Kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus e sheh sulmin e 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës nga një grup i armatosur serb, si përpjekje e Serbisë për të ndryshuar kufijtë me forcë dhe si pjesë të një përgatitjeje, të përcjellë me retorikë nxitëse dhe armatosje, për një konfrontim të armatosur. Ai thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se zhvillimet në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë kambanë alarmi për Bashkimin Evropian që të rishikojë politikën ndaj rajonit, përfshirë edhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij është shndërruar në problem dhe jo në zgjidhje. Kolegia Garentina Kraja bisedoi me zotin Knaus.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Zoti Knaus, si i shihni zhvillimet që lidhen me sulmin e grupit të armatosur serb në veri të Kosovës më 24 shtator dhe ngjarjet që e pasuan atë?
Gerald Knaus: Këto ishin sigurisht incidentet më të rënda që kemi parë pas një periudhe të gjatë dhe duhet të jemi shumë të shqetësuar se çfarë vjen pas tyre. Bashkë me kolegët e mi shkruam një raport në fund të muajit korrik dhe paralajmëruam, duke marrë shembull skenarin e vitit 1969 të paramilitarëve të Belfastit, për një kërcënim të vërtetë. Ne mendojmë se duhen trajtuar me seriozitet kërcënimet, atë që thonë ministrat serbë në Beograd, se do të hynin me forcë për të mbrojtur serbët nga pogromet, terrori, siç kanë shkruar gazetat (serbe) tani për më shumë se një vit, për pogrome dhe terror në Kosovë që nuk ekzistojnë dhe kjo e bën këtë situatë shqetësuese, kur udhëheqësit fillojnë të shpikin krime siç bëri Putini bëri në 2014 dhe 2022 dhe mënyrën se si është bërë në fillimin e viteve të 90-ta në Ballkan. E pamë këtë sajesë si shkas për të ndërhyrë ushtarakisht, i pamë paralajmërimet e ministrave serbë dhe i morëm seriozisht. Kur një grup i madh paramilitarësh hynë në pjesën veriore të Kosovës, sikur ishte paralajmëruar, me armë të rënda, për të nxitur dhunë serioze. Nuk mendoj se duhej të befasoheshim dhe se duhet të befasohemi nëse një gjë e tillë ndodh përsëri, përveçse nëse politika ndërkombëtare ndryshon qasje.
Zëri i Amerikës: Cili ishte roli i Beogradit zyrtar, sipas jush?
Gerald Knaus: Ajo që dimë është se që politikani kryesor, më me ndikim, i zgjedhur dhe që përfaqëson interesat e Presidentit të Serbisë në Kosovë, Radoiçiç udhëhoqi këtë sulm. Ai është paur në kamera dhe deklaroi përmes avokatit të tij se ishte i përfshirë. Ndaj tij është ngritur akuza, ndonëse u lirua menjëherë, në Serbi. Pra, e dimë që nuk bëhet fjalë për një grup qytetarësh të dëshpëruar, por bëhet fjalë për udhëheqjen e partisë kryesore, që në thelb është degë e partisë së Presidentit Vuçiç në Kosovë. Po ashtu e dimë që pajisjet e tyre nuk janë pajisje që mund t’i blesh në dyqan. Këto janë pajisje ushtarake. Pastaj kemi pohimet që ka bërë Policia e Kosovës nga dëshmitë që ata gjetën se janë zhvilluar stërvitje përgjatë periudhave të gjata kohore nëpër qendra për stërvitje ushtarake në Serbi. Këtë pohim nuk mund ta konfirmoj, por pamja që del është tejet e qartë: kemi një qeveri në Serbi që thotë se duhet të ndërhyjmë, Presidenti Vuçiç në korrik foli për 14 ditë afat bashkësisë ndërkombëtare për të çarmatosur Policinë e Kosovës dhe njësitë speciale të Kosovës në veri. Pra, paralajmërimet, pastaj rritja e buxhetit të mbrojtjes ndër vite në Serbi dhe retorikën e njerëzve si Radoiçiç, që ka një histori kërcënimesh jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe opozitarëve në mesin e serbëve të Kosovës. Të gjitha këto gjëra bashkë, e bëjnë të qartë se kjo ishte një ndërhyrje serioze e një shteti fqinj që përpiqet të ndryshojë kufijtë me forcë.
Zëri i Amerikës: Cili ishte qëllimi përfundimtar i këtij operacioni, këtij sulmi, sipas jush?
Gerald Knaus: Ne e dimë, dhe udhëheqësit serbë po na thonë, se ata nuk pranojnë pavarësinë e Kosovës, që nuk janë të gatshëm ta mbështesin e as ta nënshkruajnë një marrëveshje që de facto njeh pavarësinë e saj, që në fakt është marrëveshja që fillimisht Gjermania, pastaj Franca dhe më vonë Bashkimi Evropian, e sollën në tavolinë, në Ohër, në fillim të vitit, të cilën kosovarët thanë se do ta pranojnë dhe nënshkruajnë. Serbia tha se nuk do ta nënshkruajë dhe udhëheqësit serbë thanë se nuk do ta pranojnë njohjen de facto. Po t’i shtojmë kësaj edhe pretendimet për pogrome, terror, spastrim etnik, që nuk janë të vërteta. Realiteti është shumë më ndryshe. Prandaj ngremë pyetjen, pse shpifin ata për mkrime të paqena? Dhe natyrisht, ky është skenari i vjetër që e kemi parë në Kroaci më 1991, në Bosnjë më 1992 dhe që e pamë në Ukrainë shumë herë në dekadën e fundit. Cili ishte qëllimi? Të ndryshojë kufijtë me përdorimin e forcës, të përjashtojë Policinë e Kosovës nga veriu, ndoshta ta shtyjë KFOR-in që ta përjashtojë policinë nga andej, që do të mundësonte bartjen e armëve, siç kishte ndodhur me muaj të tërë, përmes rrugëve të kontrabandës, të cilat Policia e Kosovës ka provuar t’i mbyllë, me më shumë armë në veri, kolapsin e institucioneve të bashkëpunimit dimrin e kaluar, me gënjeshtrat dhe urrejtjen nacionaliste që po ushqehen mediat, që janë të afërta me regjimin e Presidentit Vuçiç, të gjitha përgatitjet po bëhen për një konfrontim të armatosur, të cilin Serbia shpreson ta fitojë.
Zëri i Amerikës: A mendoni që Rusia ishte prapa nxitjes së kësaj krize?
Gerald Knaus: Nuk mendoj se kemi nevojë për një lidhje me Rusinë për të shpjeguar atë që ndodhi. Ajo që dimë është se Rusia ka mbështetur udhëheqësit serbë, retorikën dhe veprimet e saj në Kosovë.
Bashkimi Evropian duhet ta shohë situatën si kambanë alarmi, të shfrytëzojë vitin e ardhshëm për qasjen e vet, të kuptojë se çfarë nuk ka funksionuar, që dialogu që ka ndërmjetësuar ka dështuar plotësisht. Dialogu është bërë problem dhe jo zgjidhje dhe nuk mund të presësh që diçka pozitive të dalë nga ai proces. Në vend të kësaj Bashkimi Evropian duhet të angazhohet drejtpërdrejt dhe veçmas me Kosovën dhe Serbinë.
Zëri i Amerikës: E keni quajtur politikën evropiane në Ballkan, “një katastrofë në krijim e sipër”. Krerët e shteteve anëtare të BE-së u takuan në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit me udhëheqësit e Ballkanit. Si e shihni ecurinë e këtij procesi?
Gerald Knaus: Jam shumë skeptik aktualisht. Ka shumë përpjekje dhe disa njerëz po e kuptojnë se sa serioze është kjo situatë. Ta analizojmë në kontekstin historik: kishim një dekadë konflikti etnik, lufta njëra pas tjetrës në Ballkanin Perëndimor në vitet e 90-ta, pastaj më shumë se dy dekada paqe që ishte e lidhur me perspektivën evropiane, me këtë mundësi që me integrimin e këtyre shteteve në tregun më të madh të përbashkët, unionin më të madh demokratik të shteteve, lufta do të bëhej e paimagjinueshme. Në vitet e fundit, ky vizion është zbehur. Asnjë shtet nuk po përparon, as Mali i Zi, as Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Kosova nuk janë as afër fillimit të negociatave të pranimit dhe Serbia ka ngecur po ashtu. Prandaj, Bashkimi Evropian duhet që me shumë seriozitet të rivlerësojë pozitën e vet dhe ta bëjë të qartë se ekziston një qëllim i besueshëm, që brenda pesë vitesh, secili shtet në Ballkanin Perëndimor, që plotëson kushtet, të gëzojë të paktën katër liritë për qarkullimin e njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, si dhe t’u lejohet qasja e plotë ne tregun e Bashkimit Evropian që do të krijonte një mrekulli ekonomike, të cilën e kemi parë në Poloni, Sllovaki, në shtete e Baltikut, në Rumani, e që është e mundur edhe në Ballkanin Perëndimor.
Ky premtim duhet bërë sa më parë, duhet të jetë premtim konkret. Është hap i madh përpara, por në një kohë kur na duhet ta ruajmë paqen, nuk mund të bësh ndryshime të vogla, teknike, për të cilat askush nuk beson se mund t’ua ndryshojnë jetën. Nuk mjafton.