NATO miraton forca shtesë për Kosovën

NATO-ja njoftoi se ka miratuar forca shtesë për Kosovën pas sulmit të 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës, por nuk dha më shumë hollësi për numrin e forcave.

Në një njoftim të NATO-s thuhet se Këshilli i Aleancës u takua sot për të diskutuar situatën në Kosovë, duke shprehur shqetësimin e thellë për tensionet në rritje në veri të Kosovës.

Në njoftim thuhet se KFOR-i ka forca në mbarë Kosovën dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.

“Që nga maji, ne kemi shtuar praninë e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të trajtuar situatën aktuale”, thuhet në njoftim, por nuk jepen më shumë hollësi për numrin e trupave.

Në njoftim thuhet se NATO-ja do të vazhdojë të sigurohet se komandanti i KFOR-it të ketë burimet dhe mundësitë që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij dhe është e gatshme të ofrojë mundësi të mëtejshme për praninë e KFOR-it sipas nevojës.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të shtensionojnë situatën. Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftim.

Të dielën me 24 shtator një grup i armatosur serb sulmoi policinë duke vrarë një oficer të policisë dhe plagosur një tjetër. Më pas grupi hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi policinë. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.

Ngjarjet e së dielës janë cilësuar si sulm terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë, ndërsa Serbia mohon përfshirjen në sulm.

Rreth 4 mijë e 500 trupa të udhëhequra nga NATO-ja janë të vendosur në Kosovë. Shtatëqind trupa shtesë u dërguan në Kosovë në fillim të qershorit pas trazirave të dhunshme të 29 majit kur mbi 90 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të plagosur në përleshje me grupe protestuesish serbë që kundërshtonin zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës.