Familjet amerikane përballen me vështirësi për të birësuar fëmijët ukrainas

Për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, birësimi i fëmijëve ukrainas nga shtetasit e huaj është ndalur pothuaj krejtësisht. Qeveria e Ukrainës po përpiqet ta rifillojë procesin. Gazetari i Zërit të Amerikës, Andriy Borys sjell hollësi.

Your browser doesn’t support HTML5

Familjet amerikane përballen me vështirësi për të birësuar fëmijët ukrainas


Një grup prej 200 familjesh amerikane i kanë bërë thirrje autoriteteve në Ukrainë t’i lejojnë të birësojnë jetimët ukrainas, ndërkohë që lufta vazhdon. Këto familje ishin në proces të birësimit të fëmijëve nga Ukraina, kur Rusia sulmoi Ukrainën dhe praktikisht të gjitha birësimet u ndaluan.

Në vitin 2021, amerikanët Steve dhe Leana Olney birësuan dy vëllezër dhe motrën nga një jetimore në rajonin e Odesës.

Por, familja Olney shpreson të birësojë edhe motrën tjetër, Lizën.

Ata kishin marrë leje për ta birësuar zyrtarisht Lizën në vitin 2022. Por, pastaj Rusia sulmoi Ukrainën.

“I dorëzuam peticionin e nënshkruar edhe nga familjet e tjera Ukrainës në tetor, por u refuzua. Na thanë, “ju jeni në Amerikë, ndërsa ajo në Poloni, nuk dimë se si ta vazhdojmë procesin e birësimit…”

Familja Olneys nuk janë të vetmit. Rreth 200 familje janë bashkuar për të kërkuar nga qeveritë ukrainase dhe amerikane që t’u ndihmojnë të përfundojnë proceset e birësimit. Zonja Karolina Dehnhard i përfaqëson këto familje.

“Egziston rreziku i trafikimit seksual, fëmijë që binin në duart e gabuara. Përgjigja jonë ndaj zyrtarëve ukrainas është se këto birësime tashmë janë të miratuara nga Ukraina.”

Gjashtë muaj pas sulmit rus, proceset e birësimit në Ukrainë janë pezulluar. Ministrja ukrainase për mirëqenien sociale, Oksana Zholnovych, thotë se birësimet brenda vendit kanë rifilluar në gusht të vitit 2022.

“Ne u japim përparësi birësimeve brenda vendit ngase fëmijët mund të rriten brenda kulturës së tyre dhe do të jenë të rrethuar me traditën e tyre autoktone.”

Ajo thotë se birësimet ndërkombëtare janë lejuar të rifillojnë – por vetëm në rastet kur prindërit birësues janë takuar me fëmijën para luftës dhe është rënë dakord të birësohet nga ta.

Zonja Sabrina Dickenson është përfaqësuese e organizatës “Ukrainecare 300”, që mbështet prindërit amerikanë, që duan të birësojnë fëmijë ukrainas.

“Për shumë vite ka ekzistuar një program përmes të cilit familjet amerikane mikprisnin fëmijë nga Ukraina – në veçanti jetimë, nganjëherë fëmijë të varfër, që nuk e kishin statusin e jetimit – për 4 deri në 12 javë në vit. Përmes këtij procesi, nëse fëmija kishte statusin e jetimit, familjet që dëshironin, shqyrtonin mundësinë e birësimit të tyre”.

Ish-këshilltari i Ministrit të Mirëqenies sociale të Ukrainës, Leonid Lebediev vlerëson se një zgjidhje e mundshme është që familjeve amerikane t’iu lejohet kujdestaria e këtyre fëmijë deri në përfundim të luftës.

“Do të ishte më mirë për fëmijët; nuk do të jetonin në jetimore, por me familjet që ata i duan dhe që i kanë zgjedhur vetë këta fëmijë”.

Megjithatë, zonja Zolnovych thotë se Ukraina nuk ka bazë ligjore për kujdestarinë e fëmijëve.


“Ligjet tona lejojnë që vetëm familjarët e afërt mund të ofrojnë kujdestari të përkohshme për fëmijën,” thotë ajo.

Përkundër vështirësive të përkohshme, familja Olney vazhdon të mbajë kontakt me Lizën. Ata e vizituan atë në Poloni gjatë festës së Krishtlindjes dhe vazhdimisht flasin me telefon.