Danimarka synon të nisë prodhimin e municioneve në vend

Ministria e Mbrojtjes së Danimarkës synon të rifillojë , pas një hendeku 55-vjeçar, prodhimin e municioneve për të plotësuar nevojat e vendit, pasi lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritje të kërkesave për pajisje ushtarake në të gjithë Evropën.

Ministria tha të shtunën në një deklaratë se kishte hyrë në një marrëveshje për të blerë një fabrikë të vjetër armësh, në veriperëndim të vendit, e cila u përdor si furnizuesi i vetëm i municioneve në Danimarkë deri në vitin 1968, pas hapjes së saj në vitin 1676.

Ministria tha se kishte rënë dakord të paguante rreth 2.8 milionë dolllarë për të blerë fabrikën, njoftoi agjenca e lajmeve Ritzau, e cila citonte ministrin e Mbrojtjes Lund Poulsen.

“Ka trysni për prodhimin e armëve në Evropë dhe duhet të gjejmë zgjidhje në Danimarkë, që të kontribuojmë aty ku mundemi, bazuar në nevojat e Danimarkës”, tha zoti Poulsen përmes një deklarate.

“Do të duhet kohë përpara se të jemi gati për prodhimin e municioneve, por është mirë që tani do të nisim punën”, shtoi ai.

Deklarata nuk jepte detaje mbi llojet e municioneve që synohen të prodhohen në fabrikë.