Tjetër procedim ndaj Ahmetajt, akuzë për privatizimin e ish Fabrikës së bukës

  • Armand Mero

Arben Ahmetaj, ish zëvendës kryeministër

Në Shqipëri Prokuroria e Posaçme ka ngritur një tjetër akuzë për “Shpërdorim detyre”, ndaj ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, për një tjetër çështje që lidhet me privatizimin e ish Fabrikës së bukës në Tiranë. Zoti Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, dyshohet të ketë firmosur, në shkelje të ligjit, shitjen si pronë shtetërore të fabrikës, ndërkohë që të gjitha shkallët e gjyqësorit, i kishin njohur të drejtën e pronësisë, një familjeje kryeqytetase. Në atë kohë, zoti Ahmetaj ishte ministër i Financave, post të cilin e mbante që prej shkurtit të vitit 2016.

Sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar përllogaritet në miliona euro. Në truallin e ish fabrikës, u ndërtua më pas një kompleks pallatesh. Mbi këtë rast, hetimet kanë përfshirë dhe ish zyrtarë të tjerë të kohës në ministrinë e Financave.

Pak ditë më parë, burime nga Prokuroria e posaçme kishin paralajmëruar se hetimet ndaj ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj kishin rregjistruar “zhvillime surprizuese”, duke shtuar se bëhet fjalë për “fakte dhe prova të reja penale”.

Lexoni edhe këtë Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt, provat e Prokurorisë ndaj ish zv.kryeministrit

Që prej korrikut të këtij viti, ndaj ish zëvendës kryeministrit ka një urdhër arresti ndërkombëtar. Ai u largua nga vendi në të njëjtën ditë që Prokuroria e Posaçme ju drejtua parlamentit për të marrë autorizimin për arrestimin e tij. Emri i zotit Ahmetaj, u shfaq gjatë hetimeve për inceneratorët. Ai dyshohet për të paktën tre vepra penale nga korrupsioni pasiv te fshehja apo mos deklarimi i pasurisë, të pastrimi i parave. Prokurorët kanë deklaruar të kenë zbuluar lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve që fituan kontratat koncensionare për ndërtimin e inceneratorëve, të ciat po ashtu sipas tyre, qëndronin pas disa transaksioneve financiare të kryera nga zoti Ahmetaj. Nën sekuestro janë vënë disa pasuri të patundshme të tij si dhe llogari bankare.

Lexoni edhe këtë Tiranë, sekuestrohen apartamente e llogari bankare të Ahmetajt

Zoti Ahmetaj, ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, duke pretenduar se ai nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në procedurat të cilat i dhanë jetë projektit të inceneratorëve. Ai e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet në vend, “përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë”.

Lexoni edhe këtë Ahmetaj jashtë vendit: Do kthehem kur të ndriçohet e vërteta

Ai reagoi sot pasdite për dyshimet e reja të ngritura ndaj tij, duke theksuar se sipas tij po bëhet kokë turku pa të drejtë.

“Ka një segment të organizuar politiko-mediatik të financuar nga inceneratorët, me tentakula në drejtësi, që tentojnë të ndërtojnë tek unë 'delen e zezë', përtej kokës së vërtetë të zezë të kopesë”, shkruajti në një postim në Facebook, duke u shprehur se, “goditja politiko-juridike ndaj meje duket sikur është kthyer në një sport juridiko-statistikor pa cilësi”.

Ish zëvendëskryeministri, në versionin e tij për rastin, thotë se “ish-pronarët e njërës prej aseteve të asaj kompanie, kanë kundërshtuar vlerësimin e pavarur të aksioneve të kompanisë. Vlerësuesit e pavarur, në bazë të ligjit, kanë bërë vleresimin, që nuk i ka kënaqur ish-pronarët e njërit prej aseteve të kompanisë. Nëse do të realizohej ajo që kërkonin ish-pronarët, aksionet e shtetit do të reduktoheshin me herë. Pra në thelb, duke u zbatuar ligji, janë mbrojtur aksionet e shtetit”, deklaron Ahmetaj.