Kosova në ditë zie për oficerin e vrarë të policisë

Në Kosovë flamujt në institucionet vendase dhe ambasadat perëndimore janë ulur në gjysmështizë, ndërsa vendi është në ditë zie të në shenjë nderimi ndaj pjesëtarit të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra të dielën në përleshje me një grup serbësh të armatosur.

Përleshjet vazhduan përgjatë tërë ditës së diel në fshatin Banjskë në veriun e banuar me shumicë serbe ndërsa grupi i sulmuesve u vendos në dhe përreth manastirit ortodoks në atë fshat.

Lexoni edhe këtë Vritet një pjesëtar i policisë së Kosovës në veri – mbeten të vrarë tre nga sulmuesit

Tre nga sulmuesit mbetën të vrarë të dielën, ndërsa autoritetet thanë se të hënën u gjet trupi i pajetë i sulmuesit të katërt. Gjashtë persona u arrestuan, dy prej të cilëve të plagosur. Policia tha se situata u vu nën kontroll mbrëmjen e së dielës por nuk u dhanë hollësi nëse pjesëtarë të tjerë të grupit të armatosur ishin larguar.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se “bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqesin një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i cili të hënën diskutoi situatën në Kosovë me ambasadorin rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, tha të dielën në mbrëmje se grupi i sulmuesve përbëhej nga serbë të Kosovës që sipas tij “nuk duan të durojnë më terrorin e (Albin) Kurtit”.

“Nuk dua të arsyetoj vrasjen e policit. Është për t’u dënuar dhe nuk i duhet askujt, më së paku serbeve kur dihet se Kurti është shkaktari i kaosit në Kosovë”, tha presidenti i Serbisë, i cili mohoi çfarëdo lidhjeje të Beogradit me sulmin e së dielës.

Lexoni edhe këtë Vuçiç: Kurti fajtor për çdo gjë në Kosovë – KFOR-i dha lejen për vrasjen e serbëve të rrethuar në manastir

Vrasja e pjesëtarit të policisë së Kosovës, nxiti reagime në shkallë të gjerë të institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian dënoi sërish të hënën sulmin “e tmerrshëm dhe terrorist” kundër policisë së Kosovës, duke bërë thirrje që palët të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Lexoni edhe këtë Dënohet gjerësisht vrasja e pjesëtarit të policisë së Kosovës

Gjermania dërgoi në Prishtinë përfaqësuesin e saj për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, i cili e cilësoi “të tmerrshme” situatën e së dielës.

“E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin”, tha ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sulmi i së dielës ndodhi në një periudhë përpjekjesh të vështira për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mes shqetësimeve të dioplomatëve se Rusia mund të përdorë Beogradin për të nxitur konfliktet etnike në Ballkan, për të tërhequr vëmendjen e botës nga agresioni i saj në Ukrainë.