Një vetvrasës me bombë aktivizoi një mjet shpërthyes në zemër të kryeqytetit turk të dielën, ndërsa sulmuesi i dytë u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, njoftuan zyrtarët në Ankara.
Your browser doesn’t support HTML5
Sulmi ndodhi disa orë përpara se të rifillonin punimet e parlamentit pas pushimit tremujor të verës, me një fjalim nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan.
Duke iu drejtuar parlamentit, pak orë më vonë, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se, ata që sulmuan paqen dhe sigurinë e vendit nuk mund të arrinin synimin e tyre. “Ata nuk do ta arrijnë kurrë synimin e tyre”, tha zoti Erdogan.
Ministri i Brendshëm i Turqisë tha të dielën se dy individë kryen një sulm me bombë përpara ndërtesave të ministrisë në Ankara, duke shtuar se njëri prej tyre vdiq gjatë shpërthimit dhe tjetri u "neutralizua" nga autoritetet.
“Sapo zbritën nga automjeti ata hasën zjarrin e armëve. Njëri nga terroristët, i cili kishte veshur një jelek bombë, hodhi veten në erë. Tjetri u qëllua në kokë dhe u neutralizua, para se ta hidhte veten në erë”, tha Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.
Media turke njoftoi më herët se ishte dëgjuar një shpërthim pranë parlamentit dhe ndërtesave të qeverisë. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, shkroi në platformën e medias sociale X se dy punonjës policie u plagosën lehtë gjatë incidentit që ndodhi në orën 9:30 të mëngjesit, sipas orës lokale.
“Dy terroristë erdhën me një automjet të lehtë komercial para portës
së kompleksit të ministrisë dhe kryen një sulm me bombë”, tha zoti Yerlikaya.
Kryeprokuroi i Ankarasë tha se ka nisur hetimet për sulmin terrorist. Deri në publikimin e këtij lajmi autoritetet turke nuk kanë dhënë detaje se kush mund të fshihet pas sulmit.