Çmimi Nobel në fizikë, tre shkencëtarëve për studimin e elektroneve

Çmimi Nobel në fizikë për vitin 2023 u fitua nga tre shkencëtarë të cilët arritën të zhvillojnë një teknikë për të kuptuar lëvizjet jashtëzakonisht të shpejta të elektroneve, që më parë mendoheshin të pamundura për t'u ndjekur.

Fituesit janë Pierre Agostini i Universitetit Shtetëror të Ohajos në SHBA, Ferenc Krausz i Institutit të Optikës Kuantike ‘Max Planck’ dhe Universitetit ‘Ludwig Maximilian’ në Mynih të Gjermanisë, si dhe Anne L'Huillier nga Universiteti Lund në Suedi.

Me eksperimentet e tyre "ata i ofruan njerëzimit mjete të reja për të eksploruar botën e elektroneve brenda atomeve dhe molekulave", thanë përfaqësuesit e Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila shpalli fituesit e çmimit në Stokholm.

Ata "kanë ofruar një mënyrë për të krijuar impulse jashtëzakonisht të shkurtra drite, që mund të përdoren për të matur proceset e shpejta në të cilat elektronet lëvizin, ose ndryshojnë shpejtësi".

Kjo teknikë ndihmon më shumë në të kuptuarit e universit sesa mund të aplikohet në praktike, por shpresa është që ajo të çojë në prodhimin e pajisjeve më të mira elektronike si dhe diagnozë të sëmundjeve.

Lëvizjet e elektroneve brenda atomeve dhe molekulave janë aq të shpejta sa ato maten me atë që njihet si ‘attosekondë’, një njësi matëse e kohës, miliona herë më e vogël se sekonda.

"Attosecond-i na lejon t’u japim përgjigje pyetjeve themelore të tilla si shpejtësia e efektit fotoelektrik, për të cilin Albert Einstein, mori çmimin Nobel në fizikë në vitin 1921", tha kryetarja e Komitetit Nobel për Fizikën Eva Olsson.

Fituesve u ndahet një çmim prej 1 milion dollarësh.

Vitin e kaluar, tre shkencëtarë fituan çmimin Nobel në Fizikë për punën e tyre në teknologjinë kuantike, e cila ka përdorime të rëndësishme në disa fusha.

Një ditë më parë shkencëtarja hungareze Katalin Karikó dhe ai amerikan Drew Weissman fituan çmimin Nobel në mjekësi për zbulimet që mundësuan prodhimin e vaksinave mRNA kundër COVID-19.