Një vit e gjysmë burgim për ish kryebashkiakun socialist të Fushë Arrëzit

Fran Tuci

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi ish kryebashkiakun e Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, me 1 vit e 6 muaj burgim për shpërdorim detyre. Dënimi përfshin edhe heqjen e të drejtës për 5 vjet për të ushtruar funksione publike.

Ish kryebashkiaku Tuci dhe ish administratori i njësisë Iballë, Ndoc Marku, u akuzuan për “shpërdorim detyre” dhe “shkatërrim prone”, për shkak të lejes që dhanë për një rrugë në një fshat të thellë të zonës.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit vlerësoi se ishte bërë një dëm mbi 2 milionë euro prej gërryerjes dhe shpyllëzimit të terrenit për hapjen e rrugës së ndërtuar privatisht.

Segmenti rrugor 1.8 kilometër dhe e gjerë 5 metër u hap në kundërshtim me ligjin dhe pa u miratuar nga autoritetet nga një shoqëri private, e cila ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të bashkisë si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Ish kryebashkiaku Truci ka drejtuar pushtetin vendor në Fushë Arrëz për dy mandate, si i zgjedhur i Partisë Socialiste, nga viti 2015 deri para pak muajsh. Ish kryebashkiaku socialist i Kukësit, Safet Gjici, u arrestua nën akuzën për korrupsion dy muaj më parë, pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua.

Ish kryebashkiaku socialist i Durrësit, Vangjush Dako, u arrestua në qershor nën akuzat e shpërdorimit të detyrës në të paktën dy raste.

Kryetari socialist i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, nënkryetarja, si dhe 6 zyrtarë të tjerë të kësaj Bashkie, u arrestuan në mars për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh dhe formularësh.