Të paktën 59 persona humbën jetën si pasojë e një shpërthimi të madh në një xhami në Pakistan, ndërsa qeveria u zotua për gjetjen e autorëve dhe akuzoi agjencinë e zbulimit të Indisë se ishte e përfshirë në ngjarje.
Shpërthimi ndodhi në një xhami në Mastung të provincës jugore të Balochistanit pasi një sulmues aktivizoi lëndën shpërthyese në trupin e tij, ndërsa njerëzit po mblidheshin për të shënuar ditëlindjen e Profetit Muhamet.
Zyrtarët pakistanezë kanë pretenduar prej kohësh se India sponsorizon grupe të dhunshme në Pakistan, akuza të cilat India i ka hedhur poshtë.
"Institucionet civile, ushtria dhe të gjitha institucionet e tjera do të veprojnë bashkërisht kundër elementëve të përfshirë në sulmin vetëvrasës në Mastung”, tha ministri i brendshëm Sarfaraz Bugti, për mediat në kryeqytetin e Balochistanit, Quetta.
"RAW është përfshirë në sulmin vetëvrasës”, shtoi ai, duke iu referuar agjencisë indiane të zbulimit. Ai nuk dha detaje apo prova për këto akuza.
Ministria e Jashtme e Indisë dhe një zëdhënës i qeverisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment nga agjencia e lajmeve Reuters.
Një sulm tjetër të premten në një xhami në veri të provinces Khyber Pakhtunkhwa la të vrarë të paktën 5 persona.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për të dy sulmet.