Hunter Biden nuk pranon fajësinë lidhur me akuzat për armëmbajtje pa leje

Hunter Biden deklaroi të martën se është pafajshëm lidhur me tre akuzat federale për armëmbajtje pa leje. Ngritja e këtyre akuzave pasoi dështimin e një marrëveshjeje për pranim të fajësisë nga ana e tij lidhur me disa shkelje të ligjit të taksave. Gjyqi lidhur me akuzat për armëmbajtje pa leje pritet të fillojë në vitin 2024.

Avokati i zotit Biden, Abbe Lowell tha në gjykatë se ai planifikon të paraqesë një mocion për të pushuar çështjen, duke sfiduar kushtetutshmërinë e saj.

Djali i Presidentit Joe Biden përballet me akuzat se ai gënjeu për përdorim droge në tetor të vitit 2018 në një formular për blerjen e një arme që e mbajti për rreth 11 ditë.

Ai pranoi se kishte qenë përdorues i kokainës gjatë asaj periudhe, por avokatët e tij kanë thënë se ai nuk e ka shkelur ligjin. Akuzat për armëmbajtje pa leje si këto janë të rralla dhe një gjykatë apeli ka vendosur se ndalimi i përdorimit të armëve për përdoruesit e drogës shkel Amendamentin e Dytë të kushtetutës amerikane, sipas standardeve të reja të Gjykatës së Lartë. Amendamenti i Dytë i kushtetutës amerikane mbron të drejtën e armëmbajtjes.

Avokatët e zotit Hunter Biden po sugjerojnë që prokurorët iu nënshtruan presionit të republikanëve, të cilët kanë këmbëngulur se djali i presidentit demokrat arriti një marrëveshje të favorshme, dhe se akuzat ishin rezultat i trysnisë politike.

Ai u padit pas prishjes këtë verë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë me prokurorët federalë për taksat dhe akuzat për armëmbajtje pa leje. Marrëveshja nuk hyri në fuqi pasi gjykatësi, i cili duhej ta nënshkruante atë, ngriti një sërë pyetjesh lidhur me hollësitë e saj.

Djali i Presidentit, i cili nuk ka mbajtur poste publike, akuzohet për dy akuza për deklarata të rreme dhe një akuzë për armëmbajtje pa leje, për të cilat nëse shpallet fajtor mund të dënohet deri me 25 vjet burg. Sipas marrëveshjes së dështuar, ai do të ishte deklaruar fajtor dhe do të kishte vuajtur dënimin me kusht në vend të burgimit për akuzat e për mospagim në kohë të taksave dhe do të shmangte ndjekjen penale për akuzën për armëmbajtje pa leje.

Avokatët mbrojtës kanë argumentuar se ai mbetet i mbrojtur nga një dispozitë e imunitetit që ishte pjesë e marrëveshjes së prishur të pranimit të fajësisë, por prokurorët e zyrës së prokurorit të posaçëm David Weiss nuk janë dakord me këtë vlerësim.