Të paktën 50 vetë humbën jetën të enjten nga një sulm rus në një fshat në rajonin e Kharkivit të Ukrainës verilindore, thanë zyrtarët ukrainas. Mes tyre ishte edhe një djalë 6 vjeçar.
Guvernatori i rajonit të Kharkivit, Oleh Synehubov tha se një kafene dhe një dyqan ishin sulmuar në fshatin Hroza, në një kohë kur aty kishte civilë të shumtë. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse forcat ruse kishin sulmuar me raketë, apo bombarduar.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy, i cili po merr pjesë në një takim të nivelit të lartë me udhëheqës evropianë në Granadë të Spanjës, tha se "terrori rus duhet të ndalet".
Ai u tha më shumë se 40 udhëheqësve në takim se ishte i sigurt për mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës dhe kërkoi ndihmën e tyre të vazhdueshme dhe armë shtesë për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
Zoti Zelenskiy tha se presidenti Vladimir Putin nuk duhet të lejohet të forcojë ushtrinë e tij, ose përndryshe në vitet e ardhshme Rusia mund të sulmojë edhe përtej Ukrainës.
"Le të kthehen ambiciet e Putinit në gërmadha, jo vendet tona, jo qytetet tona. Fëmijët e çdo vendi meritojnë të jenë të sigurt. Në gjithë vendin, jo vetëm në metro, jo vetëm në strehime nëntokësore, por kudo. Ne duhet t'ia dalim. Ne duhet të garantojmë fitoren e Ukrainës."