Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën në kryeqytetin ukrainas të hënën, në një takim të paparalajmëruar, për të diskutuar rreth mbështetejes së tyre për Ukrainën dhe të ashtuquajturën “formulë të paqes” të Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. Takimi në Kiev po mbahet ndërkohë që aleatët perëndimorë, që janë edhe përkrahësit më të mëdhenj të Ukrainës në luftën e saj kundër sulmit rus, kanë shfaqur luhatjet e para rreth ndihmës prej miliarda dollarësh që vendet e tyre i ofrojnë Ukrainës.
Diplomatët kryesorë evropianë u mblodhën të hënën në Kiev për të treguar përkrahjen e tyre për Ukrainën në luftën kundër sulmit të Rusisë, ndërkohë që çarjet e para politike në Evropë dhe Amerikë rreth luftës 19 muajshe tashmë janë shfaqur.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell tha se ky takim i parë i përbashkët i diplomatëve evropianë jashtë kufijve të bllokut dëshmon përkrahjen “e palëkundur” të tyre dhe nënvizon përkushtimin e BE-së ndaj Ukrainës.
“Kjo luftë ka pasoja për gjithë botën. Por, për ne evropianët, është kërcënim ekzistencial. Ndoshta nuk po shihet si i tillë nga pjesët e tjera të botës, por për ne është i tillë. Më lejoni ta përsëris – është kërcënim ekzistencial. Prandaj na duhet ta përkrahim dhe ta diskutojmë me aleatët tanë amerikanë dhe miqtë tanë, që të vazhdojnë ta përkrahin,” deklaroi zoti Borrell.
Një sentiment të ngjajshëm e përçoi edhe ministrja e jashtme gjermane, Anna Baerbock.
“E sollëm Bashkimin Evropian aty ku zemra e Evropës rreh më së forti për momentin – këtu në Kiev, në Ukrainë. E ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Evropian, në komunitetin tonë të lirisë dhe shpejt ky komunitet do të shtrihet nga Lisbona në Luhansk. Me secilin fshat, secilën pëllëmbë që Ukraina çliron, në secilin meter, ku i shpëton njerëzit e vet, Ukraina po hap rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian,” tha ajo.
Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Britania e Madhe kanë ofruar përkrahje të madhe financiare dhe ushtarake për Ukrainën, duke mundësuar që t’i bëjë ballë sulmit rus. Kjo ndihmë është qenësore për ekonominë e dobësuar të Ukrainës dhe deri më tani ka qenë e pakusht.
Por, tashmë kanë filluar të shfaqen luhatjet e para se edhe për sa kohë aleatët e Kievit mund të vazhdojnë të dërgojnë ndihmë prej miliarda dollarësh.
“Kjo është një ngjarje historike ngase për herë të parë, Këshilli i ministrave të jashtëm takohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, por brenda kufijve të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Është mesazh i përkrahjes, për të cilën jemi jashtëzakonisht falenderues,” deklaroi Ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytri Kuleba.
Presidenti amerikan Joe Biden të dielën i siguroi aleatët se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë përkrahje financiare pasi Kongresi amerikan shmangu mbylljen e qeverisë duke miratuar një buxhet afatshkurtër që nuk përfshiu ndihmën për Ukrainën.
Shumë nga ligjvënësit amerikanë e pranojnë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të sigurojnë përkrahje në Kongres për ndihmën Ukrainës.
Ministri i jashtëm ukrainas Kuleba u tha gazetarëve se Ukraina ka diskutuar me përfaqësuesit e dy partive në Kongresin amerikan për të siguruar vazhdimësinë e ndihmës.
“Kemi diskutime shumë të thella me republikanët dhe demokratët në Kongres dhe përkundër vendimit që u mor nën trysninë e mbylljes së qeverisë në Shtetet e Bashkuara, po punojmë me dy palët që të sigurohemi që një gjë e tillë nuk përsëritet më. Nuk ndihemi që përkrahja amerikane është dobësuar, sepse Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se në Ukrainë po zhvillohet betejë që shkon përtej Ukrainës. Ka të bëjë me stabilitetin dhe parashikueshmërinë e botës,” shtoi zoti Kuleba.
Takimi në Kiev po mbahen pas fitores së fundjavës të partisë së politikanit pro-rus Robert Fico në Sllovaki. Fitorja e tij ka nxitur shqetësime rreth përkrahjes së vazhdueshme të BE-së për Ukrainën. Ashtu si Hungaria, shtet anëtar që vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta me Moskën, qasja e Sllovakisë mund të shkaktojë tensione brenda BE-së për Ukrainën. Hekurudha kryesore përmes të cilës Perëndimi furnizon Ukrainën me pajisje ushtarake kalon nëpër Sllovaki.
Ministrat hungarez dhe polak nuk ishin të pranishëm në takimin në Kiev, ndonëse nuk është e pazakontë që kryediplomatët të mos marrin pjesë në takime të tilla.
Ukraina është e përkushtuar të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe anëtarët e BE-së kanë inkurajuar një mundësi të tillë ndonëse me luftën e vazhdueshme rruga para Ukrainës mbetet e gjatë.
Sipas ministrit të jashtëm të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis aleatët perëndimorë gjenden para një kthese kritike.
“Nëse nuk bëhen hapa shumë seriozë politik, mund të lindin dyshime nëse me të vërtetë jemi me Ukrainën deri në fitore, ashtu siç themi. Janë dërguar shumë mesazhe nga Brukseli e Uashingtoni, që kanë hedhur dyshime nëse jemi seriozë. Shpresoj që ky takim do t’i përgjigjet këtij dyshimi dhe të dërgojmë një mesazh shumë të qartë, që Evropa është me Ukrainën deri në fitore,” tha ai.