SHBA nuk tregon nëse po ndërmjetëson në mosmarrëveshjet mes Kanadasë dhe Indisë

Që nga koha kur Kanadaja tha se agjentët e qeverisë indiane luajtën rol në vrasjen e një udhëheqësi të besimit Sikh në tokën kanadeze, marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve janë tensionuar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias njofton për rolin që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë në mes të kësaj mosmarrëveshjeje midis dy aleatëve.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA nuk thotë nëse po ndërmjetëson mes Kanadasë dhe Indisë


Ferkimet mes Indisë dhe Kanadasë për vrasjen e një separatisti të besimit sikh në tokën kanadeze po vazhdojnë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të enjten me ministrin e Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar.

“Jemi shumë të shqetësuar për akuzat që janë ngritur nga Kanadaja. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe ne shpresojmë që miqtë tanë në Kanada dhe Indi do të punojnë së bashku për ta zgjidhur këtë çështje”, tha zoti Blinken gjatë një konference shtypi në Uashington.

Sekretari Blinken dhe zyrtarë të tjerë në Uashington megjithatë nuk kanë pranuar të thonë nëse Uashingtoni po luan rol ndërmjetësues.

“Nuk do të flas për ato që thuhen në biseda private diplomatike. Ajo që themi ne publikisht është se ne i nxisim ata të bashkëpunojnë me hetimin kanadez”, thotë Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka thënë në Dhomën e Ulët të Parlamentit kanadez dhe gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se agjentët e qeverisë indiane luajtën rol në vrasjen e Hardeep Singh Nijjar, aktivist për një shtet të pavarur Sikh në Indi. Ai u qëllua për vdekje në një zonë periferike të Vankuverit në qershor.

Lexoni edhe këtë India pezullon shërbimet e vizave për qytetarët e Kanadasë, Trudeau thotë se nuk po përpiqet të shkaktojë probleme


Ndërsa qeveria e Indisë e cilësonte zotin Nijjar si një terrorist të arratisur, ajo e quajti pretendimin e Kanadasë si “absurd”. Por ministri Jaishankar tha se India është e gatshme të shikojë provat kanadeze.

“Ne ende duhet t'i shohim detajet, por kjo ngre pikëpyetje në lidhje me sovranitetin territorial, nëse një demokraci mund të mbrojë qytetarët e saj dhe nëse demokracitë mund t'i besojnë njëra-tjetrës”, thotë Leland Lazarus, studiues i sigurisë në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës.

Është në interesin amerikan që Shtetet e Bashkuara të mbajnë lidhje të ngushta me Indinë pa dëmtuar marrëdhëniet me Kanadanë, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kalifornisë Jugore, Patrick James.

“Jo vetëm që nuk duhet kundërshtuar India, por duhen thelluar lidhjet me Indinë pasi jemi në një periudhë ku ka shqetësime reale nëse mund të frenohet koalicioni kino-rus, i cili duket shumë agresiv tani”, vlerëson zoti James.

Ndërsa komuniteti Sikh në pjesë të ndryshme të botës kërkon përgjigje, zyrtarët amerikanë kanë inkurajuar Indinë të bashkëpunojë me hetimin kanadez duke theksuar se Uashingtoni e dënon shtypjen kudo në botë.