Putini shënon përvjetorin e aneksimit të 4 rajoneve ukrainase, pavarësisht se nuk ka kontroll të plotë

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin këmbënguli të shtunën se banorët e 4 rajoneve që Moska i anekskoi në mënyrë të paligjshme vitin e kaluar, “bënë zgjedhjen e tyre për të qenë me atdheun”.

Në një fjalim që u bë publik në orët e para të ditës së shtunë, për të shënuar përvjetorin e parë të aneksimit, zoti Putin tha se aneksimi u krye në përputhje të plotë me normat ndërkombëtare.

Ai pretendoi se banorët në rajonet e Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit e shprehen edhe një herë dëshirën e tyre për të qenë pjesë e Rusisë, në zgjedhjet lokale që u mbajtën muajin e kaluar, në të cilat Komisoni Qëndror i Zgjedhjeve të Rusisë tha se partia në pushtet kishte fituar shumicën e votave.

Më 30 shtator të vitit 2022 Moska i njohu zyrtarisht si territore ruse të katër rajonët ukranase pas mbajtjes së referendumeve, ku Kremlini tha se pati mbështetjen e shumicës dërrmuese të banorëve.

Perëndimi i ka hedhur poshtë rezultatet e zgjedhjeve dhe i ka quajtur të paligjshme aneksimet e rajoneve ku trupat ruse nuk kanë kontroll të plotë.