për çështjet ligjore dhe zgjedhore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa, konfirmoi vendimin e kryesisë së PD-së për Zërin e Amerikës, duke shtuar se ai do t’i njoftohet Kuvendit të Shqipërisë.

“Zoti Bardhi ka tejkaluar vendimmarrjet e Partisë Demokratike, kur me nismën e vet dhe pa e mbledhur grupin parlamentar është përpjekur të kthejë në këtë grup, përmes një shkrese drejtuar Kuvendit, një nga personat e përjashtuar me vendim të kryesisë së partisë më 10 janar 2022 dhe është konfimuar nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike 5 ditë më pas”, thotë zoti Sefa.

Ai theksoi se neni 27 mbi masat disiplinore në Statutin e Partisë, kërkon shprehimisht se kërkesat për ripranim në parti shqyrtohen nga kryesitë e degëve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjithë rastet e tjera.

Zoti Sefa tha se personi i përmendur në shkresën për revokim të vendimit për përjashtim nga grupi më 15 janar, që zoti Bardhi i drejtoi Kuvendit, Oerd Bylykbashi, nuk i ka drejtuar kryesisë së partisë ndonjë kërkesë për ripranim.

Kjo, sipas tij, është njëra nga shkeljet e vazhdueshme të ish-sekretarit të përgjithshëm ndaj vendimeve të organeve kolegjale të PD-së, shumë prej të cilave janë votuar dhe janë nënshkruar prej tij, duke mos njohur institucionet e dala nga vota e demokratëve.

Sekretari Sefa shtoi se vendimi i kryesisë erdhi pas konstatimeve se "zoti Bardhi po ndjek një agjendë personale, përmes të cilës po kërkon të zhvendosë PD-në nga orientimi i përcaktuar nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar, në raport me aleatët strategjikë dhe bashkëpunimin me individët e sanksionuar si non grata, që kanë ndërmarrë një aksion dy vjeçar kundër Partisë Demokratike".

Por zoti Bardhi tha për Zërin e Amerikës se grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi të revokojë, të anullojë vendimin e vet të 15 janarit 2022 për deputetin Oerd Bylykbashi.

Ai shtoi se në mbledhjen e grupit parlamentar në Kukës, ku morën pjesë 26 nga 35 anëtarë të grupit që u njoftuan, u propozua zoti Bylykbashi për bashkëkryetar i reformës zgjedhore dhe iu revokua vendimi i përjashtimit.

Zoti Bardhi theksoi se vendimet për përjashtim nga grupi dhe revokime të tyre merren vetëm nga grupi, se kështu ndodhi edhe me zotin Bylykbashi, dhe u njoftua Kuvendi.

Vetëm grupi parlamentar ka lidhje me Kuvendin, ndërsa kryesia e partisë dhe këshilli kombëtar me statutin e tyre kanë efekt vetem për partinë. Neni 27 i statutit flet për masat displinore në parti, por zoti Bylykbashi ka mandat deputeti dhe nuk ka pse të bëjë kërkesë për ripranim në grup, sepse pjesë e tij mund të jetë pas revokimit edhe pa qenë anëtar i partisë, siç janë disa deputetë opozitarë”, shtoi zoti Bardhi.

Ai hodhi poshtë cilësimet nga kryesia e PD-së se po punonte për të larguar partinë nga orientimi euro-atlantik, duke bashkëpunuar me një non grata nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, duke kujtuar se përjashtimi i 30 deputetëve dhe 50 mijë anëtarëve, që kanë ndodhur në PD nuk janë sjellje europiane dhe euroatlantike.

Qëndrimin tim euroatlantik e tregoj me akte dhe veprime politike. Çështja e nongratës është një çështje që më ndan me zotin Berisha në qëndrime dhe këtë e kam bërë te qartë publikisht. Por ndryshe nga zoti Basha, unë kam zgjedhur të bashkëpunoj me secilin deputet opozitar, të takohem me opozitarë; dhe jo të bashkëpunoj me qeverinë apo të takohem me eksponentë të qeverisë. Opozita funksionale është thelbeësore për demokracinë dhe një vend pa opozitë funksionale, nuk është demokratik dhe nuk i shërben interesit të Shqipërisë”, tha zoti Bardhi.

Ai shtoi se kryesia e PD-së nuk ka legjitimitet për të ndërmarrë përjashtimin e tij, madje i quajti anëtarët e saj si disa individë privatë që nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike, që kanë ndjekur prej disa muajsh një strategji baltosje ndaj tij.

Partia Demokratike është përfshirë prej disa muajsh në një spiral paqartësish në marrëdhëniet midis kryesisë së saj dhe grupit parlamentar.

Në Kuvendin e fundit PD vendosi që kryetari i partisë është njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar, detyrë që zoti Basha ia ka deleguar nënkryetares Flutura Açka.

Por rregullorja e grupit parlamentar përcakton se kryetari i grupit zgjidhet deputetët anëtarë të tij.

Partia Demokratike nga një anë dhe zoti Bardhi nga ana tjetër në detyrën e kryetarit të grupit parlamentar i nisin Kuvendit njoftime të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Kryetarja e Kuvendit ka bërë të ditur se po konsultohet me institucionet rregullatore të pushtetit më të lartë ligjvënës për të qartësuar çështjen e përfaqësimit të grupit më të madh opozitar, madje ka bërë thirrje që grupimet e përçara të PD-së ta sqarojnë vet gjendjen konfuze të tyre, dhe të mos ia përcjellin Kuvendit konfuzionin e shkaktuar me mospajtimet mes tyre.

Partia Demokratike dhe grupi i saj parlamentar është ndarë në disa grupime pro dhe kundër ish kryeministrit Sali Berisha i shpallur non grata nga SHBA-të dhe Britania e Madhe për korrupsion dhe cënim të demokracisë.

Zoti Berisha është përjashtuar nga forumet e Partisë Demokratike pas përcaktimit nga Shtetet e Bashkuara, por ai me mbështetësit e tij përbëjnë praktikisht një pjesë të konsiderueshme të partisë, grupit parlamentar dhe mbajnë selinë qendrore të partisë, që e morën nën kontroll pas një sulmi të dhunshëm, vrullin e të cilës e ndali vetëm policia pas ndërhyrjes me gazlotsjellës njëzet muaj më parë.