Qeveria separatiste e Nagorno-Karabakut njofton shpërndarjen

Qeveria separatiste e Nagorno-Karabakut njoftoi të enjten se do të shpërndahet dhe se republika e rajonit, (e cila nuk njihej ndërkombëtarisht), do të ndalojë se ekzistuari në fund të vitit, pas përpjekjeve prej më shumë se tre dekadash për pavarësi.

Njoftimi erdhi në një kohë kur zyrtarët armenë thanë se më shumë se gjysma e popullsisë së këtij rajoni tanimë është larguar.


Vendimi për shpërndarjen e qeverisë u mor pasi Azerbajxhani kreu një operacion të rrufeshëm ushtarak javën e shkuar, për të rimarrë nën kontroll të plotë territorin dhe u kërkoi trupave armene të Nagorno-Karabakut të dorëzonin armët, dhe qeverisë separatiste që të shpërndahej.


Në dekretin e firmosur nga presidenti i rajonit separatist Samvel Shakhramanyan, citohej një marrëveshje e arritur më 20 shtator për dhënien fund të luftimeve, në bazë të të cilit Azerbajxhani do të lejonte lëvizjen e lirë dhe të vullnetshme të banorëve të Nagorno-Karabakut drejt Armenisë.


Disa, që u larguan nga kryeqyteti i rajonit, Stepanakert thanë se nuk kishin shpresa për të ardhmen.

“Ika me mendimin se diçka do të ndryshonte dhe do të kthehesha përsëri, por këto shpresa u shuan tani që lexoj lajmin për shpërdarjen e qeverisë”, tha studenti 21 vjeçar Ani Abaghyan, për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Avokati 30 vjeçar Anush Shahramanyan shtoi: “Nuk do kthehemi kurrë në shtëpitë tona pa një qeveri të pavarur në Artaskh”, duke iu referuar rajonit Nagorno-Karabak sipas emërtimit armen.

Zhvendosja masive e armenëve nga rajoni malor brenda Azerbajxhanit, nisi të dielën.

Deri të enjten në mëngjes, mbi 70 mijë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë prej 120 mijë banorësh në këtë rajon, ishte larguar drejt Armenisë dhe largimi vazhdon me të njëjtin intensitet, sipas zyrtarëve armenë.

Nagorno-Karabaku ra nën kontrollin e kryengritësve armenë, të mbështetur nga Armenia, në luftimet separatiste, që përfunduan në vitin 1994. Gjatë luftës në vitin 2020, Azerbajxhani mori pjesë të Nagorno-Karabakut, së bashku me territorin përreth, që forcat armene e kishin marrë nën kontroll gjatë konfliktit të mëparshëm.

Në dhjetor, Azerbajxhani bllokoi rrugën e vetme që lidh Nagorno-Karabakun me Armeninë, me pretendimin se qeveria armene po e përdorte atë për furnizimin e paligjshëm me armë të forcave separatiste të rajonit.

Armenia tha se mbyllja e rrugës shkaktoi një ndërprerje të furnizimeve me artikuj bazë të ushqimit dhe karburantit për banorët e Nagorno-Karabakut. Azerbajxhani e hodhi poshtë akuzën, duke argumentuar se rajoni mund të merrte furnizime përmes qytetit Aghdam të Azerbajxhanit, një zgjidhje të cilën autoritetet e Nagorno-Karabakut, nuk e pranuan duke e cilësuar si një strategji të Azerbajxhanit për të vënë nën kontroll të gjithë rajonin.

Të dobësuar nga bllokimi i rrugës dhe refuzimin e autoriteteve armene që të përfshiheshin në konflikt, forcat etnike armene në rajon vendosën të dorëzojnë armët 24 orë pasi Azerbajxhani nisi sulmin javën e kaluar. Autoritetet e Azerbajxhanit kanë premtuar se do të respektojnë të drejtat e armenëve etnikë, megjithatë, shumë banorë kanë vendosur të largohen drejt Armenisë, pasi i druhen përndjekjes dhe masave ndëshkimore.

Nuk është ende e qartë nëse armenët etnikë që jetojnë ende në rajon do të qëndrojnë atje.


Dekreti i firmosur nga zoti Shakhramanyan i bënte thirrje popullsisë së Nagorno-Karabakut, përfshirë atyre që ishin larguar, që të përshtateshin me kushtet e riintegrimit të ofruara nga Republika e Azerbajxhanit, në mënyrë që të merrnin individualisht vendimin mbi mundësinë për të qëndruar, apo për t’u rikthyer në rajon.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit i bëri thirrje të enjten popullatës armene të rajonit “të mos largohen nga vendbanimet e tyre dhe të bëhen pjesë e Azerbajxhanit shumëkombësh”.


Në Jerevan, kryeministri armen Nikol Pashinyan tha se “në ditët në vijim, nuk do të mbetët asnjë armen në Nagorno-Karabak".


“Ky është spastrim etnik dhe privim i njerëzve nga atdheu i tyre, pikërisht ajo për të cilën kemi paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar”, tha ai.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit hodhi poshtë akuzat e kryeministrit armen.

“Zoti Pashinyan e di shumë mirë se ikja e armenëve nga rajoni azerbajxhanas i Karabakut është vendimmarrje individuale dhe nuk ka të bëjë me zhvendosje të detyruar. Me këto deklarata ai po përpiqet të dëmtojë përpjekjet e Azerbajxhanit për të ofruar ndihmë humanitare dhe për procesin e riintegrimit, dhe gjithashtu minon përspektivën e mundshme për paqe mes Azerbajxhanit dhe Armenisë”, thuhej në dekaratë.


Të enjten, autoritetet e Azebajxhanit ngritën akuza ndaj ish kreut të qeverisë separatiste të Nagorno-Karabakut, Ruben Vardanyan, për financim të terrorizmit, ngritje të njësive ushtarake të paligjshme dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Bankieri miliarder Vardanyan, i cili u arrestua të mërkurën, rrezikon të dënohet me 14 vjet burg, sipas agjencisë shtetorore ruse të lajmeve, RIA Novosti.

Zyrtarët e Azerbajxhanit thanë se zoti Vardanyan, që e krijoi pasurinë e tij në Rusi, u arrestua ndërsa bënte përpjekje të hynte në Armeni nga Nagorno Karabaku, së bashku me mijëra të tjerë, dhe u dërgua në Baku.


Arrestimi i tij duket të jetë një tregues i përpjekjeve të Azerbajxhanit për zbatimin sa më parë të autoritetit të tij në rajon.

Një tjetër figurë e lartë separatiste, ish-ministri i Jashtëm i Nagorno-Karabakut dhe tani këshilltari i Presidentit, tha të enjten se do t'i dorëzohet autoriteteve të Azerbajxhanit pasi ata "kërkuan qëndrimin tim në Baku për hetime".